Të fuqishmit e privilegjuar në burgje

Autori:Avdyl Pajaziti

Në maj të vitit 2014, ish-Komandanti i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe Kryetar i Skenderajt Sami Lushtaku, bënte lajmin kryesor të javës.  Pas vendimit të EULEX-it që Lushtakun ta transferojë në qendrën e paraburgimit në veri të Kosovës, ky i fundit nuk ishte i bërë i gjallë për disa ditë.

Familjarë dhe avokatë të tij insistonin se ai është brenda hapësirave të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), kurse këta të fundit mohonin një gjë të tillë.

Javën e kaluar, mediet raportuan se po nga hapësirat e QKUK-së, Sami Lushtaku tentoi arratisjen e tij të dytë.  Edhe pse kishte arritur që t’iu ikë gardianëve të Shërbimit Korrektues të Kosovës, ai ishte kapur nga zyrtarë të EULEX-it dhe është dërguar në burgun e sigurisë së lartë në Gërdovc.

Në fakt, Sami Lushtaku nuk është personi i vetëm i fuqishëm në Kosovë me të cilin organet e sigurisë kanë telashe.

Kohë më parë, mediat kishin raportuar se Nezir Kryeziu, ish-komandant i një njësie të Policisë Ushtarake të UÇK-së, kishte ndërtuar një dhomë të posaçme brenda burgut të Prizrenit nga ku vuante dënimin e tij më komod se sa të burgosurit të tjerë.  Kryeziu është dënuar në vitin 2014 me 9 vite burgim për tejkalim të vetëmbrojtjes dhe vrasje në tentativë.

Raste të tilla kanë ngritur dyshime serioze rreth integritetit të Shërbimit Korrektues të Kosovës.

Ibishi: Stop privilegjeve në burgjet e Kosovës

Nuredin Ibishi, Anëtar i Komisionit për Punë të Brendshme dhe Siguri, ka thënë se trajtimi i privilegjuar në burgjet e Kosovës është i paligjshëm dhe duhet të merren masa që kjo të ndalohet.

“Është regjim strikt i përcaktuar edhe me rregulloret evropiane por edhe me rregulloret e burgjeve tona, dhe mund të them se ka pasur lëshime.  Flas përgjithësisht, edhe Shërbimi Korrektues edhe burgjet, tek aspekti i trajtimit të disa personave, ka pasur trajtim më të privilegjuar dhe të jashtëligjshëm,”

Sipas tij është koha e fundit që të merren masa për shkak se kjo është ngritur shqetësim tek qytetarët dhe është e papranueshëm për personat që janë në vuajte, qoftë në burgje apo në qendra të paraburgim, që të mos t’i përmbahen këtij regjimit të rregulluar me ligj.

Ibishi ka thënë që pret që së shpejti kjo çështje të ngritët në komisionin ku ai bënë pjesë.

Kurse, Skender Perteshi, njohës i çështjeve të sigurisë nga Qendra Kosovarë për Studime të Sigurisë (QKSS), i ka thënë Gazetës Fjala se njerëzit me fuqi politike në vend janë imun ndaj vuajtjes së dënimeve nëpër burgjet e Kosovës.

“Ndodh që kemi problem me e dallu kush në të vërtetë është menaxher e kush i burgosur në burgjet e Kosovës.  Ndonjëherë këta vetë i bëjnë rregullat brenda burgjeve,” ka thënë ai.

Në maj të këtij viti, Sami Lushtaku, pjesë e të ashtuquajtur “Grupi i Drenicës” është dënuar nga EULEX-i për krime lufte dhe do të vuaj dënimin prej 12 viteve heqje lirie.  Ai ishte shpallur i fajshëm për akuzat që e lidhnin atë me vrasje të një civili gjatë luftës së fundit në Kosovë.

Kërkohet reformim i Shërbimit Korrektues të Kosovës

Gardianët që ishin në detyrë në ditën kur Lushtaku arriti t’iu ikë, janë suspenduar nga Shërbimi Korrektues i Kosovës.  Gazeta Fjala ka tentuar që të kontaktojë me drejtorin e këtij shërbimi, Emrush Thaçi, që të marrë informacione rreth procedurave të mëtejme ndaj tyre, por ai nuk ka kthyer përgjigje dhe nuk është lajmëruar as në telefon.

Por, Perteshi insiston se përveç suspendimit të këtyre zyrtarëve, institucionet e drejtësisë duhet të japin dënimin e merituar për ta.

Sipas tij, dështimi i institucioneve përgjegjëse për të qenë serioze në ofrimin e sigurisë për raste të tilla, i ka kushtuar Kosovës me krijimin e Gjykatës Speciale.

“Përveç suspendimit, duhet të merren masa tutje nga institucionet e drejtësisë, gjykatat dhe prokuroria. Këta gardianë duhet të marrin dënimin e merituar në përputhje me dëmin që kanë shkaktar qoftë imazhit qoftë për rregullat që kanë thyer,” thotë Perteshi.

“[Sepse] Çdo dështim i sektorit të drejtësisë dhe sigurisë që ndodhë në këto raste na kushton neve shumë.  Kemi rastin e Gjykatës Speciale, që është krijuar pasi që nuk kemi qenë të zotë me u marrë me raste të ndryshme, qoftë krime të luftës apo rastet e krimit të organizuar.  Dhe  për këtë arsye vjen një institucion i tretë, në ketë rast bashkësia ndërkombëtare, dhe na e imponon një gjykatë speciale”.

Perteshi ka shpjeguar se si mund të arrihet deri tek reformimi i Shërbimit Sprovues të Kosovës dhe rrjedhimisht kthimit të integritetit të këtij institucioni.

Sipas tij, Ministria e Drejtësisë dhe Agjencia Kosovare e Inteligjencës duhet të jenë më aktive në këtë drejtim.

Së pari, shpjegon ai, “Ministri i Drejtësisë duhet të bëjë  një analizë të saktë të funksionimit të shërbimit, të idenfitkohen problemet dhe personat të cilët kanë qenë të ndikuar prej grupeve krimanle apo politikës, dhe pas rezultateve duhet të reagohet për të adresuar këto probleme.”

“Dhe, duhet ndërhyrja e AKI-së.  Në vitin 2012 dhe 2013,  AKI ka bërë një verifikim të sigurisë por ky verifikim lë shumë për të dëshiruar.   Andaj duhet sërish të bëhet një rivlerësim dhe një proces i ri i verifikimit [të zyrtarëve të Shërbimit] sepse AKI në atë kohë përballej me shumë skandale dhe nuk ka qenë kredibil dhe profesional,” ka shpjeguar Perteshi nga QKSS./Gazeta Fjala/.

 

 

 

 

 

 

 

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/analiza/te-fuqishmit-e-privilegjuar-ne-burgje/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala