Vit i rëndë për kosovarët

Autori:Avdyl Pajaziti

Viti 2015 për qytetarët e Kosovës nuk ka nisur fare mirë. Hiq më mirë nuk pritet të jetë edhe në muajt e ardhshëm.

Në tremujorin e parë të këtij viti qytetarëve të Kosovës i është shtrenjtuar goxha shumë jetesa. Ata nga janari i e deri në mars artikujt ushqimorë i kanë paguar më shtrenjtë se sa vitin e kaluar.

Sipas Bankës Qendrore të Kosovës gjatë tremujorit të parë të këtij viti rryma, gazi dhe lëndët tjera djegëse shënuan rritje të çmimit për 5.3 për qind. Kurse,  pijet alkoolike, duhani 2.6 për qind dhe veshmbathja 2 për qind.

“Me rritje prej 1.5 për qind u karakterizuan edhe çmimet e ushqimit dhe pijet joalkoolike të cilat përfaqësojnë rreth 40.9 për qind të shportës së konsumatorit kosovar, përderisa në tremujorin e parë të vitit 2014 çmimet e ushqimit dhe pijeve joalkoolike patën shënuar rënie prej 1.4 për qind”, bënë të ditur BQK.

E, derisa çmimet e produkteve ushqimore janë rritur, krahas saj qytetarët e Kosovës po detyrohen të futen edhe në kredi. Numri i tyre gjithashtu ka shënuar rritje në tre muajt e parë të këtij viti.

“…kreditë vazhduan të përshpejtojnë ritmin e rritjes. Në mars 2015, gjithsej kreditë arritën vlerën 1.90 miliardë euro, që paraqet rritje vjetore prej 4.3 për qind (2.4 për qind në mars 2014). Duke arritur vlerën prej 216.3 milionë euro, gjithsej kreditë e reja të lëshuara gjatë tremujorit të parë 2015 u karakterizuan me rritje vjetore prej 8.4 për qind”, është thënë në raportin e BQK’së.

Por, BQK ka treguar se qytetarët e Kosovës deri në fund të këtij viti do të vazhdojnë të marrin kredi me kamata po kaq të larta.

“Në gjashtë muajt e ardhshëm (mars-shtator 2015), oferta kredituese e bankave, shprehur përmes standardeve të aplikuara kreditore pritet të mbetet përgjithësisht e pandryshuar”.

Mbarë ky vit nuk ka nisur edhe për bizneset e vendit.

Sipas Bankës Qendrore të Kosovës gjatë tre muajve të parë të këtij viti më shumë janë shuar biznese sesa janë hapur.

“Sa i përket regjistrimit të ndërmarrjeve është shënuar rënie e numrit të ndërmarrjeve të regjistruara si dhe rritje e numrit të ndërmarrjeve të mbyllura. Numri i ndërmarrjeve të reja të regjistruara në tremujorin e parë të vitit 2015 ishte 2,582 që është për 329 ndërmarrje më pak se sa në tremujorin e parë të vitit 2014, ndërsa u mbyllën 501 ndërmarrje apo 65 ndërmarrje më shumë se sa në periudhën e njëjtë të vitit paraprak”.

Po ashtu përgjatë tre muajve të parë të vitit 2015 ka shënuar rrite të madhe edhe borxhi publik. Sipas BQK-së rritja e këtij borxhi që kryesisht është i brendshëm është për 6.7 për qind më shumë se sa vitin e kaluar.

“…në mars 2015, ka arritur në 622.1 milionë euro nga 582.9 milionë euro sa ishte në fund të vitit 2014, ndërsa si përqindje e PBB-së ka arritur në 10.7 për qind nga 10.6 për qind sa ishte në vitin paraprak. Kjo rritje prej 6.7 për qind e borxhit publik, i atribuohet kryesisht rritjes së borxhit të brendshëm”, ka thënë BQK duke treguar që borxhi i jashtëm ka mbetur pothuajse i pandryshuar./GazetaFjala/

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/analiza/vit-i-rende-per-kosovaret/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala