Veç dy kosovarë i plotësuan kriteret për punësim në Zvicër

Autori:Zekirja Shabani

Kosovarët janë të papunë, por nuk i plotësojnë kriteret e kërkuara as kur u jepet mundësia të shkojnë në punësim sezonal.

Vetëm dy kosovarë kanë shkuar në punësim të rregullt jashtë vendit gjatë vitit 2014. Fatlumët, që Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale (MPMS) ka arritur t’i dërgojë në Zvicër, kanë shkuar të bëjnë punë praktike në bujqësi.

“Nga të gjithë kandidatët që kanë konkurruar, vetëm dy i kanë plotësuar kriteret”, ka treguar për  Gazetën Fjala, Musa Demiri, zëdhënës i MPMS.

Bujqësia, të cilin sektor qeveria e Kosovës e ka vlersuar si promotor të zhvillimit ekonomik, në bazë të kësaj del se ka deficit të punëtorëve.

Njohësit e ekonomisë thonë se Kosova nuk ka kuadro të përgatitur për tregun evropian.

Alban Zogaj, nga Instituti për hulumtime zhvillimore “Riinvest” thotë se gjithnjë varet për çfarë kërkesa edhe për cfarë punë bëhen marrëvëshje mes institucioneve të vendit dhe shteteve që kërkojnë punëtorë sezonal.

Por, sipas tij, Kosova mund t’i ofrojë tregut evropian vetëm punëtorë për punë që nuk kërkojnë kualifikime të larta, por më shumë punë specifike.

“E kam fjalën per mjeshtër në ndërtimtari, punë fizike, apo punë tjera të cilat nuk kërkohet kualifikim i lartë”, thekson Zogaj.

Sipas tij, Qeveria e Kosovës duhet sa më parë të orientohet drejt shkollave profesionale dhe të përgatis për treg të punës punëtorë specifik.

“Duhet me fillu disa trajnime sa më parë me trajnime specifike për të përgatitur kuadro për treg”, thotë Zogaj.sipas tij, me diplomat që marrin në universitete e Kosovë, qytetarët vështirë gjejnë punë në vend dhe jashtë tij.

“Në universitete, me diploma jemi tu prodhu shumë menaxher e jursitë që e kanë problem me u kyq në tregun vendorë dhe ndërkombëtar”, është shprehur Zogaj.

Arsyetohet ministria

MMPS arsyetohet se kriteret nuk u plotësuan pasi ishte kohë pushimesh, afati ishte shumë i shkurtër dhe i kufizuar vetëm për studentët e rregullt të Fakultetit të Bujqësisë, sikurse kërkesa për njohje të gjuhës gjermane.

Ngushëllim ministria gjen në dërgimin edhe të disa punëtorëve tjerë.

“Janë në pritje që të shkojnë edhe 10 kandidatë për punë praktike në infermieri po në Zvicër”, tha Demiri.

Ishte propaganduar shumë si mundësi e zbutjes së papunësisë, por kjo ministri deri tash ka vetëm dy marrëveshje për punësim sezonal, dhe ato nuk janë në nivel shtetor, ku do të përfshiheshin të gjitha kërkesat.

Sa i përket shkuarjes eventuale në vendet e Bashkimit Evropian, kjo nuk mund të ndodhë. Nuk ka marrëveshje, dhe as që mund të ketë në një të ardhme të afërt.

“MPMS ka vetëm dy marrëveshje për punësim stinor; një është me Arimpus në Zvicër dhe tjetra me Ministrin e Punëve të Jashtme ku MPJ ka një marrëveshje me Qendrën për Përkujdesje të Personave të Moshuar në Cyrih”, tha Demiri.

Ministria e Punës nuk ia ka arritur të zgjerojë gamën e profesioneve. Përfitues mund të jenë inxhinierët e ardhshëm të bujqësisë apo kujdestarët e personave të moshuar.

“Ka shumë profesione që kërkohen për punësim stinor, por momentalisht ne i kemi vetëm dy- infermieri dhe bujqësi”, tha Demiri. Aplikimi duhet të bëhet strikt sipas rregullores së Arimpusit, kur bëhet fjalë për bujqësinë.

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/analiza/vec-dy-kosovare-i-plotesuan-kriteret-per-punesim-ne-zvicer/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala