Vaji kancerogjen i KEDS-it rrezikon Prishtinën

Autori:Avdyl Pajaziti

Një vendim i drejtorit të rrjetit të KEDS-it Mehmet Koç për riparimin e transformatorëve dhe ndërrimin e vajit të tyre në tri lokacione në Prishtinë, është duke u hetuar nga institucionet përgjegjëse për shkak të dyshimeve për rrezikim të jetës së qytetarëve.

Tre transformatorët që ndodhen në qendër të Prishtines, dhe afër drejtorisë së KEDS-it kanë qenë të mbushur me vajin toksik që konsiderohet të jetë helmues, e që i njëjti është jashtë përdorimit që nga vitet 90-ta.

Zyrtarë brenda KEDS i kanë thënë Gazetës Fjala se Mehmet Koç nuk kishte përfillur rekomandimet e punëtoreve të që të mos nxirret vaji kancerogjen i këtyre transformatorëve për shkak të rrezikshmërisë së madhe, për të cilën punë KEDS nuk është i autorizuar.

“Ai ka dhënë urdhër për nxjerrje të këtij vaji me emrin PCB, duke e deponuar të njëjtin nëpër bure të cilën sot e saj dite qëndrojnë në ambient të hapur në sasi prej 1500 litrave”, i ka thënë ky zyrtar Gazetës Fjala.

Këtë e kanë konstatuar edhe hetuesit e krimeve mjedisore.

“Ky vaj nuk guxon të nxirret, por kurdo që hiqet duhet të asgjësohet nën masa të rrepta sigurie, e që ai është lënë në qendër të Prishtinës”, ka treguar ai.

Policia po e heton Drejtorin e rrjetit të KEDS-it

Më këtë rast janë të njoftuar edhe Policia e Kosovës dhe Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinorë.

“Në koordinim edhe me prokurorinë themelore në Prishtine dhe inspektorët e mjedisit të ministrisë kompetente, jemi duke i ndërmarrë të gjitha veprimet për të identifikuar të gjitha dyshimet që janë ngritur në këtë çështje”, ka thënë për Gazetën Fjala Daut Hoxha, zëdhënës i Policisë së Kosovës.

Sipas tij, veprimet në verifikimin e këtyre dyshimeve janë duke vazhduar për të grumbulluar çdo dëshmi për rastin.

“Dhe sipas te gjeturave do te njoftohet prokuroria kompetente dhe do të ndërmerren të gjitha masat ligjore”, ka thënë ai.

Ndërkaq, inspektorët e ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinorë dy herë i kanë inspektuar lokacionet ku po mbahet vaji, i cili në kontakt me ambientin dhe njerëzit shkakton rrezik për jetën.

Fadil Maxhuni nga zyra për informim e kësaj ministrie tha për Gazetën Fjala se në vizitën e parë me datë 27 janar në trafostacionin 3/35 KV/10 në Prishtinë ishte konstatuar se në këtë lokacioni gjenden 36 fuqi secila me nga 210 L.

“Vajra të përdorura që sipas zyrtarëve të KEDS janë vajra PCB”.

Sipas Maxhunit në këtë lokacion janë vendosur ato para një muaji.
“Dhe janë vendosur në vend ku nuk kanë qasje qytetarët pos personit (rojes) që është përgjegjës”, ka bërë të ditur ai.

Ndërkohë, me kërkesën e hetuesve të krimeve mjedisore, inspektoret kanë realizuar edhe vizitën e dytë me 4 shkurt.

“Me këtë rast, kami  konstatuar se gjendja e këtij vaji nuk ka ndryshuar që nga inspektimi i datës 27.01.2016, dhe meqë KEDS nuk ka gjetur ende një kompani që do t’a trajtonte këtë vaj jashtë Kosovës, nga “KEDS” SH.A, është kërkuar që të kujdeset dhe për çfardo ndryshimesh të fuqive me vajra të lajmërohen organet përgjegjëse dhe MMPH”, ka thënë Maxhuni, për Gazetën Fjala.

KEDS: Vaji është i sigurt

Nga ana tjetër, në KEDS thonë se për shkak të vjetërsisë së trafove të vjetra është dashur intervenimi dhe ndrrimi i vajit.

Por që sipas zëdhënësit Viktor Buzhala duke mos pasur në Kosovë një laborator të specializuar që mund të përcaktojë se çfarë përmbajtje ka kjo lëndë, ato janë dërguar për analiza në dy laboratorë në Itali dhe Mal të Zi.

“Ne kemi ndërmarrë edhe masat e nevojshme të sigurisë, duke e angazhuar një kompani profesionale për ta ndërruar vajin, kurse vajin e vjetër e kemi siguruar në fuqi speciale për ta evituar çdo ekspozim në ambient. Përveç kësaj kemi ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme dhe protokollare në mënyrë që askush të mos vihet në ndonjë situatë të paparashikueshme të rrezikut eventual nga ky vaj”, ka thënë Buzhala.

Sipas Buzhalës KEDS e kishte njoftuar ministrinë e ambientit për të kërkuar sqarime se çfarë duhet të bëhet me këtë vaj dhe pasi që kemi marrë instruksione tyre, kemi filluar zbatimin e udhëzimeve të tyre”, tha Buzhala.

KEDS është urdhëruar nga inspektorati që të përkujdeset per ruajtjen e këtyre vajrave deri ne destinimin e tyre për riciklim ose shkatërrim te tyre./Gazeta Fjala/

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/analiza/vaji-kancerogjen-i-keds-it-rrezikon-prishtinen/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala