Veseli e Ahmeti nuk e duan “Adem Jasharin”

Autori:Gazeta Fjala

Edhe pse kanë kaluar 17 vjet nga përfundimi i luftës, në kryeqytetin e Kosovës nuk është vendosur asnjë lapidar i heroit kombëtar Adem Jashari.

Për vendosjen e përmendores dhe ndërtimit të një sheshi me emër të tij ishte folur qysh para 12 viteve në kohën  kur Prishtina udhëhiqej nga Ismet Beqiri.

E vendosja e bustit të heroit krahas Skënderbeut, Ibrahim Rugovës, Nënës Teresë, e Zahir Pjazitit, nuk pritet të ndodhë së paku edhe për një kohë, shkruan Gazeta Fjala.

As punimet në sheshin që ndodhet mes Komunës së Prishtinës e Kuvendit të Kosovës nuk pritët të nisin shpejt.

E gjithë kjo me faktin se komuna e Prishtinës, që drejtohet nga Shpend Ahmeti nuk po arrin të gjejë një gjuhë të përbashkët  me Kuvendin e Kosovës që udhëhiqet nga Kadri Veseli, ngase prona në të cilën planifikohet të ndërtohet shtatorja është pjesë e përbashkët e Komunës dhe Kuvendit.

Kontaktuar nga Gazeta Fjala, zyrtarë nga komuna e Prishtinës kanë thënë se projekti i ndërtimit të këtij sheshi është pezulluar nga Kuvendi i Kosovës.

“Projekti i rregullimit të sheshit “Adem Jashari” ka mbetur pezull, sepse gjysma e sheshit është pronë e Kuvendit të Kosovës dhe ata nuk e kanë dhënë pëlqimin që sheshi të rregullohet dhe kësisoj e kanë pezulluar projektin”, ka thënë Erzen Vraniqi nga zyra për informim në komunën e Prishtinës.

Ndërkohë që sekretari i Kuvendit të Kosovës, Ismet Krasniqi, nuk dëshiron të japi detaje se deri ku ka arritur çështja e ndërtimit të këtij sheshi. Krasniqi thotë se kjo cështje është ende në procedurë.

Pyetur se kur pritet një vendim lidhur me këtë gjë, Krasniqi ka hezituar që të jap më shumë detaje.

“…nuk mund te paragjykoj se kur mund te përfundojnë procedurat”, ka thënë ai.

OVL e UÇK-së: Familja e Jasharajve nuk e meriton një trajtim të tillë

Ndërkohë që përfaqësuesi i organizatave të dala nga lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), thonë që zvarritja për jetësimin e projektit për ndërtimin e lapidarit të Adem Jasharit, ka ardhur si pasojë e neglizhencës së institucioneve përgjegjëse për ndërtimin e tij.

Xhavit Jashari nga kjo organizatë ka thënë për Gazetën Fjala se OVL e UÇK-së,  ka thënë se familja e Jasharajve nuk e meriton një trajtim të tillë nga shteti.

“..ka shumë vite që jemi duke e pritur atë lapidar. Nuk e di pse ka shkuar kaq gjatë vetëm se familja e Jasharajve nuk e meriton një trajtim të tillë”, ka thënë Jashari.

Ai ka bërë të ditur se ka shumë kohë që organizata që ai e udhëheqë ka bërë kërkesë për ndërtimin e shtatores së heroit.

“Ne kemi bërë kërkesë në komunën e Prishtinës dhe tek institucionet gjegjëse  që edhe heroit kombëtar që dha jetën për këtë kombit t’i ndërtohet një lapidar. Është përgjithësi dhe neglizhencë e institucioneve tona mos jetësimi I këtij projekti”, ka thënë Xhavit Jashari.

Projekti ka mbetë vetëm në letër

Ndërkohë që ndërtimi i këtij sheshi ishte marrë me entuziazëm nga kreu i komunës së Prishtinës, Shpend Ahemti.

Ai disa herë ka propozuar projekte për këtë shesh të cilat madje i ka dikskutuar edhe me qytetarët e komunës së Prishtinës.

Në shkurt të vitit të kaluar, Ahmeti kishe paraqitur para qytetarëve rreth 20 projekte projekte për gjelbërimin e hapësirave të pashfrytëzuara.  dhe se paraprakisht ato janë duke u diskutuar me qytetarët, para se të kalojnë në fazën e realizmit.

Edhe presidenti i tanishëm, Hashim Thaçi në kohën sa ishte zëvendës në qeverinë Mustafa pati deklaruar se për ndërtimin e këtij sheshi Kuvendi dhe Qeveria do të kontribuojnë  financiarisht.

“Ne duhet të kemi një qartësim se a është projekt investiv apo është projekt i ideuar për heroin Adem Jashari. Nëse është projekt për ndërtimin e sheshit Adem Jashari atëherë Kuvendi dhe Qeveria duhet të japin mbështetje. Mendoj që duhet dhënë afat Komunës, për të na sjellë një projekt të detajuar dhe më pas ne do ta mbështesim atë fuqishëm”, ka thënë Thaçi.

Ndërkohë që kritike lidhur me këtë proces është shprehur edhe deputetja e kuvendit të Kosovës nga rardhët e PDK-së, Ganimete Musliu. Ajo pati thënë se është turp që në Prishtinë nuk ka ende shtatore të komandantit Adem Jashari. /GazetaFjala/

Kështu do të duket sheshi "Adem Jashari" në Prishtinë (FOTO)

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/analiza/veseli-e-ahmeti-nuk-e-duan-adem-jasharin/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala