Vetëm 6 mijë kosovarë u punësuan për një vit

Autori:Gazeta Fjala

6 mijë e 174. Kaq është numri i kosovarëve që janë punësuar gjatë vitit të kaluar, ndërsa janë hapur 11 mijë vende të reja.

Numri i punësimeve i cili ceket në raportin vjetor të Ministrisë për Punë dhe Mirëqenies Sociale nuk përputhet me deklaratat e Kryeministrit Isa Mustafa, ku sipas tij vjet kanë gjetur punë 18 mijë qytetarë, shkruan Gazeta Fjala.

Ky raport hedhë poshtë llogaritjet e deritashme të Qeverisë së Kosovës, e cila thirren në shifra më të larta se ato reale.

Përveç kësaj, shihet se nuk ka pasur punëtorë të mjaftueshëm sa ka pasur vende të hapura të punës.

Vetëm gjysma e pozitave të shpallura në qendrat regjionale të punësimit janë plotësuar përmes ndërmjetësimit për shkak se qytetarët ose nuk kanë qenë të kualifikuar për ato punë ose nuk kanë pranuar të angazhohen.

Megjithatë, është interesante se numri i atyre që kërkojnë ndërmjetësim përmes zyrave të punësimit është rritur me afro 30 mijë veta për një vit.

Nga 83 mijë të papunë sa ishin në vitin 2014, tani janë mbi 112 mijë.

Pjesa dërmuese e tyre janë të pa kualifikuar me rreth 68 mijë. Prej këtyre vetëm 901 janë punësuar. Më pas vijnë personat që kërkojnë punë me shkollë fillore e të mesme.

Vitin e kaluar 5 mijë e 52 persona të diplomuar kanë marrë epitetin e të papunëve, nga ky numër janë punësuar vetëm 405.

Magjistrat e papunë

Fatin e njëjtë të  kanë pasur edhe 226 magjistra shkence, të cilët  përveç titullit të tyre kanë marrë edhe një librezë në zyrat e punësimit, shkruan Gazeta Fjala. Vetëm 20 nga ta kanë gjetur punë.

“Papunësia e të diplomuarve nuk është problem vetëm në Kosovë por edhe në shteteve fqinje”, thotë Jeton Mehmeti, Analist i politikave publike pranë Institutit GAP.

Sipas tij, janë disa faktorë që kanë kontribuar në zmadhimin e këtij problemi.

“Numri kaq i madh i punëkërkuesve me diplomë universitare është pasojë e nepotizmit në shpërndarjen e vendeve të punës në sektorin publik, është pasojë e politikave të përqendruara në rritjen e numrit të studentëve dhe jo në cilësinë e arsimit, është pasojë e ekonomisë së varfër të një vendi që nuk krijon shumë vende të reja të punës, si dhe është pasojë e një sistemi arsimor që ka dështuar për të dizajnuar kurse që plotësojnë nevojat e tregut të punës”, thotë Mehmeti.

Në raportin e MPMS-së shihet se Komuna më me së shumti papunësi është ajo e udhëhequr nga Shpend Ahmeti, Prishtina.

Në kryeqytet numri i të papunëve është 24 mijë veta të regjistruar, e janë punësuar 800.

Derisa komuna që vie pas me papunësi është ajo e Prizrenit me mbi 19 mijë të papunë, e me 520 të punësuar, kurse mirë me punësime nuk qëndron as Mitrovica në këtë komunë janë të regjistruar 16 mijë punëkërkues.

Numri më i vogël  i të papunësuarve sipas raportit të MPMS-së, është në komunën e Ferizajt.

Nuk kishte investime që të hapen vende të punës

Kryetari i Odës Ekonomike Amerikane, Arian Zeka ka thënë për Gazetën Fjala se gjatë vitit 2015 nuk ka pasur ndonjë investim të huaj ose edhe ndonjë investim madhor të  brendshëm, i cili do të ndikonte në gjenerim kaq substancial të vendeve të punës.

“Në mungesë të sqarimeve të detajuara, do të doja të besoja që shifrat e tilla janë nga luftimi i informalitetit në punësim”, tha Zeka.

Edhe Kryetari i Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës, Haxhi Arifi, thotë se numri i të punësuarve është i pamjaftueshëm për të ulur nivelin e lartë të papunësisë.

“Unë besoj se aq vende të punës janë hapur, por nevoja e Kosovës është që të krijohen më shumë vende pune. Normalisht, ne si BSPK, nuk jemi të kënaqur, pasi shkalla e papunësisë është shumë e madhe në Kosovë”, shprehet Arifi.

Ndërsa në Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale thonë se po zhvillojnë politika për mbështetjen e punëkërkuesve që të gjejnë veten në tregun e punës.

Sipas raportit, të rinjtë janë kategoria më përfituese sa i përket mbështetjes përmes masave aktive të punësimit.

Ata përmes programeve të ndryshme mund të marrin aftësime profesionale për pozitat e punës që ofron tregu.

Viti e kaluar 72 për qind e papunësisë është e regjistruar në profesionet elementare, pastaj në papunësinë e regjistruar sipas profesionit hynë edhe profesioni i teknikëve me 7.2 për qind dhe profesionet e tjera me 5.6 për qind.

Kurse  sipas statistikave të MPMS-së gjatë vitit 2015, sikur në vitet e mëparshme, shumica e vendeve të lira të ofruara i referohen sektorit terciar (shërbimet, 68 për qind), pasuar nga sektori sekondar (prodhimi 29 për qind) dhe sektori primar (bujqësia 3 për qind)./Gazeta Fjala/

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/analiza/vetem-6-mije-kosovare-u-punesuan-per-nje-vit/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala