Tregtarët nuk e priten TVSH, çmimet i rriten në fillim të vitit

Autori:Avdyl Pajaziti

Gati një vit para se të hynin në fuqi normat e reja fiskale, tregtarët kishin marrë masa për shtrenjtimin e produkteve.

Disa produkte ushqimore qysh në janar të këtij viti ishin më shtrenjtë për 3.6 për qind krahasuar me vitin 2014. Rritje prej 4. 5 për qind pati edhe në periudhën e dytë të këtij viti.

Kurse, me hyrjen në fuqi të pakos së re fiskale, çmimet u shtrenjtuan edhe më shumë se që ishin paraparë.

Një kilogram sheqer që ishte 0.64 cent me normë të TVSH-së 16 për qind, tani me ndryshimin e saj në 18 për qind kushton për afro 10 cent më shumë.

“Gjatë tremujorit të dytë të vitit, komponentët e CPI-së si rryma, gazi dhe lëndët tjera djegëse shënuan rritje të çmimit për mesatarisht 4.5 për qind, pijet alkoolike dhe duhani 4.3 për qind dhe veshmbathja 1.7 për qind. Me rritje prej 0.7 për qind u karakterizuan edhe çmimet e ushqimit dhe pijet joalkoolike të cilat përfaqësojnë rreth 40.9 për qind të shportës së konsumatorit kosovar”, ka bërë të ditur Banka Qendrore e Kosovës.

Ndërkaq, sipas një analize të Institutit GAP çmimi i këtij produkti do të duhej të lëvizte vetëm për një cent.

GAP kishte parashikuar dy muaj para se të hynin në fuqi ndryshimet e reja fiskale se mishi si produkt i rëndësishëm ushqimor pritet të shtrenjtohet në mesatare për 9 cent për kilogram. Ndërkaq, produktet tjera ushqimore, patatet, domatet, fasulet, kafja, çaji, të cilat pritej të shtrenjtohen maksimumi deri në 17 cent për kilogram kanë shkuar deri në 25 cent në shumicën e dyqaneve në Kosovë, shkruan Gazeta Fjala.

Bashkë me produktet elementare të shportës së konsumit së fundmi, janë rritur edhe çmimet e produkteve të luksit si cigarja dhe birra për dyfishin e çmimit për shkak të ndryshimit të akcizës në këto produkte.

Sipas parashikimeve të GAP nëse një qytetar deri më tani ka paguar 24 centë akcizë për një litër birrë, nga tani ai do të paguajë 39 centë që është një rritje prej 60për qind, ndërsa për një pako cigare do të paguajë 6 centë më shumë vetëm nga rritja e akcizës plus katër cent nga rritja e TVSH-së (gjithsejtë 10 cent më shtrenjtë).

Efekti i ndryshimit të TVSH-se në çmime

dokiiiii

Ministri i Financave, Avdullah Hoti, ka thënë se pakoja e re fiskale është pritur mirë nga bizneset dhe odat ekonomike. Ai ka përmendur se është ulur TVSH-ja për produktet esenciale, është hequr TVSH-ja për importin e të gjitha makinerive prodhuese, lëndëve të para që përdoren në prodhim dhe për teknologjinë informatike.

“Pakoja e re fiskale, që ka hyrë në fuqi nga 1 shtatori, po pranohet gjerësisht nga bizneset dhe nga odat ekonomike si një reformë që do të prodhojë efekte pozitive, si për qytetarët me të ardhura mesatare dhe të ulëta ashtu edhe për promovimin e investimeve”, ka thënë Hoti.

Kurse, biznesmeni dhe deputeti i Kuvendit të Republikës së Kosovës nga radhët e partisë në pushtet, PDK, Ramiz Kelmendi, ka reaguar përmes një shkrimi të radhës pas ndryshimeve të reja fiskale që kanë hyrë në fuqi nga 1 shtatori.

Kelmendi rekomandimet e veta në këtë drejtim i kishte shfaqur shumë më herët në paraqitjet e tija mediale por edhe në Kuvendin e Kosovës. Me shembuj konkret, Kelmendi ka shfaqur në shkrim, avancimet dhe ngecja nga ky ndryshim i cili sjellë trend të ri për qytetarin.

“Zvogëlimi i normës së tatimit nga 16% në 8% për produktet esenciale siç janë buka, mielli, vaji, kripa, qumështi, rryma, uji dhe disa të tjera, janë shumë me ndikim në kualitetin e jetës për qytetarët e papunë dhe ata me të ardhura të vogla si edhe për çdo qytetarë tjetër. Nga kjo edhe Buxheti i Republikës së Kosovës do të grumbulloj më pak të hyra, për 50 milionë euro në vit”, ka thënë Kelmendi.

Në anën tjetër sipas tij, rritja e normës së tatimit nga 16% në 18% është një rritje domethënëse që ndikon dukshëm në standardin e konsumatorit për arsye se si e tillë, kjo rritje do të krijoi të hyra në buxhetin e Kosovës me mbi 120 milion euro në vit.

Ndërkohë, drejtori i Administratës Tatimore të Kosovës, Nahit Sharku, në një konferencë të mbajtur të premten, ka thënë se pakoja e re fiskale, do t’u mundësojë të gjitha bizneseve që të dalin në treg me çmime më të lira dhe më konkurruese.

“Mbi 90 për qind e të gjitha kërkesave që janë bërë për 15 vjet nga komuniteti i biznesit, janë futur brenda kësaj pakoje fiskale. Ishte kërkesa e vazhdueshme e sektorit të biznesit që të kemi lirime në importimin linjave të prodhimit dhe makinerisë dhe këtë e kemi në pako, ishte kërkesa që të kemi lirime në importin e lëndës së parë edhe këtë e kemi dhe të sqaruar shumë mirë brenda ligjit”, ka sqaruar Sharku. /Gazeta Fjala/.

 

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/analiza/tregtaret-nuk-e-priten-tvsh-cmimet-i-rriten-ne-fillim-te-vitit/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala