S’ka vendim për çmimet e rrymës

Autori:Gazeta Fjala

Ende nuk dihet saktë se sa për qind do të shtrenjtohet çmimi i energjisë elektrike në Kosovë.

Vendimin për shtrenjtim ose jo të rrymës nuk e ka dhënë ende Zyra e Rregullatorit të Energjisë Elektrike.

Kurse, dy nga kompanitë që merren me sektorin e energjisë  kanë kërkuar rritje të të hyrave të tyre, duke u bazuar në një numër të madh faktorësh që kanë ndodhur vitin e kaluar.

Korporata Energjetike e Kosovës dhe Kompania Kosovare për Furnizim me Energji Elektrike, KESCO, i kanë dorëzuar kërkesat e tyre për të hyrat e lejuara për këtë vit në dhjetor të 2015-ës.

Në ZRRE  javën e kaluar njoftoi se kanë dhënë vlerësimet e tyre sa i përket kërkesave të operatorëve  për lejimin e të hyrave maksimale.

“Duhet të theksohet se pavarësisht Vendimit për të Hyrat e Lejuara Maksimale, tarifat e rregulluara me pakicë, pra çmimet e energjisë elektrike, do të përcaktohen pas Vendimit final të Hyrave Maksimale të Lejuara dhe pas shqyrtimit detaj të parashikimeve të këtij viti për konsumin e konsumatorëve dhe parametrave tjerë të cilët përcaktohen nga ZRRE”, njofton ZRrE.

Nëse ZRrE i miraton kërkesat që KEK, KEDS dhe KESCO  kanë bërë për lejimin e të hyrat maksimale për vitin 2016, tarifat e energjisë elektrike mund të shtrenjtohen për rreth 15 për qind.

Bazuar në aplikacionet e këtyre dy kompanive që janë publikuar në ueb-faqen e ZRrE-së, ato kanë kërkuar të hyra që janë për 19 për qind më të larta se ato të vitit të kaluar.

KEK-u ka kërkuar 29 milionë euro më shumë buxhet sesa që kishte në vitin 2015.

Këto të hyra KEK-u i ka kërkuar për koston e operimit, si dhe për humbjet që ia ka shkaktuar shpërthimi në “Kosovën A”, që kishte ndodhur vitin e kaluar. Ndërsa KESCO-ja po i kërkon 19 milionë euro më shumë sesa në vitin e kaluar.

Sa i përket kostot operative të KEDS në kërkesën e saj ajo ka paraparë kosto shtesë për vitin 2016, të cilat KEDS i vlerëson si të arsyeshme të cilat nuk janë parashikuar gjatë procesit të shqyrtimit periodik.

“Kostot e operimit në Kosovën Veriore – të cilat kanë rrjedh nga Marrëveshja e

nënshkruar nga Qeveritë e Kosovës dhe të Serbisë si dhe rritja e pagave – e cila u ngrit si çështje pas rritjes së pagave në sektorin publik”, shkruan në kërkesën e KEDS.

“Kostoja operative e parashikuar për vitin 2016 është 31.6 mln€”, kërkon KEDS.

Gazeta Fjala ka provuar të marrë një qëndrim nga KEDS rreth kësaj çështjeje mirëpo edhe pse ka pritur më shumë se një javë nuk ka marrë asnjë përgjigje.

Kurse Edmond Nulleshi, nga KEK i kontaktuar nga Gazeta Fjala ka thënë se ende nuk ka shtrenjtim të energjisë elektrike.

“KEK është duke vazhduar të shes energjinë elektrike tek KEDS/KESCO me çmim të njëjtë si deri tani (26.47 €/MËh)”, tha Nulleshi. /Gazeta Fjala/

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/analiza/ska-vendim-per-cmimet-e-rrymes/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala