Ulja e TVSh-së po i rëndon bizneset

Autori:Gazeta Fjala

Një ndryshim i rëndësishëm por më pak i përfolur në kuadër të pakos së re fiskale që u bë vitin e kaluar nga Qeveria e Kosovës, ishte ulja e pragut për regjistrim në TVSH nga 50 mijë në 30 mijë euro.

Një vendim i tillë për uljen e pragut, parashihte rritjen e numrit të deklaruesve të TVSH-së, ku do të përfshiheshin një numer i konsiderueshëm i bizneseve, të cilat tashmë operojnë me një qarkullim në mes të këtij intervali.

Në vitin 2014 sipas të dhënave të Administratës Tatimore të Kosovës numri i bizneseve të cilat kanë paguar TVSH ka qenë 14 mijë e 560.

Ndërkaq për periudhën vjetore 2015 ky numër i bizneseve sipas ATK-së ka arritur në 16 mijë e 225, ku regjioni me numër me të madh të bizneseve deklarues del të jetë ai i Prishtinës me 7 mijë e 379 deklarues.

Kryeqytetin e përcjellë Prizreni me 2 mijë e 564, pastaj regjioni i Ferizajt 1 mijë e 490, i Pejës 1 mijë e 369 e të tjera regjione në vazhdim.

Sipas këtyre shifrave i bijë të ketë rritje të deklaruesve të TVSH-së për 1 mijë e 665.ATK 2

Instituti GAP në bazë të një analize të mëhershme për “Efektet ekonomike dhe buxhetore të reformave fiskale 2015”, kanë konstatuar së nga ulja e pragut të TVSH-së do të përfitoj vetëm buxheti i Kosovës.

“Buxheti i Kosovës do të përfitojë nga kjo ulje e pragut të TVSH-së ngase një numër më i madh i bizneseve do të detyrohen të paguajnë TVSH, mirëpo në anën tjetër kjo politikë fiskale do të rëndojë mbi bizneset e reja të cilat kanë nevojë për lehtësira fiskale dhe të cilat potencialisht krijojnë vende të reja pune”, thuhet në këtë raport të GAP-it.

Ndërkaq Berat Thaqi, po nga ky institut ka thënë për Gazetën Fjala së ndryshimet fiskale përkatësisht ulja e pragut për regjistrim në TVSH, që u bë në shtator të viti të kaluar, ka disa anë negative, por edhe pozitive.

“Ulja e pragut të TVSH-së për regjistrim të bizneseve rrit kostot administrative të bizneseve të vogla mirëpo në anën tjetër mund të ndikojë në uljen e informalitetit”, tha Thaqi.

Përkundër raportit të GAP-it, ku thuhet së politika fiskale do të rëndojë mbi bizneset e reja të cilat kanë nevojë për lehtësira fiskale, Thaqi ka shtuar së përveç këtij ndikimi negativ, pakoja fiskale përfshin edhe  një ndryshim tjetër që parasheh  largimin e TVSH-së në lëndën e parë dhe makineri, dhe kjo ka ndikimi pozitiv në likuiditetin e bizneseve dhe mund të ketë efekte pozitive në rritje të bizneseve dhe punësim.

Ndërkaq Ibrahim Rexhepi nga Organizata jo Qeveritare “STRASS”, mendon se qëllimi i qeverisë së Kosovës për pakon fiskale ka qenë zgjerimi i numrit të subjekteve të cilat i nënshtrohen TVSH-së.

“Pakoja fiskale nëe përgjithesi është në funksion të forcimit të tyre dhe krijimit të potencialit për zhvillim dhe punësim. Këtu nuk do të ndaleshe te ligji për TVSH-në, por janë masat e tjera, si pushimet tatimore, të cilat i japin një shans me shumë bizneseve fillestare. Por, për fat të keq këto masa ende nuk po implementohen për shkak të mungesës së akteve nënligjore- udhëzimeve administrative”, ka thënë Rexhepi.

“Do të thotë se në ketë skemë hyjnë edhe bizneset që tashmë janë relativisht të vogla. Bizneset  qe dikur ishin jashtë saja tash kanë mundësi të faturojnë dhe ta kthejnë TVSH-në, por njëkohësish edhe të operojnë më lehtë në treg, kur janë në pytje marrëdhëniet komerciale me palët”, ka shtuar ai duke thënë se qëllimi i pakos fiskale ka qenë forcimi i bizneseve e jo ndikimi në çështje sociale përmes uljes së çmimeve.

Çdo person i cili zhvillon një aktivitet të pavarur ekonomik,prodhim, tregti apo kryen shërbime të ndryshme në Kosovë dhe kur qarkullimi në 12 muajt e fundit tejkalon pragun prej 30,000 € duhet të regjistrohet për TVSH dhe të deklarojë atë në bazë të periudhave të caktuara tatimore.

Përveç regjistrimit të obligueshëm për TVSH, ekziston edhe regjistrimi vullnetar për personat e përfshirë në aktivitet ekonomik që kanë qarkullim nën limitin e përcaktuar 30.000 €, e të cilët nuk janë të obliguar të regjistrohen si deklarues të TVSH-së, mirëpo nëse ata dëshirojnë, mund të regjistrohen si deklarues vullnetar.

Nga momenti kur ata bëhen persona të tatueshëm në mënyrë vullnetare, i marrin të drejtat dhe përgjegjësitë si çdo deklaures i TVSH-së./GazetaFjala/

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/analiza/ulja-e-tvsh-se-po-i-rendon-bizneset/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala