Vazhdojmë të eksportojmë para

Autori:Avdyl Pajaziti

Produkti që më shumti e eksporton Kosova është paraja! Kjo është edhe më e qartë kur kemi parasysh se për 100 euro që eksportojmë marrim vetëm 13,4 euro. Një shpërputhje të këtillë nuk mund ta përballoj asnjë ekonomi.

Ndonëse ka pasur rënie të deficitit tregtar që nga viti i kaluar, ai vazhdon të mbetet i lartë dhe njëri prej problemeve kryesore për ekonominë e vendit.

Agjencia e Statistikave të Kosovës ka publikuar të dhënat e për shkëmbimet tregtare për muajin gusht , ku tregohen shifrat se për periudhën janar-gusht deficiti tregtar ka qenë 1,4 miliardë euro. Ndonëse ai është i njëjtë me deficitin shënuar në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, ai mbetet i papërballueshëm. Ndërkaq, i vetmi ndryshim pak sa më i mirë mbetet përmirësimi i shkallës së mbulesës së importit me eksport. Përderisa vjet në fund të gushtit ishte 12,8 për qind, sivjet u rrit në 13,4 për qind.

Sipas ASK-së, për tetë muajt e sivjetmë janë eksportuar mallra në vlerë mbi 226 milionë euro, ose 8,6 për qind më shumë se një vit më parë. Ndërkaq, importi ishte afër 1,7 miliardë euro, përkatësisht 4,3 për qind më i lartë se në periudhën janar-gusht të vitit të kaluar.
Zhvillimet më shqetësuese ndodhën gjatë muajit gusht. Këtë muaj eksporti ishte 28,3 milionë euro, ose 14,4 për qind se një vit më parë. Importi në një shumë të përgjithshme 245,2 milionë euro u rrit 1,5 për qind më shumë se në gushtin e vitit të kaluar.

Ibrahim Rexhepi, drejtor ekzekutiv i Qendrës për Hulumtime Strategjike e Sociale-STRAS, thotë se nuk është befasi deficiti i lartë tregtar, dhe se problemet kryesore të kësaj gjendje janë niveli i ulët i zhvillimit ekonomik dhe politikat të cilat i udhëheqë qeveria.

“Nuk është për t’u befasuar. Deficiti tregtar do të vazhdojë të jetë i lartë, deri në momentin kur Kosova nuk ka ndonjë ofertë më të madhe për treg, si për nga vëllimi, ashtu edhe për nga llojllojshmëria. Do të thotë se për deficitin e lartë problem numër një është niveli i zhvillimit ekonomik. Tregu, ka nevojë për produkte të ndryshme, të gjitha llojeve, prandaj nëse ato nuk vijnë nga vendi, gjithsesi se duhet të importohen. Sot. Kosova nuk ka prodhim, por as eksport”, thotë ai.

Sipas tij , në këtë fushë, nuk pritet që shpejt të ndodhin ndryshime. Këtë e dëshmon gjendja në buxhetin e shtetit dhe politikat fiskale që udhëheqë qeveria. Arka e shtetit për një kohë të gjatë do të mbushte nga kufiri, që do të thotë se qeveria është e interesuar të ketë import të lartë.

“Problemi qëndron edhe te politikat makrofiskale që i udhëheq qeveria e Kosovës. Nëse kemi parasysh strukturën e të hyrave në buxhetin e shtetit, atëherë del e qartë se qeveria është e interesuar që të importohet sa më shumë, meqenëse në këtë mënyrë ka të hyra të sigurta në buxhet, nga taksa doganore dhe nga TVSH-ja e mbledhur në kufi. Pra, ajo nuk ka guxim te mbështetet në burimet vendore. E para, meqenëse e din se struktura e të hyrave nuk mund të ndërroj shumë shpejt, dhe, tjera, Administrata Tatimore e Kosovës ende nuk ka kapacitete të mjaftueshme që të identifikoj të gjithë obliguesit tatimor, dhe në këtë mënyrë të rris të hyrat. Prandaj, problemi kryesorë nuk qëndron te tregu, por te politikat që udhëheq qeveria”, përfundon ai në deklaratën për Gazeta Fjala”.

Ndërsa, Berat Thaqi, hulumtues në Institutin GAP, thotë se ulja e deficitit tregtar është rrugë e gjatë, për të cilën duhet të angazhohen të dyja sektorët, si ajo publike, poashtu dhe ajo private.

“Ulja e deficitit tregtar është proces i gjatë dhe i vështire ngase përfshinë shumë sektorë të administratë publike dhe sektorin privat gjithashtu. Kur jemi tek sektori publik ulja e deficitit përfshinë masa nga më të ndryshme siç janë: ulja e korrupsionit, ulja e informalitetit, rritja e cilësisë së arsimit, furnizimi i rregullt me energji dhe ulja e çmimit të saj, ulja e barrierave jo-tarifore nga vendet tjera etj. Në anën tjetër, sektori privat duhet të investojë fuqishëm në rritje të efiqencës duke investuar në teknologji dhe hulumtime, përmirësuar hulumtimin e tregut dhe marketingun etj”, shprehet Thaqi për Gazetën Fjala.

Thaqi ka edhe propozime konkrete se si mund të ndryshoj kjo gjendje. Madje, ai ka edhe një optimizëm të matur sa i përket masave më të reja që po ndërmerr qeveria e Kosovës.

“Qeveria e Kosovës ka filluar me disa masa siç janë: Fondi për Garanci Kreditore apo reformat fiskale. Këto janë hapa pozitivë mirëpo sa do të ndikojnë në rritjen e investimeve nga sektori privat mbetet të shihet. Qeveria duhet të jetë edhe më aktive në lirimet nga tatimit, siç janë ato të akcizës, apo tatimi në import për inputet dhe makinerinë e prodhimit, sepse kjo i bën eksportet e Kosovës më të konkurrushme në rajon. Konkurreshmëria në çmime (përveç cilësisë) është njëra nga problemet kryesore që përballen eksportet kosovare. Në kuadër të përmirësimit të produkteve kosovare, Qeveria e Kosovës duhet të investojë në themelimin e inkubatorëve dhe fondeve për inovacion. Në anën tjetër, është emergjente që Kosova të përmirësojë sundimin e ligjit apo zbatimin e kontratave” , përfundon ai.

Ndonëse, marrëdhëniet politike në mes të Kosovës dhe Serbisë nuk po shkojnë drejt normalizimit, ky shtet ende mbetet partneri më i madh tregtar. Në eksportet e vendi, tregu i saj merr pjesë 13,3 për qind, ndërsa Shqipëria merr pjesë 12,4% dhe India – 9.5%. Edhe në importin e Kosovës dominojnë mallrat nga Serbia- 14,9, pastaj vjen Turqia- 9.6% dhe Kina- 8.6%, thuhet në raportin e ASK-së.

Sipas rajoneve, Bashkimi Evropian është tregu me të cilin vendi ka ndërlidhje më të madh, meqenëse në eksportin e përgjithshëm ai merr pjesë 29.9%, kurse në import -42.1%. Vendet e CEFTA-së në eksport marrin pjesë 42.5%, kurse në import- 28.8%.
Ndërkaq, sipas raportit të ASK-së, sërish del se struktura e eksportit mbetet gati se e njëjtë. Metalet dhe produktet minerale përbëjnë 56,6 për qind të eksportit, pastaj vijnë ushqimet e përgatitura,pijet dhe duhani- 8.8%, plastika,goma dhe artikuj prej tyre- 7.2%, makineritë, pajisjet mekanike dhe elektrike- 6.8%, etj.

Në import dominojnë produktet minerale- 16.5%, pastaj ushqimet e përgatitura,pijet dhe duhani -14.9%, metalet bazë dhe artikujt prej tyre- 11.0%, etj. /Gazeta Fjala/.

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/analiza/vazhdojme-te-eksportojme-para/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala