Të miturat kosovare, viktima të seksit

Autori:Gazeta Fjala

Asamblisti i LDK-së, Bekim Muja, javë më parë u arrestua se kishte tentuar të dhunoj një vajzë të mitur në Mitrovicë. Si ky janë me dhjetra raste tjera të raportuara në Policinë e Kosovës nga femrat se kanë qenë viktima seksuale.

Vetëm gjatë vitit 2015, janë raportuar 37 raste të dhunimeve përderisa në vitin 2014 kishin qenë 36 të tilla.

Kjo gjë po shihet me shqetësim nga shoqëria civile dhe personat që merren me trajtimin e këtyre rasteve.

Të dhënat alarmante

Të dhënat janë alarmante kur bëjet fjalë se viktimat më të shpeshta janë të mitura dhe numri i personave të keqpërdorur seksualisht nën moshën 16 vjeqare është në rritje.

Sipas Policisë së Kosovës vjet ishin raportuar, 65 raste të ngjashme, përderisa në vitin 2014 kishte vetëm 55 raste.

Përveç kësaj 19 të mitur në vitin që e lamë pas kanë krijuar familje në lidhje jashtëmartesore nga 16 sa ishin në vitin 2014.

Policia e Kosovës, ka thënë për Gazetën Fjala se janë ndërrmarrë të gjitha veprimet e nevojshme lidhur me rastet e raportuara.

“Të gjitha rastet e raportuar duke përfshirë edhe ato që kanë të bëjnë me integritetin seksual. Policia ka ndërmarrë veprimet e nevojshme duke u bazuar në procedura ligjore në konsultim edhe me prokurorinë, ndërsa vendimet lidhur me rastet merren nga organet kompetente të drejtësisë”, thonë në Policinë e Kosovës.

Për të raportuar ngacmimet seksuale, Rrjeti i Grupit të Grave të Kosovës, në bashkëpunim me Policinë dhe vajzat që kanë ndihmuar në krijimin e projektit “Girls Coding Kosova”, kanë krijuar platformën “Ec shlirë” e cila u mundëson vajzave të raportojnë edhe fërshëllimën më të vogël.

Drejtoresha e RRGGK-së, Igballe Rogova tregon për Gazetën Fjala, se arsyeja kryesore e krijimit të kësaj platforme, ka qenë që të zbulohen rastet të cilat më parë nuk kanë mundur të raportohen.

Rogova thotë se tani u mbetet Institucioneve të reagojnë.

““Na kemi qenë të shqetësuara që po ndodhin ngacmimet seksuale. Për këtë arsye kemi ba hulumtimin ku dalin në shesh këto ngacmime. Ne kemi pas qëllimin që kjo temë të bëhet publike dhe te raportohen rastet. Nuk çuditemi me numrin e raportimeve se këtë kemi zbulu gjatë hulumtimit, është me rëndesi se kjo gjë raportohet dhe nuk fshihet ma.Tani është detyrë e institucioneve të reagojnë”, ka deklaruar ajo.

Që prej muajit shkurt të këtij viti, atëherë edhe kur është formuar ky aplikacion, janë raportuar 100 ngacmime.

Prishtina dhe Ferizaji, janë qyetetet të cilat prijnë me këtë numër. Kështu tregojnë të dhënat që njëra prej vajzave nga platforma “Girls Coding Kosova”, ka dhënë për Gazetën Fjala.

“Gjithsej janë bërë rreth 100 raportime, ku 50 e më tepër janë nga Prishtina, pastaj 20 nga Ferizaji dhe nga 10 nga qytetet e tjera” tregon Dhurata Kamberi, njëra nga themelueset e kësaj platëforme.

Ajo tregon në përqindje llojet e ngacmimeve.

“Ndërkaq përqindja e llojeve të ngacmimeve që janë bërë deri më tani jane: 27.5% komentim, 11% bertima, 9.2 % prekje, 8.7% i bie borise, 11% fishkëllima dhe 6.4 % përndjekje. Aplikacionin deri tani e kanë shkarkuar 500 përdorues” ka shtuar Kamberi.

E në qendrën për promovimin e të drejtave të grave, thuhet se asnjë ngacmim i tillë nuk është raportuar.

Se duhet të ndëshkohen këto raste me ligj, mendon edhe drejtoresha për promovimin e të drejtave të grave, Kadire Tahiraj.

“Në qendrën tonë , nuk kam has në ndonjë rast te tillë. Po të kisha has në këso raste do te reagoja menjëherë. Ne nuk kemi pas mundësi të bëjmë një hulimtim te tillë. Të paktën në qendrën tonë, sa gra janë nuk më kanë informuar për ngacmime seksuale në vendin e punës. Por, këto ngacmime duhet të ndëshkohen me ligj”, është shprehur Tahiraj.

Ngacmimet mbeten pa u trajtuar

E psikologu Adem Shala, thotë se fusha e ngacmimeve seksuale ka mbetur e patrajtuar, pasi mekanizmat institucional janë të pamjaftueshëm në numër dhe kapacitete.

“Në Kosovë, ngacmimi seksual gjithnjë e më shumë është duke u përhapur si rezultat i shumë faktorëve socio-ekonomik dhe kulturore si dhe si pasojë e tranzicionit dhe globalizimit shoqërorë. Përkundër që janë hartuar shumë ligje dhe akte të tjera ligjore, përsëri fusha e ngacmimit seksual ka mbetur e pa trajtuara si duhet. Rrjedhimisht, mekanizmat institucionalë që do të luftonin këtë dukuri janë të pamjaftueshëm në numër dhe kapacitete”, ka thënë Shala.

Sipas tij për këtë ka numër të vogël rastesh të raportuara.

Edhe kur ato raportohen, Shala thotë, se faji prap u hidhet femrave me arsyetimin tek “veshjet provokuese të femrave”.

Psikologu thotë se pasojat e ngacmimit seksual mund të jenë të shumta në zhvillimin e personalitetit të viktimës sidomos tek rastet e grup moshave të reja nën moshën 16 vjeç.

“Kjo moshë është në fazën e kalimit të adoleshencës dhe për pasojë në fazën e mëvonshme mundë të shfaqën probleme të aspektit psiko-seksual të cilat mundë të karakterizohen me çrregullime nga më të lehtat e deri të paraqitja e ankthit, depresionit dhe çrregullime të personalitetit”, ka përfunduar ai.

Ngacmimet në vendin e punës

Ndërkaq, sociologu Ferdi Kamberi thotë, se ngacmimet më të mëdha ndodhin vendin e punës, përshkak të kushtëzimit me punësim dhe presioneve të tjera.

Kamberi mendon, se ngacmimi seksual është present në shoqërinë tonë përbashkak se nuk raportohen rastet nga frika e humbjës së vendit të punës.

“Ngacmimi seksual është prezent edhe në shoqërinë kosovare, megjithëse shumë raste nuk raportohen, kjo për shkak të faktorëve, si: linçimi, humbja e vendit të punës, hakmarrja, frikësimi, por edhe të faktorëve të tjerë”, thotë për Gazetën Fjala sociologu.

Sipas tij, pasojat me të cilat përballen viktimat mund të jenë të ndryshme si: pasojat psikologjike (ankthi, fobitë, stresi, depresioni,) pasojat sociale (dez – integrimi social, munga e kohezionit social, mbyllja/hermetizimi social, linçimet, mungesa e përkrahjes sociale), pasojat ekonomike (përjashtimi nga puna, papunësia, varfëria), por ka edhe pasoja të tjera.

Se ngacmimet e tilla shkaktojnë pasiguri tek femrat mendon edhe Shpresa Mulliqi, nga OSBE.

“Ngacmimet e llojit të fishkëllimës apo batutave eksplicite, sado që nga shumë konsiderohet si të padëmshme, megjithatë janë shqetësuese dhe kanë ndikim te personi të cilit i drejtohen, sepse shpesh shkaktojnë pasiguri por edhe mund të jenë shkaktar të problemeve në zhvillim, nëse bëhet fjalë për persona të moshës jo-madhore, apo dhe probleme familjare” thotë Mulliqi.

Sipas saj, këto raste vijnë nga persona me nivelin e ulët të edukatës familjare, të pa-arsimuar, të tilla raste paraqiten edhe te njerëzit e arsimuar, në ambiente të frekuentuara nga të gjitha grup moshat dhe në vende pune, prandaj duhet të eksplorohen edhe faktorët tjerë kontribuues në këtë komunikim i cili bie ndesh edhe me ligjin.

Mulliqit shifrat e policisë nuk i duken të sakta, kur i krahason me të dhënat nga Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë (QKKS).

“Eshtë Interesant se për shpërdorim seksual duke e përdorur pozitën ose profesionin në polici është raportuar vetëm një rast ndërkohë që sipas të dhënave të QKSS del se ky numër është më i lartë”, ka thënë ajo. /Gazeta Fjala/ (Fitnete Rrahimi)

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/analiza/te-miturat-kosovare-viktima-te-seksit/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala