S’ka zgjidhje në Kuvend

Autori:Gazeta Fjala

Kuvendi i Kosovës nuk mund të mbajë seancë të rregullt, pas thirrjeve për vëlla-vrasje. Kështu vlerësojnë njohës të çështjeve politike në vend duke thënë se papërgjegjshmëria politike e të dy kampeve, pozitë-opozitë, ka tejkaluar çdo masë.

Në një prononcim për Gazetën Fjala, analisti Halil Matoshi vlerëson se pas deklaratave të kryeministrit Isa Mustafa dhe zëvendësit të tij Hashim Thaçi vendi duhet të shkojë në zgjedhje të jashtëzakonshme.

“Seancë të rregullt ky kuvend më përfundimisht nuk mundë të mbajë  sepse pushteti me një jo racionalitet po e ofendon opozitën me një fjalorë shumë agresiv duke thirrur vëlla-vrasje. Pas prononcimit të djeshëm të dy liderëve të shtetit, opozita nuk ka çfarë kërkon më në Kuvendin e Kosovës. Pra nuk mbetet asgjë tjetër por marrëveshjes së datës për zgjedhje të jashtëzakonshme”, ka thënë ai.

Deputetët barrë e taksapaguesve

Matoshi u shpreh se me mos mbajtjen e seancave në Kuvend tash e dy muaj,  deputetët e Kosovës i kanë tradhtuar taksapaguesit e tyre.

“Duke i parë zhvillimet e fundit mund të them se deputetët e Kuvendit të Kosovës janë bërë barrë e rëndë për taksapaguesit ndërkohë që i kanë tradhtuar votuesit e tyre sepse ata asnjëherë nuk e kanë dhënë votën e tyre për skenat e tilla”, ka thënë Matoshi.

Ka më shumë se dy muaj prej që institucionet e Kosovës kanë mbetur jofunksionale.

Opozita në Kosovë refuzon thirrjet e partive në pushtet dhe bashkësisë ndërkombëtare për dialog në Kuvend. Ndërkohe që jashtë Kuvendit për dy muaj në Kosovë nga liderët opozitar janë organizuar dy protesta, këto të cilësuara si ndër më të mëdhatë  nga opozitarët.

Pavarësisht këtyre protestave, Qeveria e as opozitarët ende nuk kanë reflektuar dhe nuk i janë kthyer dialogut në Kuvend.

Edhe Nexhmedin Spahiu, njohës i zhvillimeve politike në vend, thotë se Kuvendi i Kosovës në këto kushte vështirë se mund të jetë funksional.

“Problemi këtu qëndron se nuk ka dakordim në mes të lidershipit politik. Në mënyrë të tillë Kuvendi nuk do të mund të funksionoj. Seanca e sotme do të ketë tollovi si zakonisht. Nuk e di nëse në kushte të tilla Hashim Thaqi do të mund të zgjidhet president”, ka thënë Spahiu për Gazetën Fjala.

Por pavarësisht kësaj dy liderët politik, Mustafa dhe Thaçi gjatë ditë së mërkurë publikisht u shprehën se mandati i tyre qeverisës do të përfundoj në vitin 2018. Ata madje nuk kursyen as kritikat për opozitarët.

“Sheshet nuk janë për të shkarkuar Qeverinë. Kjo qeveri do ta vazhdojë mandatin deri me 10 qershor 2018. Ftoj opozitën që të kthen në Kuvend e të mos merren me gjëra të kota”, tha  Mutafa.

Kosova nuk ka treguar pjekuri politike

Ndërkohë drejtori i Institutit GAP, Agron Demi thotë se jo stabiliteti politik ndikon edhe në ekonominë e vendi.

“Mos funksionimi normal i institucioneve publike natyrisht se dërgon pasiguri tek institucionet. Por një jo stabilitet i tille nuk është duke ndodhur vetëm muajt e fundit, në asnjë periudhë të shtetësisë Kosova nuk ka treguar pjekuri politike, në kuptimin e institucioneve stabile, zgjedhje në afate të rregullta kohore, institucione të pa korruptuara”, ka thënë Demi për Gazetën Fjala.

Sipas tij bllokadat e Kuvendit janë vazhdimësi e situatës së krijuar tash e disa muaj në Kuvendin e Kosovës dhe si të tilla nuk paraqesin ndonjë risi. Ai u shpreh se sa i përket çështjeve të ekonomisë Kuvendi nuk ka punuar thuajse asgjë në këtë drejtim.

“Përjashto disa ligje që janë të ndërlidhura me liberalizimin e vizave, nuk ka ndonjë ligj me rendësi jetike në fushën e ekonomisë i cili pret të aprovohet. Një situate e këtillë ka ndikim edhe tek investitorët”, ka shtuar Demi./Gazeta Fjala/

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/analiza/ska-zgjidhje-ne-kuvend/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala