Tre opsionet për Prishtinën

Autori:Gazeta Fjala

Qeveria e Kosovës po e shqyrton seriozisht mundësinë që Prishtina të ndahet nga komunat tjera. Kryeqyteti, po planifikohet që të ketë status dhe organizim të veçantë, i cili krijon bazë të qëndrueshme ligjore të funksionimit dhe organizimit në raport me njësitë tjera të vetëqeverisjes lokale.

Ministria e Adminitratës dhe Pushtetit Lokal ka nxjerrë draft konceptin që i hapë rrugë  projektligjit për Prishtinën, dokument ky i miratuar nga ekzekutivi me 12 nëntor.

Gazeta Fjala, ka siguruar këtë dokument, në të cilin kjo ministri ka paraparë tri opsione, në të cilat mund të bazohej hartimi i projektligjit.

Opsioni i parë është ruajtja e status quo-së, përmes së cilit nuk parashihet asnjë ndryshim, opsioni i dytë është nxjerrja e ligjit të ri. Ndërsa opsioni i tretë, i cili edhe është cilësuar si opsion i rekomanduar, është ndryshimi i qasjes ekzistuese të zbatimit, shkruan në këtë dokument.

Si do të organizohet kryeqyteti?

Me ruajtjen e status quo-së, Prishtina trajtohet si njësi e vetëqeverisjes lokale e barabartë me të gjitha njësitë tjera të vetëqeverisjes lokale në Republikës së Kosovës.

“Kjo ndikon në organizim jo të qëndrueshëm dhe funksional marrë për bazë specifikat“, shkruan në dokument.

Me opsionin e dytë, Prishtina trajtohet si njësi e vetëqeverisjes lokale me status dhe organizim të veçantë brenda territorit administrative aktual të komunës.

E sipas MAPL-së kjo ndikon në dekoncentrim të ofrimit të shërbimeve publike bazuar në kërkesat të cilat pranohen nga qytetarët e përhershëm dhe jo të përhershëm në kryeqytet.

“Megjithatë edhe opsioni i dytë nuk i përgjigjet në tërësi specifikave që ka kryeqyteti veçanërisht në fushat dhe kompetencat shtesë që duhet ushtruar si njësi e veçantë e vetëqeverisjes lokale”, shkrun tek analiza e opsioneve.

Prishtina do të trajtohej si njësi e veçantë e vetëqeverisjes lokale në aspektin organizativ dhe funksional, sipas opsionit të tretë.

Bazuar në këtë opsion të rekomanduar normohet statusi dhe organizimi i veçantë i kryeqytetit i cili krijon bazë të qëndrueshme ligjore të funksionimit dhe organizimit të veçantë të kryeqytetit në raport me njësitë tjera të vetëqeverisjes lokale.

Sipas MAPL-së ruhet sistemi një-shkallësh i vetëqeverisjes lokale në tërë territorin.

“Ky opsion definon adresën e qartë të përgjegjësit për të gjithë qytetarët të përhershëm dhe atyre që janë vendosur përkohësisht”, shkrun tek analiza e opsioneve në këtë dokument.

Gazeta Fjala ka kërkuar nga komuna e Prishtinës një koment rreth këtij draft koncepti, mirë ende nuk ka marrë përgjigje.

Çka do të rregullohet në Prishtinë?

Hartimi i këtij koncept dokumenti është paraparë edhe në planin e punës së qeverisë dhe është obligim që del nga Kushtetuta e Kosovës.

Gjatë hartimit të koncept dokumentit thuhet se janë trajtuar aspekte të përgjithshme siç janë definimi i problemit, çështjet që duhet të adresoj koncept dokumenti, objektivat, subjektiviteti, struktura, organizimi, kompetencat si dhe burimi i financimit.

Ndërkohë që informacionet dhe gjetjet e hulumtimit janë bazuar në ekspertizën profesionale, analizën e dokumenteve relevante, raportet qeveritare dhe joqeveritare, praktikat dhe modelet rajonale dhe evropiane etj.

Ky dokument nxjerr në pah se menaxhimi i sektorëve specifik të cilët në mënyrë direkte ofrojnë shërbime shtesë për qytetarët, vazhdonë të sfidojnë qeverisjen efikase të kësaj komune.

Një problem në vete i kryeqytetit është menaxhimi i ndërmarrjeve publike, qofshin ato komunale apo regjionale.

Te tjera problem të evidentuara janë edhe ofrimi i shërbimeve sekondare, në aspektin e sigurisë- Prishtina ballafaqohet me nevojën për përkrahje në zbatimin e vendimeve dhe akteve komunale, derisa në lidhje me shërbimet emergjente nuk ofrohen shërbime efikase për çka rezikohet jeta e qytetarëve.

“Hartimi i projektligjit për kryeqytetin duhet t`i shërbejë qëllimit që të ofrojë zgjidhje rreth problemeve specifike që ka Prishtina si kryeqendër, si dhe opsionet për administrimin më të mirë”, thuhet në dokument.

Ditën kur ekzekutivi miratoi koncept-dokumenti për kryeqytetin e Kosovës Prishtinën, kryeministri i Kosovës Isa Mustafa tha se faza përgatitore e Ligjit për Prishtinën do të përfshijë shumë njerëz, pasi është folur shumë për ligjin për kryeqytetin.

“Ju e dini se është biseduar gjatë lidhur me Ligjin  për Prishtinën. Një herë ka qenë i përgatitur ligji, ka ardhur deri në leximin e parë në Kuvend, është kthyer prapë. Tash marrëveshja është që të aprovohet sot koncept-dokumenti, pastaj mbi këtë koncept-dokument të punohet në hartimin e projektligjit i cili do të procedohet më tutje,” tha Mustafa.

Para aprovimit përfundimtarë të koncept-dokumentit është e nevojshme konsultimi i institucioneve që mbulojnë vetë-qeverisjen lokale, përfshirë institucionet shtetërore, institucione publike si dhe organizatat e shoqërisë civile. /Gazeta Fjala/

Koncept dokumenti vjen si nevojë e rregullimit të statusit dhe organizimit të kryeqytetit në bazë të provizioneve të përcaktuara me kushtetutën dhe ligjin për vetëqeverisje lokale.

Neni 13 i Kushtetutës së Republikës së Kosovës dhe Ligji për Vetëqeverisje Lokale parashohin që statusi i kryeqytetit të rregullohet me ligj të veçantë. Pasi që në mungesë të këtij ligji Prishtina vazhdon të funksionon ngjajshëm më të gjitha komunat tjera.

Kurse kjo mënyrë e funksionimit të Prishtinës nuk i mundëson asaj adresimin efikas të objektivave dhe sfidave.

 

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/analiza/tre-opsionet-per-prishtinen/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala