Ndërpritet greva, të hënën nis mësimi

Autori:Avdyl Pajaziti

Të dielën pas dite Këshilli Drejtues i Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBASHK) do të ketë takim të jashtëzakonshëm për të bërë analizën e situatës aktuale pas fillimit të grevës së mësimdhënësve parauniversitarë.

Qëllimi i takimit të sotëm të SBASHK-u është marrja e vendimit lidhur me vazhdimin apo jo të grevës së nisur.

Gazeta Fjala merr vesh se në këtë mbledhje të Këshillit Drejtues të sindikalistëve që vien nga të gjitha komunat e Kosovës do të ndërpritet greva e nisur dit më parë në sistemin arsimor parauniversitarë.

Edhe Rahman Jashari, kryetar i SBAHK-ut, ka bërë me dije për Gazetën Fjala se vazhdimisht është në kontakt me drejtuesit e këshillave komunale.

“Në bazë të kontakteve që kemi me këshillat komunal vërehet se ministria ka filluar realizimin e kërkesës tonë elementare që është pagesa e 0.5 për qindëshit në bazë të përvojës së mësimdhënësve. Kjo na bënë të kuptojmë se pas presionit tonë ka lëvizje edhe nga ana e qeverisë”, ka deklaruar Jashari.

Sipas tij sindikata ka marr premtim se gabimet e këtij muaji në pagat e mësimdhënësve do të përmirësohen plotësisht në muajin vijues.

“Gabimet kanë ndodhur pasi përgjegjësit që kanë bërë transferet e mjeteve janë ngutur pasi nuk i kanë kryer punët me kohë. Ne jemi të gatshëm t’i mirëkuptojmë ato gabime pasi do të përmirësohen në pagat në fund të majit”, ka deklaruar Jashari, për Gazetën Fjala.

Sipas Jasharit fajet e gjendjes së krijuar mbesin gjithnjë tek institucionet qeveritare pasi ata po i neglizhojnë marrëveshjet e arritura me sindikatën e madje nuk po përfillin as vendimet e veta.

Por përpos 0.5 për qindëshit të pagave në bazë të përvojës së punës sindikata ka edhe kërkesa tjera.

Këtu nuk duhen harruar edhe obligimet tjera të Qeverisë që dalin nga Kontrata Kolektive, e nënshkruar mes SBASHK-ut dhe MASHT-it. E ato janë sigurimi i transporti e shujta për mësimdhënësit.

Por tani e tutje Jashari ka deklaruar se presioni i sindikatës do të rritet edhe mbi drejtuesit e komunave pasi ata kanë marr përsipër disa nga obligimet që kanë të bëjnë me përmirësimin e kushteve të mësimdhënësve kosovarë.

“Kërkesa tjera do të realizohen hap pas hapi. Por tani presioni pozitiv do të drejtohet nga niveli komunal pasi në takimet që kemi pasur janë zotuar në realizimin e kërkesave tona”, ka deklaruar Jashari.

Greva e mësimdhënësve erdhi si pasoj e mos zbatimit të një vendimi nga ana e Ministrisë së Financave dhe asaj të Arsimit për pagesën e 0.5 për qind për çdo vit të përvojës, përfshirë këtu edhe përvojën nga viti 2008 që deri më tani nuk është llogaritur.

Pas presionit të sindikatës dhe paralajmërimit për grevë ministria e financave njoftoi se në pagat e prillit që u paguan të enjten e kaluar u pagua përvoja e punës prej 0.5 përqindëshi.

Në këtë grup hynë 24 mijë arsimtarë dhe 4 mijë staf administrativ/teknik, ndërkaq deri më tani janë paguar për përvojë vetëm 19 mijë arsimtarë.

“Me këto masa, arsimtarët duhet të tregojnë gadishmëri për angazhim më të madh dhe cilësi, e jo të lënë pa mësim mbi 420 mijë nenës”, deklaroi ministri i financave Avdullah Hoti.

Por parat që i transferoi qeveria në llogari të mësimdhënësve nuk qenë të sakta. Ministria bëri shumë lëshime që iritoi mësimdhënësit.

Në llogarit e tyre shumicës së mësimdhënësve i dolën vetëm gjysma e mjeteve të merituara e shumë prej tyre as nuk u futën në listën e përfituesve.

Kërkesa e mësimdhënësve për t’iu paguar kontributi për çdo vit nga 0.5 për qind do ti kushtojë qeverisë 11.2 milionë euro mbrenda këtij viti.

Kjo i bie se qeveria e Kosovës e sindikalistët konfliktin e tyre e patën për më pak se një një milionë euro brenda muajit. /GazetaFjala/

 

shkresa_ministrave

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/analiza/te-dielen-nderpritet-greva-te-henen-nis-mesimi/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala