“Vdekja” e fabrikave nga privatizimi

Prishtina kishte 26 fabrika deri në vitin 2000. Tani më shumë se gjysma e tyre nuk janë funksionale.
Bashkë me ndrrimin e pronarëve, në procesin e privatizimit, ato janë shuar dhe në shumë raste nuk u gjenden as themelet.
Kështu ka ndodhur në tërë Kosovën me ndërmarrjet shoqërore që dikur punësonin mbi 61 mijë persona.
Sipas të dhënave të Agjencisë Kosovare të Privatizimit prej viti 2002 kur ka filluar procesi i privatizimit në Kosovë, në të gjitha qytetet, janë shitur 143 fabrika në mesin e mijëra ndërmarrjeve tjera.
Njohësit e ekonomisë vlerësojnë se ky proces më shumë ka shuar ndërmarrje se që ka ndihmuar në zhvillimin ekonomik të vendit.
Agron Demi nga Instituti për Hulumtime Zhvillimore – GAP, ka thënë se procesi i privatizimit të ndërmarrjeve shoqërore nuk ka dhënë ende ndonjë ndikim të madh në ekonomi.
“Është vetëm një numër i vogël i ndërmarrjeve të cilat janë privatizuar suksesshëm, pjesa më e madhe e ndërmarrjeve janë shitur si prona dhe rrjedhimisht përdoren si prona për ndërtim banesor apo objekte hoteliere”, ka deklaruar Demi për Gazetën Fjala.
Njohësi i çështjeve ekonomike thotë se privatizimi më shumë është pa si proces i transferimit të pronësisë nga publikja në private, se sa si metodë e zhvillimit ekonomik.
600 milionë në Fondin e Mirëbesimit
Në raportin e shitjeve të Agjencisë Kosovare të Privatizimit thuhet se numri i aseteve të shitura gjithsej është 1 mijë e 293 ndërrmarrje tek 1,293 blerës. Ky numër i përfshin të gjitha fabrikat, lokalet, tokat, tregjet, zyrat e pasuri tjera si me spin-of të rregullt ashtu edhe me atë special.
Nga të gjitha këto janë mbledhur në Fondin e Mirëbesimit mbi 600 milionë euro.
Në bazë të qyteteve, Prishtina prinë me numrin më të madh të ndërmarrjeve të shitura në procesin e privatizimit.
Kryeqyteti i Kosovës në të gjitha valët e deritashme të privatizimit ka shitur 166 firma i pasuar nga Prizereni me 114 firma te shitura pastaj me 111 firma të shitura renditet Peja.
Ndërkaq, 99 firma janë shitur në Ferizaj ndërsa me 80 firma të shitura renditet Gjilani dhe pas tij vjen Gjakova me 70 firma te shitura.
Në vitin 2003 procesi i privatizimit startoi me vetëm 4 ndërmarrje të shitura në vlerë 1.6 milionë euro.
Ndërkaq vlera më e madhe e shitjheve u arrit në vitin 2006 ku nga 150 ndërmarrje të shitura u mblodhën 178 milionë euro në Fondin e Mirëbesimit.
Kosovarët blerësit kryesor të fabrikave
Fabrikat, tokat bujqësore e pasuria tjetër, sipas të dhënave të AKP-së më së shumti është blerë nga biznesmen kosovarë.
Të dhënat e shitjeve tregojnë se shuma e parave që kanë derdhur biznemenë nga Kosova në këtë proces është rreth 560 milionë euro.
Pas Kosovës renditet Zvicra me një shifër blerëse prej rreth 32 milionë euro.
Me dy milionë euro më pak se Zvicrra renditen biznesmenët nga Greqia, të cilët në procesin e privatizimit kanë blerë pasuri në vlerë 30 milionë euro.
Por në listën e blerësve nuk mungojnë as ata nga Gjermania, Sllovenia, Austria, Belgjika, Dubai, Turqia, Shqiperia, Maqedonia, Japonia e vende tjera./Gazeta Fjala/
(Natyra Rushiti)