Tymi i Kuvendit po e rrezikon ekonominë

Autori:Gazeta Fjala

Derisa në Kuvendin e Kosovës po vazhdojnë të shfaqen skena tymi dhe dhune, pasojat mund të jenë të dëmshme për ekonominë e vendit.  Ndërmarrës dhe njohës të çështjeve ekonomike vlerësojnë se është vështirë të mendohet së ndonjë investitor do të hapë biznesin e tij në kushte të pasigurisë politike.

Burim Piraj, pronar i kompanisë së përpunimit të mishit “Meka”, thotë se në rrethanat kur dy shtete të rëndësishem partnere, Shtetet e Bashkuara dhe Britania e Madhe, kanë kërkuar nga qytetarët e tyre që të kenë kujdes gjatë vitiztave në Kosovë, një gjë e tillë merret seriozisht edhe nga biznesmenët.

“[Kështu] Kosova vendoset në një situatë krejt tjetër dhe investitorët e interesuar në Kosovë normal që e ndryshojnë qëndrimin e tyre,” thotë ai.

Që nga fillimi i sesionit vjeshtor të punës së Kuvendit të Kosovës, tri partitë opozitare – Lëvizja Vetëvendosje, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, dhe Nisma për Kosovën – kanë pamundësuar mbajtjen normale të seancave duke hedhur gaz lotjësjellës.

Ata po kundërshtojnë marrëveshjet e arritura në Bruksel në mes të Kosovës dhe Serbisë si dhe demarkacionin me Malin e Zi. Përveç bllokimit të kuvendit, përkrahësit e tyre kanë protestuar edhe jashtë objektit, ku ka pasur edhe përleshje me forcat policore.

Vetëm të shtunën e kaluar, afër 100 persona u arrestuan në një aksion të Policisë së Kosovës brenda selisë së Lëvizjes Vetëvendosje në tentim për të arrestuar ish-liderin e këtij subjekti, Albin Kurti.

Skenat e përjavshme të arrestimeve dhe dhunës janë përcjellur me interesim edhe nga mediat ndërkombëtare me ndikim.

Safet Gerxhaliu, Kryetar i Odës Ekonomike të Kosovës, po ashtu ka ndarë shqetësimin se ngjarje të tilla politike kanë ndikim negativ në ekonominë e vendit.

“Jemi të shqetësuar për një situatë të tillë, sepse është utopike të mendohet se me këto pamje të tymosura në Parlamentin e Kosovës do të vijë ndokush të investojë në Kosovë. Mirëpo, vetëm dialogu dhe partneriteti konsultiv mund të jenë zgjidhje për të dalë nga kjo situatë,” ka thënë ai për Gazetën Fjala.

Ai ka shtuar se është koha kur duhet bërë më tepër në promovimin e vlerave, prandaj pamjet e tilla duhet t’i takojnë të së kaluarës.

Në vitin 2007, sipas të dhënave nga Banka Qendrore e Kosovës, investimet e huaja në Kosovë kishin arritur vlerën e 440 milionë eurove, derisa në shtator të vitit 2013, këto të hyra mbërritën shifrën e 205 milionë eurove, që është më pak se gjysma e shifrës së vitit 2007.

Vitin e kaluar, që u karakterizuar me ngërç politik për rreth gjysmë viti, investimet e huaja ishin afërsisht 250 milion euro.

Bazuar në një anketë ku janë pyetur rreth 1600 biznese, anëtare të Dhomave Gjermane të Tregtisë në Evropën Qendrore dhe Lindore, është kuptuar se të metat kryesore të Kosovës janë problemet strukturore burokratike, mungesa e politikave dhe strategjive ekonomike, si dhe mungesa e sundimit të ligjit.

Po ashtu bizneset e pyetura kanë rekomanduar që Kosova të përmirësojë sistemin arsimor.

Qeveria e Kosovës, nën drejtim i Isa Mustafës, e ka paraqitur si prioritet të lartë tërheqjen e investimeve të huaja në vend.

Agim Shahini, Kryetar i Aleancës Kosovare të Biznesit, i sheh si normale ngjarjet që kanë ndodhur në Kuvendin e Kosovës, pasi që sipas tij, konfirmon demokracinë në vend.

“Nëse e gjithë kjo është në kuadër të demokracisë kjo e rritë imazhin e vendit, se ekziston një zë ndryshe,” thotë ai.

Por, ai shpreson që të mos kalohen kufjitë, sepse në këtë mënyrë dërgohet mesazh i pasigurisë në vend.

“Nëse kalohen kufinjtë atëherë kjo e dëmton imazhin sepse dërgon mesazh tek investitorët se në Kosovë po ngulfatet demokracia, se këtu ka pasiguri, se këtu nuk funksionon shteti.”

Ditë më parë, Kryetari i Odës Gjermano-Kosovare, Samir Krasniqi, ka ndarë një eksperiencë të tij se si protestat ndikojnë në punën që ai bënë. Ai ka treguar se si ishte ndjerë në siklet kur jo shumë larg nga zyra e tij ku ai kishte një takim me një investitor të mundshëm gjerman, protestohej dhe kishte dhunë.

“Çfarë po u ofrojmë për momentin investitorëve të huaj të mundshëm? Pamje dhune, gaz lotsjellës, koktej molotovi, thyerje veturash, demolime, arrestime… këto janë mesazhet më të këqija që mund t’i jepen një investitori potencial,” ka thënë ai përmes një shkrimi dërguar mediave./Gazeta Fjala

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/analiza/tymi-i-kuvendit-po-e-rrezikon-ekonomine/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala