Vendimi pa efekt

Autori:Gazeta Fjala

Pakoja e re fiskale e aprovuar nga Qeveria e Kosovës në muajin mars, vazhdon të cilësohet nga zyrtarët qeveritar si njëra nga arritjet më të mëdha ekonomike të vitit të parë të qeverisjes Mustafa.

Por, strategjia që ndër të tjerash parashihte uljen e çmimeve të ushqimeve bazë si pasojë e uljes së TVSh-së, ka dhënë fare pak efekte në praktikë.

“As buka as asgjë tjetër hiç nuk është liru. Njejtë janë si gjithherë. Unë nuk e di se cfarë ndryshime ka bë qeveria”, thotë Driton Salihu, student që banon në Prishtinë.

Sipas tij, edhe pse tarifat e studimeve janë ulur viteve të fundit, jeta në Prishtinë vazhdon të jetë shumë e shtrenjtë.  Ai ankohet sidomos për mjetet e shumta financiare që i shpenzon për ushqim gjatë një javë sa qëndron në Prishtinë.

Qeveria e Kosovës më 24 mars kishte vendosur që të ulë në 8 për qind normat e TVSh-së për  kategori të produkteve si buka, mielli, orizi, qumeshi vezët, por edhe për furnizimet me shërbime publike si energjia elektrike, ngrohja dhe për barna dhe instrumente mjekësore.

Por, kur janë bërë disa muaj që kur kjo pako ka hyrë në fuqi, rezultatet nuk janë të vërejtëshme.

Ibrahim Rexhepi, analist ekonomik nga Instituti për Hulutmime Sociale dhe Strategjike (STRASS) thotë se me pakon fiskale më shumë “është bërë zhurmë promocionale për punën e qeverisë se sa që realisht ka ofruar ajo”.

“Pritjet kanë qenë joreale, meqenëse ligjet e miratuara më shumë kanë synuar lehtësimin e kritereve për të bërë biznes, se sa që ato të refletkojnë në uljen e çmimeve të artikujve esencial për jetesë. Ndonesë, duhet pranuar se për një sërë artikujsh aplikohet norma e TVSh-së  8 për qind, por ajo në fakt është e padukshme për konsumatorin”, ka thënë ai.

Sipas tij, pakoja e re fiskale është duke u zbatuar pasi që shumë produkte janë liruar nga ngarkesat fiskale, por se kjo nuk është shumë e vërejtshme për buxhetin e konsumatorëve.

“Është edhe një faktor tjetër vendimtar në këtë cështje – ata janë tregtarët. Ata duhet ta kuptojnë se fitimin më të madh e bëjnë përmes rritjes së qarkullimit të mallit, përkatësisht të kapitalit, e jo përmes fryrjen së çmimeve. Me këtë çasje, pa dyshim se do te kishte edhe rënie me të madh të çmimeve”.

Muharrem Shahini përgjegjës për komunikim në Ministrin e Financave ka thënë se ndikimet e kësaj pako fiskale do të vijnë gradualisht.

“Sa i përket çmimeve të produkteve ushqimore, besojmë që do të reflektohen në mënyre graduale, ku çmimet i rregullon vet tregu i konkurrencës”, i ka thënë ai Gazetës Fjala.

“Për ketë arsye gjithsesi se këto ndryshime do të reflektohen edhe në çmimet e të gjitha  produkteve të tjera që janë subjekt i përshkallëzimit të TVSH-së”.

Në qershor të këtij viti, Instituti GAP kishtë bërë një analizë të ndikimit të reformës fiskale në buxhetin familjar.

Në analizën “Efektet Ekonomike dhe Buxhetore të Reformave Fiskale 2015″, thuhet se ndryshimet që do t’i pësojë Tatimi mbi Vlerën e Shtuar pritet të sjellë rritje të çmimeve në shportën e konsumatorit.

“Rritja e TVSH-së në shumicën e produkteve nga 16 në 18 për qind, duke i mbajtur faktorët tjerë të izoluar, pritet të sjelle rritjes të çmimeve në shportën e konsumatorit dhe të rrisë të hyrat buxhetore”, thuhet në analizë.

Sipas Institutit GAP, e gjithë ky ndryshim fiskal ishte bërë me kërkesë të Fondit Monetar Ndërkombëtar të cilët kishin rekomanduar që pas rritjes së pagave prej 25 për qind të punonjësve në sektorit publik, të bëhet balancimi i shpenzimeve buxhetore me të hyrat.

Reforma fiskale e miratuar nga Qeveria Mustafa është e para që nga shpallja e pavarësisë së Kosovës në vitin 2008./Gazeta Fjala/

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/analiza/vendimi-pa-efekt/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala