Telefonat kushtojnë më shtrenjtë me kupon fiskal

Autori:Zekirja Shabani

Telefonin që mori në dorë, ka mundur ta blejë më lirë po të mos e kërkonte kuponin fiskal. Një qytetari të Prishtinës, K.G, çmimi i telefonit iu rritë për 16.6 për qind, sa është edhe TVSH-ja, në momentin kur nga shitësi kërkoi faturë për mallin e blerë.

“Mobilshopat ta rrisin çmimin sapo ta kërkosh kuponin fiskal” ka thënë qytetari i Prishtinës, duke mos dashur t’i përmendet emri i plotë.

Vetë pronari i njërës nga dyqanët e telefonëve e ka pranuar shmangen nga tatimi dhe importimi përmes rrugëve ilegale të telefonëve, kryesisht të markave të reja.

“Po, është e vërtetë. Krejt ia bëjnë kështu” thotë ai.

Telefonët në tregun e zi kushtojnë hiç më pak se 27.6 për qind më lirë, sesa të blihen në mënyrë të rregullt. Pra, një model i ri i markës Samsung S6, kushton 752 euro “me letra”, ndërkaq në “tregun e zi” 590 euro. Që i bie të jetë 162 euro më i shtrenjtë sapo të futen obligimet shtetërore.

E, ky dallim i konsiderueshëm në çmim, i ka joshur edhe zyrtarët e shtetit të Kosovës. Madje edhe ata që janë të thirrur ta luftojnë informalitetin.

Sipas pronarit të dyqanit, zytar të institucioneve vijnë dhe kërkojnë telefona të padeklaruar vetëm për t’i blerë më lirë.
“Vijn policë, doganierë e këta të tatimit, edhe veç m’u bë ma lirë, të lypin mall pa letra” ka vazhduar ai.

Gazeta Fjala ka kontaktuar me Administratën Tatimore të Kosovës, e cila është përgjegjëse kryesore për fiskalizimin dhe kontrollimin e bizneseve për deklarim të të hyrave, dhe përveç retorikës së zakonshme zyrtare, nuk ka marrë asnjë përgjigje për pyetjet që janë bërë.

“Administrata Tatimore e Kosovës, bazuar ne Planin Vjetor të Trajtimit të Rreziqeve, që është një Plan Operativ, ka të angazhuar në terren inspektoret tatimor të cilët bëjnë verifikimin/kontrollimin tek të gjitha bizneset që kanë obligim ligjor të pajisen me Pajisje Elektronike Fiskale dhe të lëshojnë kuponë fiskal”, ka qenë përgjigjja e ATK-së.

Ndërkaq, Dogana e Kosovës, edhe pse e kontaktuar tri ditë me radhë nga Gazeta Fjala, ka hezituar të jap përgjigje për dyshimet e hyrjes së mallrave në mënyrë joligjore.

Gazeta Fjala, ka mësuar nga pronarët e dyqaneve të telefonave se janë rrugët përmes të cilave vijnë telefonët celularë në tregun e Kosovës.

“Rruga nga Europa është nga Hungaria, ndërkaq shumica e mallit vjen nga Dubai”.

Problemi thonë shitësit është te funksionimi i shtetit, apo siç e quajnë, “sistemit”.

“Nuk paguhet 27.6 për qind, sepse nuk mbijeton” thotë njëri nga ta, duke u ankuar në shkallën e lartë tatimore.

Bizneset në Kosovë, përveç TVSH-së që është 16.6 për qind, paguajnë edhe 11 për qind në doganë, çka e çon në 27.6 për qind barrën e obligimeve të bizneseve ndaj shtetit.

Sipas statistikave, Kosova çdo vit ka pasur rritje të numrit të përdoruesve të telefonave mobil, dhe këtë e konfirmon edhe Dogana.

Sipas të dhënave zyrtare të Doganave të bëra publike më herët, gjatë vitit të kaluar janë importuar 52.469 telefona celularë me bazë doganore prej 1.963 milionë euro. Ndërsa të hyra në buxhetin e Kosovës nga importi i tyre janë 538.383 euro.

Sipas ARKEP-it, numri i përdoruesve të telefonisë mobile në fund të tremujorit të tretë të vitit 2013 ka arritur në 1.786.622. Ndërkaq, sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës,  numri i përgjithshëm  i popullsisë që jeton në Kosovë është 1.804.944, i matur në fund të vitit 2014. /Gazeta Fjala/

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/analiza/telefonat-kushtojne-me-shtrenjte-me-kupon-fiskal/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala