Tetë vjet “të zeza”

Autori:Zekirja Shabani

Më shumë se çereku i kosovarëve çdo natë bien në gjumë me barkun bosh. Tetë vjet nga bërja e Kosovës shtet, varfëria, papunësia, haraqi, korrupsioni e mos zbatimi i ligjit janë sfidat kryesore të qytetarëve që tani janë më të paktë në numër nga që ishin në vitin 2008.

Kosova ka 1.8 milion banorë, nga 2.2 sa kishte zyrtarisht para shpalljes së pavarësisë derisa gati gjysma e tyre janë të papunë.

Të gjithë, në vitin 2016, paguajnë më shtrenjtë për energjinë elektrike, për ushqim dhe  veshmbathje, shkruan Gazeta Fjala.

Të dhënat zyrtare tregojnë se Kosovën për tetë vjet e kanë braktisur më shumë se 100 mijë banorë ndërsa e kanë harruar investitorët e huaj dhe në mungesë të kushteve për të bërë biznes  edhe afaristët vendës po ikin në rajon.

Tetë vjet më parë kur kishin filluar përgatitjet për të shpallur Kosovën shtet të pavarur, pritjet e kosovarëve ishin se me formimin e shtetit të ri, jeta e tyre do të ndryshonte për të mirë, raporton Gazeta Fjala.

Por, institucionet për këtë periudhë nuk kanë arritur të heqin varshmërinë e vendit nga importi dhe të krijojnë mundësi për zhvillim ekonomik që do të përmirësonte jetën e qytetarëve.

Rryma më e shtrenjtë

Në vitin 2015 në bazë të statistikave vjetore të publikuara nga Zyra për Statistika e Komisionit Evropian Eurostat, Kosova rangohej ndër vendet me çmimin më të ultë të energjisë elektrike në rajon në kategorinë e amvisërisë.

Por energjia elektrike, të cilën e paguajnë qytetarët është shtrenjtuar dukshëm për tetë vite shtet.

Në bazë të çmimeve të energjisë të përcaktuara nga Zyra e rregullatorit të Energjisë në vitin 2008 qytetarët që shpenzojnë nga 200 deri në 600kwh kanë paguar për tarifën e lartë verore 4.49 euro për kwh.

Ndërkaq në vitin 2015 për të njëjtët kilovat të shpenzuar ata është dashur të paguajnë 5.51 euro, shkruan Gazeta Fjala.

Më shumë qytetarë në borxh

Tetë vite më parë kosovarët kishin depozituar 1.3 miliard euro në bankat komerciale, ndërkaq tani kanë 2.5 miliard euro.

E kreditë e qytetarëve në vitin 2008 ishin 1.1 miliardë euro, ndërsa në vitin 2016 ata kanë hyrë me 2 miliard euro borxhe ndaj bankave komerciale në vend.

Norma e interesit në depozita në atë kohë ishte 4.4 për qind derisa në vitin 2016 kjo normë ka rënë në 1.2 për qind.

Më pak investime të huaja

Investimet e Huja Direkte të Kosovës në vitin 2008 ishin 370 milionë euro. Ato në fund të vitit 2014 ranë 122 milionë euro. Ndryshe nga para pavarësisë investitorët e huaj duket se nuk e panë me leverdi as në vitin 2015 Kosovën për të derdhur kapitalin e tyre, pasi investuan vetëm 260 milion euro.

Madje një pjesë e madhe e tyre u larguan për shkak të korrupsionit dhe haraqit.

Afaristët sipas deklarimeve të tyre dhe përfaqësuesve të biznesit, po e preferojnë Maqedoninë dhe Serbinë më shumë se Kosovën për shkak të kushteve që u ofrohen.

Gjithashtu edhe investimet nga diaspora në këtë periudhë ishin më të vogla.

Të ardhurat nga diaspora që në vitin 2008 ishin 608 milionë euro, tetë vjet pas shpalljes së pavarësisë diaspora kosovare dërgoi rreth 100 milion më pak.

Privatizimi

Në përgjithësi, nga rreth 500 Ndërmarrje Shoqërore të privatizuara  gjatë tërë procesit të privatizimit për vite vetëm disa nga to mund të konsiderohen të suksesshme – apo së paku funksionale.

Vetëm tetë nga 26 NSh-të e shitura përmes spin off-it special kanë rezultuar të suksesshme, që do të thotë se kanë arritur të përmbushin kushtet e vëna të privatizimit.

Tetë kompanitë e promovuara si shembuj të suksesit nga AKP-ja janë ‘Ferronikeli’, ‘Kllokoti’, ‘Vreshtaria dhe Veraria Stone Castle’, ‘Hotel Theranda’,‘Trofta’, ‘M&Sillosi’, ‘Birraria Peja’ dhe ‘Hotel Nora’.5

Megjithëse njohës të cështjeve ekonomike thonë se privatizimi i ndërmarrjeve shoqërore nuk ka sjellë zhvillim ekonomik.  E shumë prona shoqërore shteti dështoi t`i privatizoj.

Trepca është larguar nga lista e privatizimit – ndërkohë që statusi i saj, vazhdon të mos jetë i definuar, edhe pse një gjë e tillë ishte premtuar nga Qeveria e Kosovës në fillim të vitit 2015, si përgjigje ndaj protestave të partive opozitare që po eskalonin në dhunë.

Megjithëkëtë ende, asnjë strategji apo ligj që do të përcaktonte fatin e Trepçës nuk është dërguar në Kuvendin e Kosovës.

Dështimi i Privatizimit të PTK-së

Procesi i privatizimit të Postës e Telekomit të Kosovës i filluar në vitin 2010 gjashtë vite pas në përvjetorin e tetë të pavarësisë e gjenë vendin në kontesti me kompaninë që ishte shpllur fituese, Axos .

Pas një procesi të gjatë të përpjekjes për privatizimin e PTK-së në prill të vitit 2013 “Axos” ishte shpallur fitues pasi kishte ofruar 277 milionë euro për blerjen e 75 për qind të aksioneve në “Vala” e Telekom.

Kishte mbetur vetëm nënshkrimi i kontratës, i paraparë për 28 dhjetorin e 2013. Privatizimi nuk ndodhi për shkak se procesi nuk mori bekimin e Kuvendit të Kosovës ku opozita . Kurse kompania ACP Axos Capital GmbH  paditi shtetin me 4 qershor 2015 në Gjykatën Ndërkombëtare për Zgjidhjen e Mosmarrëveshjeve Investive (ICSID).

Qeveria e Kosovës ndau një shumë prej 200 mijë eurosh për mbrojtje në Arbitrazh. U vendos që kompania “Patton Boggs” të jetë përfaqësuesja e saj ligjore e cila ka kërkuar të paguhet në vlerë prej 17 mijë e 700 dollarë.

Dështimi i Grand Hotel-it

Agjencia Kosovare e Mirëbesimit, paraardhësja e AKP-së, e shiti hotelin në vitin 2006 për një shumë prej 8.1 milionë euro. Ajo, atëherë e administruar nga Misioni i Kombeve të Bashkuara në Kosovë, kishte lidhur kontratë me privatizuesin “Unio Commerce”, pronë e Zelqif Berishës

AKP i mori Grandin Berishës pasi ai nuk arriti t’i përmbushë obligimet kontraktuale të privatizimit.  Pas kësaj u zhvilluan edhe beteja ligjore për Grandin.

Ndërkohë që AKP në mungesë të bordit funksional nuk ka arritur ta vë përsëri në listë për privatizim.

Privatizimi i Rrjetit të të distribucionit të furnizimit me energji elektrike.

Qeveria e Kosovës e kishte shitur KEDS-in me 9 qershor 2012 për 26.3 milion euro, për konzorciumin Limak-Calik.

Por asnjëherë përgjatë këtij procesi nuk është bërë e ditur vlera reale e aseteve dhe tregut të KEDS.

Brezovica ende nuk u bë.

Sikur shumë projekte në Kosovë, edhe ai për Brezovicën nuk po ecë siç ishte paraparë fillimisht.

Edhe pse kanë kaluar 25 muaj që nga shpallja e fituesit projekti nuk ka filluari të realizohet. Konsorciumi fracez “MDP Consulting-Compagnie des Alpes” nuk i siguroi mjetet e premtuara, por Qeveria e Kosovës i dha ende kohë ta bëjë këtë.

Premtimi për mbi 400 milionë euro investime në kompleksin turistik Brezovica nuk dihet se kur do të filloj.

Tetë vjet pa ushtri e me UNMIK

Në vitin 2008 shteti i sapo shpallur kishte Trupat Mbrojtëse të Kosovës.

Në vitin 2016 pritej të parakalonte Ushtria e Kosovës, por ajo ende nuk ekziston. Ekziston UNMIK-u, i cili 7 vjet pas pavarësisë vazhdon të jetë funksional dhe atë në bazë të Rezolutës 1244!/Gazeta Fjala/

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/analiza/tete-vjet-te-zeza/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala