Teleferikët e rrezikshëm të Brezovicës

Autori:Gazeta Fjala

Erblina Ademi vetëm gjatë kësaj sezone dimërore ka vizituar qendrën tristike të Brezovicës tre herë. Ajo është adhuruese e skijimit.  Për të pasur mundësinë që të shijojë atraksionet e kompleksit turistik ‘Brezovica”, asaj i duhej që ta përdorte teleferikun e kësaj qendre.

“Teleferikun zakonisht e shfrytëzoj çdo herë kur ta vizitoj Brevovicën. Paguaj biletën ditore me çmim rreth 18 euro të cilën e shfrytëzoj gjatë gjithë ditës. 8 deri në 9 herë hyp në teleferik”, ka thënë Ademi për Gazetën Fjala.

E janë 2 teleferikë dhe një sklifit që turistët e interesuar për atraksionin e Brezovicës mund ti shfrytëzojnë. Ndonëse në këtë ski qendër ndodhen 5 teleferikë dhe 4 skilifta, mirëpo gjatë kohës, shumica e tyre janë prishur ose nuk punojnë. Ajo dhe turistët e tjerë që gjatë sezonës së dimrit kanë vizituar pikën turistike Brezovica kanë qenë të rrezikuar nga përdorimi i teleferikut.

Kjo pasi që Ministria e Tregtisë dhe Industrisë nuk ka kontraktuar asnjë kompani për vlerësimin e sigurisë së këtyre teleferikëve.

Pyetjeve të drejtuara nga Gazeta Fjala kjo Ministri ka vendosur që t’iu përgjigjet vetëm pas përfundimit të sezonës turistike në Brezovicë.

Ndonëse pyetjet në adresë të këtij institucioni janë dërguar muaj më parë.

“…MTI-ja nuk ka të autorizuar ndonjë Trup për Vlerësim të Konformitetit (TVK) për të zbatuar procedurat e vlerësimit të konformitetit të përcaktuara në anekset e Rregullores për teleferikët për bartjen e njerëzve”, thuhet në përgjigjen e MTI-së, dhënë Gazetës Fjala.

E janë mbi 41 mijë persona që vetëm gjatë katër muajve së stinës së dimrit kanë shfrytëzuar teleferikët e Brevovicës. Drejtori i Qendrës Ski Brezovicë, Dragan Redzic, ka thënë për Gazetën Fjala se për këtë sezonë dimërore rreth 41 mijë e 870 persona/visitor në Brezovicë kanë marr biletë Ski për një udhëtim me teleferik. Një biletë për një udhëtim të tillë me teleferik kushton 3 euro, që I bie rreth 125 mijë e 610 euro ka marrë qendra “Ski Brezovicë” nga këto bileta.

Radzic shpjegon se rreth 3 mijë e 800 persona të tjerë kanë marrë bileta gjysmë ditore, ditore, tre ditore, shtatë ditore dhe sezonale dhe bileta të personelit.

Ndërkohë që Ministria e Tregtisë dhe Industrisë për këtë çështje arsyetohet me rregulloren në fuqi për teleferikët.

“MTI është në procedurë të miratimit të legjislacionit për procedurën e autorizimit të trupave për vlerësim të konformitetit të përcaktuar në nenin 13 të rregullores për Teleferikët për bartjen e njerëzve… Kjo rregullore është hartuar ne baze te të Ligjit Nr. 04/L-039″, thuhet në përgjigjen e MTI-së.

“Për Kërkesat Teknike për Produkte dhe Vlerësim të Konformitetit. Vlerësimi i konformitetit të teleferikëve dhe komponentëve te sigurisë behet para vendosjes në treg , teleferikët e ndërtuar dhe vënë në shërbim si dhe për nënsistemet dhe komponentët e sigurisë të plasuar në treg”.

E nënkryetari i komunës së Shtërpcës, Beqir Fejzullahu, ka thënë për Gazetën Fjala se që këto problem të evitohen duhet të bëhet privatizimi I kompleksit turistik ‘Brezovica”.

“me këtë do të përfitonin jo vetëm qytetarët që atë zonë por edhe turistët që do ta vizitojnë kompleksin turistik. Nëse nuk ndodh privatizimi është shumë problem”, ka thënë Fejzullahu./GazetaFjala/

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/analiza/teleferiket-e-rrezikshem-te-brezovices/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala