Strategjia e kundërligjshme e Spitalit Amerikan

Autori:Gazeta Fjala

Vendosja e Spitalit Amerikan në oborrin e Qendrës Klinike Universitare të Kosovës nuk është rastësi. Ky lokacion, i kontestuar, është zgjedhur me shumë kujdes nga drejtuesit e këtij institucioni privat shëndetësor.

Ky veprim, po vlerësohet i kundërligjshëm nga deputetët e Kuvendit të Kosovës pasi nuk është respektuar ligji, i cili e përcakton largësinë mes institucioneve shëndetësore publike dhe atyre private.

Por siç merret vesh institucionet shtetërore janë duke bërë ndryshimin e  ligjit që do t’ia bëjë legjitime këtë shkelje spitalit Amerikan.

Spitali Amerikan për të joshur më lehtë pacientët po i shfrytëzon hapësirat e spitaleve publike në katër qendra të tilla.

Dy spitale të tilla përveç  Prishtinës janë ndërtuar edhe në Tiranë,  një në qytetin e Fierit e një në Durrës.

Gazeta Fjala ka arritur që ti sigurojë vendndodhjet e këtyre objekteve.

Në Tiranë, Spitali Amerikan është i ndërtuar afër atij shtetëror Ushtarak,  që gjendet në rrugën ‘Azem Galica’ e që ka largësi jo më shumë se  500 metra nga Spitali Ushtarak i Tiranës.

tirane 2

Rast i ngjashëm është edhe ai në Durrës e në qytetin e Fierit ku edhe aty Spitali Amerikan është i ndërtuar në qendër të qytetit afër spitaleve të tjera shtetërore.

durres

fier

Të gjitha këto janë ndërtuar para atij në Prishtinë.

Ky i fundit ka afro dy muaj që ka hapur dyert për pacient hiç më larg se 500 metra nga Qendra Klinike Universitare e Kosovës.

Prishtine

Zëdhënësi i këtij spitali, Redian Mjeshtri, ka thënë për Gazetën Fjala se ndërtimi i këtij spitali në këto qendra nuk bie ndesh me Ligjin.

“Spitali Amerikan është i ndërtuar në të gjitha degët e tij si në Shqipëri ashtu dhe në Kosovë, konform ligjeve të Republikave përkatëse”, ka thënë Mjeshtri për Gazetën Fjala.

Lidhur me këtë ka reaguar edhe deputetja e AAK-së, Time Kadrija.

Ajo është shprehur se ndërtimi i këtij spitali afër QKUK-së e dëmton imazhin e spitalit publik në Kosovë.

“Ne jemi për ata që sistemi  privat të funksionalizohet në Kosovë, por jo duke e dëmtuar atë publik”, ka thënë Kadrija.

“QKUK-ja ka probleme me hapësirat pronësore gjë të cilën e ka kërkuar edhe drejtori i Qendrës Klinike Universitare të Kosovës që të hetohet prona në të cilën është i ndërtuar spitali Amerikan, e dokumentet kadastrave të pronës së QKUK-së ende nuk janë bërë të ditura”, ka  shtuar ajo.

Kadrija ka bërë të ditur se më shumë se gjysma e stafit të spitaleve publike në Kosovë punojnë me kontrata të dyfishta në dy vende të punës.

“Një pjesë e stafit shëndetësor të QKUK-së punojnë edhe në këto spitale private. Pacientët në këtë mënyrë po mendojnë që klinikat e tilla me emra të mëdhenjtë të shteteve më të mëdha do të kenë shërbime ndryshe, kur në fakt doktori i njëjtë punon edhe në këto spitale edhe në QKUK”, ka thënë më tej deputetja e AAK-së, Time Kadrija.

E sipas Ligjit të Republikës së Kosovës ndërtimi i Spitalit Amerikan në Prishtinë, afër QKUK-së bie ndesh me kontratën e miratuar nga Kuvendi Komunal i Prishtinës i cili në vitin 2005 kishte dhënë lejen për ndërtimin e një spitali kardiokirurgjik në Kosovë.

Po ashtu me ndërtimin e këtij spitali në Prishtinë  është shkelur edhe ligji për shëndetësi i cili ndalon ndërtimin e spitaleve të përgjithshme private në afërsi të spitaleve publike deri në 1.5 km. Kjo nuk po zbatohet pasi që objekti i ri i Spitalit Amerikan është në distancë më të vogël se distanca minimale e caktuar me ligj.

Ndërkaq Ministria e Shëndetësisë ka theksuar se nuk ka ndonjë vendim për ndërtimin e ndonjë spitali afër Qendrës Klinike Universitare të Kosovës./GazetaFjala/

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/analiza/strategjia-e-kunderligjshme-e-spitalit-amerikan/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala