Veteranët i fusin në “luftë” FMN-në dhe Qeverinë

Autori:Gazeta Fjala

Programit të Fondit Monetar Ndërkombëtar në Kosovë pritet që t’ia shohin sherrin veteranët e luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Për shkak të mosmarrëveshjeve mes këtij institucioni financiar ndërkombëtar dhe Qeverisë së Kosovës veteranët ende nuk i kanë marrë pensionet në vlerë prej 170 euro, që duhej tu dilnin në llogari me 25 prill.

Ka kohë deri me datë 27 që ata ti marrin paratë, por vështirë se do të ketë rritje siç pritet nga ish luftëtarët.

Burime të Gazetës Fjala brenda Qeverisë së Kosovës, bëjnë të ditur se është  duke menduar të ndryshohet  ligji për veteranët me qëllim të uljes së pensioneve të veteranëve në mënyrë që të ketë buxhet të mjaftueshëm që t’ua paguaj ato.

Të gjithë këto ndryshime, Qeveria e Kosovës, respektivisht Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale pritet që t’i bëjë pas kritikave të marra nga Fondi Monetar Ndërkombëtar.

Kjo ngase FMN në raportin e Vlerësimit të Menaxhimit të Investimeve Publike shprehet se qeveria e Kosovës nuk duhet ta shpenzoj buxhetin në fusha jo emergjente.

FMN shprehet se presioni është i madh dhe po rritet nga grupet e fuqishme lobuese si pensionistët, veteranët, ish të burgosurit politik dhe shërbyesit civil bashkë me partnerë ndërkombëtar.

Veteranët nuk duan t’u preken pensionet

Ndryshe veteranët e UÇK-së i rekomandojnë Qeverisë së Kosovës që t’i ulin pensionet për veteranët.

“Qeveritarët  duhet ta dinë se sot lirinë e gëzojnë si rezultat i luftës së pastër të pjesëtareve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Për këtë qeveria obligohet që të mos pranojë gjëra të tilla, por t’i rris pensionet”, ka thënë Jashari.

Në këtë drejtim Jashari thotë nuk do të bëjnë kompromis më Qeverinë e Kosovës. Çdo vendim tjetër për ndryshimin e skemës për veteranët dhe reagimet tona normalisht se nuk do të ndryshojnë.

“Nuk do të lejojmë formë pa provuar dhe të drejtat tona do ti realizojmë. Mos të na provokoj Qeveria e Kosovës”, ka shtuar më tej Jashari.

Ndërkohë që fondi i planifikuar për veteranët e UÇK-së është zvogëluar për 6 milionë euro në procesin e rishikimit të buxhetit. Për këtë kategori tashmë janë në dispozicion vetëm 18 milionë euro e jo 24 milionë, sa kanë qenë në fillim të vitit 2015.

Ndonëse Ministria e Financave nuk jep detaje se a i ka mbërritur ndonjë kërkesë nga ana e Fondit Monetar Ndërkombëtar për uljen e pagave të veteranëve. Kjo ministri nuk ka dhënë detaje as lidhur me shumën se sa parashihet që veteranët të marrin pensione.

Kjo ministri ka thënë se për këtë çështje detaje duhet të jap Ministria e Punës.

“…ju lutem që për këto çështje të kontaktoni më Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale”, ka thënë Muharrem Shahini.

Institucionet heshtin përballë kërkesës së FMN’së

Ndërkohë as Ministria e Punës në pyetjet e dërguara nga Gazeta Fjala nuk ka dashur që të komentoj lidhur me këtë çështje, ndonëse Gazeta ka një javë që u ka dërguar pyetje.

Por nëse paga e veteranëve bie mbi vlerën minimale veteranët paralajmërojnë protesta para Qeverisë së Kosovës.

“Ne i mbetemi pas kërkesave tona.  Ne e kemi thënë se edhe ky pension që është caktuar me pagën minimale nuk është i mjaftueshëm. Ne kemi bërë kërkesë që të rriten pensionet e në asnjë mënyrë nuk guxojnë që të zvogëlohen. Dhe ligji thotë që pensioni nuk guxon të jetë nën pagën minimale në Kosovë”, ka thënë Jashari.

Edhe kryetari i Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të njeriut Behxhet Shala ka thënë për Gazetën Fjala se veteranët meritojnë një pension të dinjitetshëm.

“Veteranët meritojnë që ta kenë një pension të dinjitetshëm. Realisht ata jetojnë në kushte të vështira”, ka thënë Shala.

Ndërkaq FMN publikisht e ka kritikuar Qeverinë e Kosovës se buxhetin nuk po e shfrytëzon në shëndetësi, edukim dhe projektet tjera kapitale të cilat do të nxisnin rritjen ekonomike dhe do të reduktonin varfërinë vë në pah FMN.

Aktualisht pensioni që veteranët marrin është 170 euro.

Në rast të një marrëveshjeje e tillë, siç kërkon FMN’ja, atëherë është i domosdoshëm ndryshimi i ligjit për veteranët, pasi aty thuhet se veterani luftëtar duhet të marrë pensionin jo më të vogël se paga minimale në vend, e që në Kosovë është 130 euro për personat nën moshën 35 vjeç, e 170 për ata mbi këtë moshë.

“Varësisht nga mundësitë buxhetore, kostoja e jetesës dhe inflacioni eventual, në fund të çdo viti për vitin e ardhshëm, Qeveria e Kosovës me propozimin e Ministrisë së Financave me vendim të veçantë, mund të vendosë për lartësinë e shumës së pensionit të Veteranit Luftëtar të UÇK-së, cila nuk mund të jetë më e vogël se paga minimale e përcaktuar në Kosovë” thuhet Ligjin për Veteranët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës./Gazeta Fjala/.

 

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/analiza/veteranet-i-fusin-ne-lufte-fmn-ne-dhe-qeverine/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala