S’ka kush të merret me tenderët milonësh

Autori:Gazeta Fjala

Plotë 60 ankesa të kompanive të pakënaqura pjesëmarrëse në tenderët publike kanë mbetur në sirtarët e Organit Shqyrtues të Prokurimit Publik.

Institucionet publike të vendit mund të nënshkruajnë kontrata me kompanitë e përzgjedhura duke i injoruara ankesat e operatorëve të pakënaqur.

Këtë “privilegj” atyre ua krijon mos kompletimi i bordit të Organi Shqyrtues i Prokurimit.

OShP që vepron si gjykatë e tenderëve,  momentalisht ka vetëm dy anëtarë, Tefik Sylejmani dhe Ekrem Salihu numër ky që nuk i krijon kuorum për të shqyrtuar ankesat e operatorëve që humbin në garat për tender.

Me bordin gjysmak OShP mund të shqyrtoj vetëm ankesat e lëndëve deri në 50 mijë euro, por jo edhe tenderët milionëshe.

Një sinjal për të kompletuar bordin e OSHP-së e ka dhënë të mërkurën Qeveria e Kosovës, duke i propozuar Kuvendit të Kosovës gjashtë kandidat për anëtarë.

Të propozuarit e qeverisë janë Agim Shala, Vjollca Shala-Kurtishaj, Stojan Stanojkoviq, Nuhi Paçarizi, Blerim Dina dhe Mirko Simoviq.

“Sipas ligjit janë pesë anëtarë të Organit Shqyrtues të Prokurimit Publik. Dy anëtarë e vazhdojnë punën sipas mandatit të tyre. Duhet të zgjidhen edhe tre anëtarë të tjerë. Ligji parasheh që për çdo anëtarë duhet të japim dy propozime, prandaj ne i japim gjashtë propozime Kuvendit”, ka thënë kryeministri Isa Mustafa në mbledhjen e Qeverisë.

Tash i mbetet Kuvendit që të miratoj propozimet e qeverisë.

Me 15 janar Hysni Hoxha dha dorëheqje nga pozita e të parit të Organit Shqyrtues i Prokurimit Publik.

Në letrën e dorëheqjes së Hoxhës, thuhet se ai u largua nga pozita e Kryetarit të Organit Shqyrtues të Prokurimit për shkaqe shëndetësore.

Ai ka qenë i ngarkuar edhe me dy aktakuza për keqpërdorim të pozitës zyrtare dhe autoritetit zyrtar.

OShP në vazhdimësi ka pasur problem me kompletimin e këtij bordi.

Në fund të vitit 2015 kishin mbetur 25 lëndë të pazgjidhura, në vitin 2014 për periudhën gusht-dhjetor ishin raportuar 204 ankesa të pashqyrtuara derisa në vitin 2013 patën mbetur 213 ankesa pa vendime.

Paqartësitë në ligjin e ri

Me hyrjen në fuqi të Ligjit të ri të prokurimit në dhjetor të vitit të kaluar, ka mbetur e pa qartë mënyra e zgjedhjes së anëtarëve të bordit, pasi që nga ligji është larguar neni që tregon se kush duhet të procedojë në Kuvend propozimet e emrave për bord.

Me ligjin e vjetër për Prokurimin Publik të Kosovës, në pikën katër të nenit 100 specifikohej se Kryetari dhe anëtarët propozohen nga Qeveria dhe emërohen nga Kuvendi, me ligjin e ri nuk tregohet fare se kush i propozon anëtarët e bordit të OSHP-së.

Por OShP në një përgjigje me shkrim për Gazetën Fjala tha se emrat e rinj do të propozohen nga qeveria.

“Ju njoftojmë se me Ligjin për prokurim publik- kryetari dhe anëtarët e OShP-së propozohen nga Qeveria dhe emërohen nga Kuvendi në bazë të rekomandimit që është marrë nga një organ përzgjedhës i pavarur i themeluar nga Kuvendi”, tha ky institucion .

Më tej OShP tha se organi përzgjedhës i pavarur do të përbëhet prej tre gjykatësve të emëruar sipas rregullit të caktuar nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës.

Kurse Qeveria e Kosovës ende nuk ka kthyer përgjigje lidhur me çështjen e kompletimit të këtij bordi.

Dorëheqja e kryetarit – emërimi i vetës

Pas dorëheqjes së Hoxhës ky institucion mbeti me vetëm dy anëtarë. Në fillim të muajit shkurt anëtarët e mbetur morën vendim që zëvendësimi i kryetarit të bëhet me njërin nga anëtarët.

“Anëtarët e bortdit të OSHP-së për shkak të krijimit të rrethanave faktike dhe juridike mungesës së kryetarit të OSHP-së si dhe anëtarëve të tjerë me qëllim të zhbllokimit të punës së OSHP-së unanimisht vendosën që përkohësisht të caktohet ushtruesi I detyrës së kryetarit të OSHP-së”, shkruan në vendimin e datës 1 shkurt.

Tefik Sylejmani njëri nga anëtarët e bordit që u caktua përkohësisht në cilësinë e ushtruesit të detyrës së kryetarit të OSHP-së,  i bie se votoi për veten e tij që të vjen në këtë detyrë.

Por bazuar në ligjin e Prokurimin Publik edhe statutin e OSHP-së, në krye të bordit mund të vihet një u.d. vetëm kur kryesuesi sëmuret dhe atë duhet të votohet me unanimitet nga të gjithë anëtaret e tjerë të bordit, që nënkupton 4 prej tyre e jo 1.

Me 19 shkurt Kuvendi i Kosovës kishte futur  me urgjencë si pikë të rendit të ditës ndryshim plotësimin e Projektligjit për Prokurimin Publik.

Kuvendi kishte bërë disa ndryshime kryesisht për emërim, propozim dhe shkarkim të anëtarëve të bordit të Organit Shqyrtues të Prokurimit(OShP), që ka qenë kërkesë urgjente e BE si kriter për liberalizim.

Në këtë seancë, me shumicë votash u miratua Projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Prokurimin Publik të Republikës së Kosovës, i ndryshuar dhe plotësuar me Ligjin nr.04/L-237 dhe me Ligjin nr.05/L-068.

Presidentja e Kosovës të martën e ka dekretuar këtë ligj i cili gjithashtu ka qenë njëra ndër kriteret kryesore për procesin e liberalizimit të vizave.

“Zbatimi i këtij ligji, i identifikuar si jetik në luftën kundër korrupsionit në Këshillin Kombëtar Kundër Korrupsion dhe rekomandim i vazhdueshëm nga ky mekanizëm, do të sigurojë transparencën e domosdoshëm në procesin e prokurimit dhe do të mundësojë lansimin e prokurimit elektronik në Kosovë, për ta bërë tenderimin e parasë publike më transparent dhe konkurrencën e barabartë në treg”, ka deklaruar Jahjaga. /Gazeta Fjala/

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/analiza/ska-kush-te-merret-me-tenderet-milonesh/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala