Tenderët milionësh rrezikojnë vizat

Autori:Gazeta Fjala

Koalicioni qeverisës LDK-PDK të martën dështuan që të përmbushin edhe një kriter për liberalizim të vizave. Dy partitë më të mëdha në vend nuk arritën të sigurojnë numrat që të bëjnë me bord Organin Shqyrtues të Prokurimit.

Ndërkohë që në këtë seancë nuk morën pjesë deputet e tri partive opozitare Lëvizja Vetëvendosje, AAK dhe Nisma, e që ishte hera e parë që prej shtatë muajsh që blloku opozitar nuk bëri fare përpjekje që të futet në seancë.

Dështimi i kompletimit të bordit të “gjykatës së tenderëve” është duke e rrezikuar seriozisht procesin e liberalizmit të vizave.

Këtë fakt e ka pranuar edhe vet ministri i Integrimeve Evropiane, Bekim Çollaku.

Çollaku ka thënë se mos emërimi i anëtarëve të OSHP-së nga Kuvendi është lajm jo i mirë, në prag të ardhjes së misionit vlerësues për Përmbushjen e Kritereve për Liberalizimin e Vizave nga BE-ja.

“Besoj se me një komunikim më të mirë ndërinstitucional kjo çështje do të ishte përmbyllur me kohë, meqë gjatë gjithë procesit janë ndjekur procedurat e parapara ligjore dhe deputetët ishin në dijeni se funksionalizimi i OSHP-së është ndër kriteret e vetme të mbetura në këtë proces”.

“Por, duke shprehur respekt për vullnetin dhe pavarësinë në vendimmarrje të deputetëve të Kuvendit të Kosovës duhet pranuar faktin se ky vendim rrezikon të ndikojë negativisht në raportin vlerësues të këtij misioni, që pritet të vijë nesër në Kosovë”, ka thënë Çollaku.

Përderisa të martën u vë në pikëpyetje kriteri për liberalizimin e vizave, në OSHP po vazhdon të rritet numri i lëndëve të pazgjidhura.

Siç kanë treguar në këtë institucion aktualisht janë në pritje të shqyrtimit afro 70 lëndë.

“OSHP, momentalisht i ka 68 ankesa pa i shqyrtuar”, thuhet një përgjigje të këtij institucioni.

Në “Gjykatën e tenderëve” kanë bërë të ditur për Gazetën Fjala se Bordi  momentalisht i ka vetëm dy anëtar, dhe ka mungesë të kuorumit.

“…ju njoftojmë se me ligjin për prokurim publik, neni 100,  Kuvendi është përgjegjës për kompletim të Bordit. Emërimi i kryetarit dhe anëtarëve të OSHP-së”.

Bord veç për 50 mijë euro

Organi Përzgjedhës i Pavarur, që kishte intervistuar kandidatët për anëtarë në OShP-së i kishte rekomanduar Kuvendit kandidatin Berim Dina në pozitën e kryesuesit dhe Vjollca Shala-Kurtishaj për anëtare.

Por edhe pse u votua dy herë për këto rekomandime, nuk u morën votat e mjaftueshme. Në votim nuk morën pjesë deputetët e LDK-së vetëm ata të PDK-së dhe Listës Serbe.

Herën e parë morën vetëm 43 vota për, 1 kundër, ndërsa në herën e dytë 40 vota për 1 votë kundër dhe një abstenim.

Ndërkohë që qeveria fillimisht kishte propozuar gjatë kandidate për anëtarë dy prej të cilëve nga minoritetet.

Agim Shala, Vjollca Shala-Kurtishaj, Stojan Stanojkoviq, Nuhi Paçarizi, Blerim Dina dhe Mirko Simoviq ishin emrat që shpalosi qeveria.

Mirëpo dy kandidatët serb nuk ishin marrë në intervistë fare pasi që sic njoftoi nënkryetari i Kuvendit Xhavit Haliti, i cili e drejtori seancën e Kuvendit,  komisioni parlamentar për verifikimin e CV-ve të personave të propozuar për anëtar të OSHP-së kishte hequr nga lista dy propozimet.

Mirko Simoviq dhe Stojan Stanojkovic, nuk janë hedhur fare në votim pasi komisioni vlerësues ka konstatuar se nuk i kanë plotësuar kushtet që kërkohen për përzgjedhjen e anëtarëve të OSHP-së.

Pas këtij dështimi, Adem Grabovci shef i grupit parlamentar të PDK-së i kërkoi qeverisë sa më shpejtë propozimin e emrave të rinjë.

“Unë i bëjë thirrje qeverisë që në afatin sa më të shkurtër kohorë t`i bij emrat sepse kemi të bëjmë me një organ tepër të rëndësishëm, që është më e ndejshmja prandaj duhet të jenë njerëz kredibil njërës me përgatitje profesionale dhe njerëz që duhet të janë të pa ndikueshme”, tha Grabovci.

OShP momentalisht mbetet me vetëm dy anëtarët e deri tashëm, Tefik Sylejmani dhe Ekrem Salihu, pasi që në janar Hysni Hoxha dha dorëheqje nga pozita e të parit të Organit Shqyrtues i Prokurimit Publik.

Ai është i akuzuar për dy raste të korrupsionit.

Ndërkohë që Bajram Zogiani ishte shkarkuar nga Kuvendi pasi që akuzohet për trafikim me femra.

Me bordin gjysmak OShP mund të shqyrtoj vetëm ankesat e lëndëve deri në 50 mijë euro, por jo edhe tenderët milionëshe.

Gazeta Fjala raportoi edhe para dy javëve se në këtë institucion kishin arritur 60 ankesa që vazhdojnë të mbesin pa asnjë vendim. /Gazeta Fjala/

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/analiza/tenderet-milionesh-rrezikojne-vizat/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala