Vozitësit vdekjeprurës

Autori:Avdyl Pajaziti

Rrugët e Kosovës janë kthyer në pista garash.  Drejtuesit e automjeteve që shfrytëzojnë rrugët lokale apo rajonale, duket se janë gjithherë në nxitim.  Rrjedhimisht, numri alarmant i aksidenteve është përkthyer shpesh në lëndime dhe vdekje të njerëzve të përfshirë në komunikacionin rrugor të vendit.

Por, përveç që ka prekur drejtpërsëdrejti të aksidentuarit, pamjet e aksidenteve kanë ndjellë frikë e shqetësim tek qytetarët e vendit.

“Unë sidomos kohët e fundit shqetësohem shumë sa herë më duhet të dal në qytet.  Por, sidomos shqetësohem kur më bie ndër mend për familjarët me të ri që i kam, të cilët duhet të shkojnë në shkollë apo dalin për të luajtur më shokët e tyre.  Gjithherë më shkon mendja se mund të goditen nga ndonjë veturë,” thotë Sebahate Krasniqi që jeton në Prishtinë.

Vetëm në muajin shtator të këtij viti, sipas Policisë së Kosovës, kanë humbur jetën 19 persona si pasojë e aksidenteve.

Gjithsej nga fillimi i vitit deri në fund të tetorit, 105 persona kanë vdekur në aksidente.

Sipas policisë, aksidentet kryesisht shkaktohen për shkak ta mosrespektimit të rregullave të trafikut dhe nga gjendja teknike e automjeteve.

“Në të shumtën e rasteve është konstatuar se deri te aksidentet kanë quar tejkalimi i shpejtësisë, mos mbajtja e distancës, (pra mos respektimi i dispozitave që dalin nga ligji mbi sigurinë në komunikacionin rrugor),dhe  gjendja teknike e automjeteve dhe kushtet e rrugës janë nder faktorët tjerë kontribues”, kanë thënë në Policinë e Kosovës.

Por, pyetjes së Gazetës Fjala nëse janë duke planifikuar që të ndërmarrin masa të reja për të parandalimin dhe zvogëlimin e numrit të aksidenteve, Policia e Kosovës nuk i ka dhënë ndonjë informacion konkret, shkruan Gazeta Fjala.

“[Deri më tani] Kemi zhvilluar një numër të madh të aktiviteteve ne funksion të sensibilizimit të qytetarëve lidhur me parandalimin e aksidenteve rrugore, duke filluar nga fushatat vetdijsuese përmes spoteve të ndryshme televizive, broshurave, komunikatave, dhe informacioneve për publikun”.

“Kemi ndërmarr masat e nevojshme ligjore  duke përfshirë edhe shqiptimin e gjobave aty ku pjesëmarrësit në komunikacion kanë rënë ndesh me ligjin mbi sigurinë.”

Por, Kaltrina Pajaziti nga Instituti për Kriminologji dhe Kriminalstikë, organizatë kjo që në vitin 2014 kishte publikuar një hulumtim të quajtur “Sjelljet në Komunikacionin Rrugor”, rekomandon që “të rritet shansa e gjobitjes” dhe të shtohet prezenca e policisë në komunikacion si masë preventive.

“Sa me shumë të rriten shanset e gjobitjes edhe atëherë kur gjoba është me e vogël, do ti bënte ngasësit e makinave të respektojnë më shumë rregullat e trafikut,” ka thënë ajo.

“Zbatimi konsistent dhe i pa-dallueshëm (sepse ne e dimë që shpesh në vendin tonë dikush nuk merr gjobë për arsyeje të statusit social, nepotizmit etj) do të bënte që njerëzit të respektonin me shumë rregullat në komunikacion. Në një vend ku aksidentet në trafik janë shumë të mëdha, atëherë prezenca më e madhe e policisë është e nevojshme si masë preventive.”

Një burim i Gazetës Fjala që punon në njërën nga kompanitë e sigurimit të veturave, ka thënë se dyshon që arsye e shpeshtë e aksidenteve është se veturat nuk janë në rregull teknikisht.

Sipas burimit, kontrolli i automjeteve në qendrat e kontrollimit teknik bëhet vetëm sa për sy e faqe, sepse siç thotë burimi, mund të shohësh së vetura që vije tek ne nuk plotëson fare standardet, por meqë ka kaluar kontrollin teknik, duhet të regjistrohet.

Minitria e Infrastrukturës thotë se asnjë automjeti nuk i bëhet ekspertiza pas aksidentit dhe se “nuk kemi një pasqyrë të kontrollimeve teknike në rrugë.”

Në anën tjetër, edhe qytetarët kërkojnë nga autoritetet përgjegjëse që të ashpërsojnë masat për shkelësit e rregullave të komunikacionit.

Ardian Berisha, student që banon përkohësisht në Prishtinë, thotë se lajmet e muajve të fundit rreth aksidenteve i janë dukur si lajme nga ndonjë vend lufte.

“Diçka duhet të ndërmerret sepse është ka kaluar çdo kufi. Unë mendoj se nuk ka kulturë vozitje, e vërej edhe tek zebrat.  Rrallë dikush që të jep përparësi, dhe të afrohen deri të këmbët në ato raste kur edhe të japin përparësi. Me të përngjaj si gjendje lufte, çdo natë duke parë pamje të aksidenteve,” thotë ai.

Sipas statistikave të policisë, në vitin 2010 kanë humbur jetën 175 persona në aksidente të trafikut, 157 në vitin 2011, 121 në vitin 2012.  Në vitin 2013, aksidentet kanë shkaktuar vdekjen e 119 personave, kurse 127 kanë vdekur në vitin e kaluar./Gazeta Fjala/.

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/analiza/vozitesit-vdekjeprures/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala