“Talentët” e fuqishëm të fondit

Autori:Gazeta Fjala

Fondi për kuadro është bërë mollë shërri mes zyrtarëve të institucioneve publike në Kosovë. Ata po shtyhen se kush do të jetë këtë vit në listën e atyre që do të përfitojnë nga pagesa shtesë për punën që bëjnë.

Por, dikush tashmë e ka të garantuar pagesën, madje retroaktive, sikurse edhe vitin e kaluar.

Djali i kryetarit të Skenderajt, Mergim Lushtaku edhe këtë vit është në listën e përfituesve të fondit të kuadrove.

Gazeta Fjala është njoftuar nga burime brenda ministrisë së Administratës Publike, se vazhdojnë “përplasjet”, mes zyrtarëve rreth përpilimit të saj.

“Në listë janë futur drejtorët që s`kanë të drejtë edhe njerëzit që kanë ndikime politike”, tha ky burim.

Pos Lushtakut në listën e 2015-ës sipas këtyre burimeve gjendet edhe emri i ish-këshilltarit të Edita Tahirit Visar Xani, tash koordinator për reformë të Qeverisë.

Gazeta Fjala ka provuar të kontaktoj me Mergim Lushtakun, por kontakti me të ka qenë i pamundshëm.

Ndërkohë Visar Xani nuk ka dashur të jap komente lidhur me këtë çështje.

“Unë nuk mund të flas lidhur me politikat e fondit pasi që kjo është një hierarki dhe unë nuk jam i autorizuar nga ministria për të folur”, tha ai.

Gjithashtu emrat e tjerë që sipas burimit kanë lidhje të afërme me politikën janë edhe shokët e sekretarit të ministrisë, Tefik Mahmuti drejtor i DASHC-se, Ibrahim Shabani drejtor i Administratës edhe Naser Shamolli drejtor i departamentit ligjor.

Gazeta Fjala në bazë të ligjit për qasje në dokumentet publike, ka kërkuar qasje në listën e emrave të propozuar nga secila ministri si kandidat të mundshëm për fond, megjithatë ende nuk është ofruar asnjë listë.

Vetëm Ministria e Bujqësisë ka kthyer një përgjigje përmes së cilës thotë se MBPZhR-ja, ka dërguar në Zyrën e Kryeministrit propozimet për drejtorët e departamenteve profesionale për përfitim në kuadër të fondit për kuadro për vitin 2015.

“Krejt kjo duke u bazuar në udhëzimin për këtë çështje dhe se kush do të jetë përfitues do të vendos Zyra e Kryeministrit”, tha Albulena Maloku Zyrtare e lartë për informim në këtë ministri.

Përplasje në MTI për listën e kuadrove

Edhe në Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë e udhëhequr nga Hikmete Bajrami e LDK-së, ka mosmarrëveshje.

Në listën e fondit për kuadro të vitit 2015, janë edhe e 5 zyrtarë që ishin edhe në vitin 2014.

Burime brenda MTI-së kanë treguar se nga 27 personat përfitues, vetëm 5 prej tyre kanë kualifikim adekuat profesional, ndërkohë që të tjerët janë “emëruar për interesa të ngushta të kësaj strukture nga Ilir Salihu dhe ministrja Bajrami”, bënë të ditur burimi.

Emrat e propozuar nga ministria janë Irfan Lipovica, Rexhep Bllaca drejtori ligjor, Haki Maxhuni, drejtori i auditimit, Artan Demolli djali i vëllait të Ministrit të FSK, Visar Bajraktari Udhëheqës i sektorit të naftës e Veli Hoti.
Lista vazhdon me ermat e Bastri Sallahu, Zef Dedaj, Sytrime Dervisholli e Gentiana Islamaj.

Ky burim tha për Gazetën Fjala se nga puna është larguar u.d i sekretarit, Shaban Halimi e njëra ndër arsyet është edhe mospajtimi me përfituesit e fondit të kuadrove.

“Ministrja Bajrami ka future në këtë listë zyrtar të nivelit të ulët e jo të nivelit të lartë profesional”, tha ky burim.

Gazeta Fjala ka raportuar javën e kaluar për listën e plotë të zyrtarëve të cilët shteti i ka paguar ekstra bazuar në shpërndarjen e fondit për kuadro.

Fondi për Kuadro ishte pezulluar përkohësisht në vitin 2015. Megjithatë me12 gusht Qeveria e Kosovës mori një vendim për rikthimin e tij por që ai të shkurtohet në 500 mijë euro.

Derisa përfituesit e tij, do merrnin nga 100 deri në 500 euro në muaj, raportoi Gazeta Fjala, javën e kaluar.

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/analiza/talentet-e-fuqishem-te-fondit/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala