Ushtri me çizme të shqyera

Autori:Gazeta Fjala

M.S (emër i njohur për redaksinë) pjesëtarë i Forcës së Sigurisë së Kosovës çdo ditë i duhet të shkoj në punë me këpucët e shqyera. Ka katër muaj që ai ka bërë kërkesë për të këpucë të reja mirëpo ai ende nuk ka marrë ndonjë përgjigje.

Ai ka katër vite që është bërë pjesëtarë i FSK-së, por asnjëherë nuk i ka ndërruar këto këpucët. Të njëjtat i mbathë në të gjitha stinët pasi janë të vetmet që i ka, shkruan Gazeta Fjala.

Derisa Forca e Sigurisë së Kosovës pretendon të bëhet ushtria e vendit pjesëtaret e saj nuk trajtohen siç e meritojnë, as në gjërat elementarë siç është uniforma.

M.S nuk është i vetmi me këtë hall, një pjesëtarë tjetër i kësaj force gjatë parakalimit me rastin e Manifestimit të “Epopesë së UÇK”-së, kishte të njëjtën pamje.

cizmet 1

Këpucët ushtarake më tepër ngjajnë në ato të “Lulit të vocërr”, se sa të një uniforme të pjesëtarëve të forcave mbrojtëse.

Ministria e Forcës së Sigurisë së Kosovës e konfirmon se ka dy vite që nuk ka pasur çizme të reja për pjesëtarët e saj.

“Për herë të fundit FSK-ja është furnizuar me çizme apo kërkesa për furnizim është bërë më datë 25.04.2014 “, tha Sejdi Elezi oficer për Marrëdhënie me Publikun në MFSK-së .

Ky institucion në muajin tetor të vitit të kaluar kishte shpallur në ritenderim fituesin për furnizim me çizme ushtarake për nevojat e FSK-së.

Kompania ‘NTP AMICI’ do t’i ofronte çizmet ushtarake për të gjithë pjesëtaret e kësaj force me shumën prej 349 mijë e 800 euro.

Sipas kontratës parashihej që për furnizim të zgjasë 24 muaj (2 vjet), shkruan Gazeta Fjala

Sejdi Elezi tha se shpërndarja e çizmeve të reja do të bëhet sipas procedurave standarde që aplikohen nëpër të gjitha njësitë.

“Kërkesa zyrtare për furnizim me çizme për të gjithë pjesëtarët është bërë dhe pritet që të bëhet edhe furnizimi i tyre për 2600 palë”, tha Elezi.

cizmet 2

Blerim Burjani njohësi i çështjeve të sigurisë tha për Gazetën Fjala se Kosova është vitale çështja e sigurimit të veshmbathjes dhe gjërave elementare pjesëtarët e Forcave të Armatosura të Kosovës.

“Kosova duhet sa më parë të themelojë FAK-un. Është interes vital për shtetin dhe paqen në rajon, çështja e veshmbathjes dhe gjërave elementare duhet të zgjidhet me investime, pra duhet ndarë buxhet për të përmirësuar dhe për te ndërtuar dinjitet në FAK”, ka thënë Burjani për Gazetën Fjala.

Ai shtoi se Kosova duhet të bëjë më shumë investime në sigurimin e gjërave esenciale për pjesëtarët e Forcave të Armatosura të Kosovës.

“…sa i përket gjërave esenciale të një ushtrie duhet të ketë pajisje dhe teknikë të nevojshme për të ndërtuar një mekanizëm të tillë ushtarak”, ka shtuar ai.

Nga ana tjetër edhe Skender Perteshi nga Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë ka thënë për Gazetën Fjala se pjesëtarët e FSK-së duhet ti kenë t’i ketë kushtet adekuate për kryerjen e veprimtarisë së tyre.

“Në bazë të ligjit Ministria dhe FSK është e obliguar që të krijoj kushte optimale për punë për pjestarët e FSK-së”, ka thënë Perteshi.

Nga ana tjetër ministria e Forcës së Sigurisë së Kosovës herën e fundit kur ka hapur tender për blerjen e veshmbathjeve “Furnizim me veshmbathje verore për stafin e kabinetit te Ministrit të FSK-së”, është dhënë në fillim të muajit prill.

cizmet 3

Pavarësisht që buxheti për Ministrinë e Forcës së Sigurisë së Kosovës (MFSK) dhe FSK-në, për këtë vit kishte rritje, ai është konsideruar jo i mjaftueshëm për nevojat e zhvillimit të kësaj force.

Shqetësime për këtë çështje, në Komisionin për Punë të Brendshme dhe Siguri, pati shprehur edhe Drejtoresha e buxhetit Drita Xheladini e Ministrisë së Punëve të Brendshme, sipas së cilës buxheti për vitin 2016  është zvogëluar për 5.59 për qind.

“Kërkesat shtesë me vlerësimet që kemi bërë pas dëgjimeve buxhetore me Ministrinë e Financave janë 31 milionë e 614 mijë euro, buxhet shtesë që është kërkuar duke e arsyetuar në bazë të misioneve dhe aktiviteteve të Ministrisë. Kërkesat shtesë që janë të domosdoshme e kanë ngritur këtë shumë të kërkesave shtesë që nuk ka mundur të hyjë në buxhetin e vlerësuar, janë të PK, uniforma për PK-në dhe janë kërkesa shtesë tek ligji për përgjimet e PK-së”, theksoi ajo. /Gazeta Fjala/

 

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/analiza/ushtri-me-cizme-te-shqyera-foto/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala