Shumë vdekje të dyshimta e pak autopsi

Autori:Gazeta Fjala

Në dhjetor të vitit të kaluar familjes Pajaziti  nga fshati Strellc i Ulët i Deçanit  iu dha lajmi se vajza e tyre Donjeta Pajaziti kishte vdekur. Kanë qenë rezultatet e autopsisë të cilat kanë verifikuar  trupin e pajetë të Donjetës e cila kishte qëndruar më shumë  se pesë javë në bjeshkët e Strellcit.

Por ka shumë raste te vdekjeve në Kosovë të cilave nuk iu bëhet autopsia nga ana e organeve kompetente dhe nuk dihen shkakqet e vdekjeve të tyre. Edhe pse ligji detyron obduksionin për çdo vdekje të dyshimtë si dhe kur vdekja ndodhë në spitale 72 orë pas pranimit të pacientit.

Në të gjitha spitalet në Kosovës  gjatë vitit 2015 kanë ndodhur 2 mijë e 41 vdekje.

Ramadan Sopa, ushtrues detyre i drejtorit në Institutin e Patologjisë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës ka thënë për Gazetën Fjala se çdo vit po shënon rënie trendi i të kryerit të autopsisë.

“Gjatë vitit 2015 kemi pasur të përfunduara 15 autopsi të pacientëve që kanë ndërruar jetë në QKUK”, ka thënë Sopa për Gazetën Fjala.

Në të shumtën e rasteve familjarët e të vdekurve refuzojnë që t’u lejojnë mjekëve kryerjen e autopsisë për familjarët e tyre.

Janë rrethanat e mentalitetit, çështjet sentimentale,  aspekti fetar shkaqet kryesore që familjarët refuzojnë të japin pëlqimin për bërjen e autopsisë mbi të vdekurin.

Mungon informimi i  qytetarëve

Besim Kodra, drejtor ekzekutiv i Shoqatës së të Drejtave të Pacientëve, thotë se në bazë të raporteve të tyre në vitin 2015 në spitalet e Kosovës kanë ndodhur 2041 vdekje dhe për vetëm  13 vdekje është kryer autopsia. Kodra këtë shifër e vlerëson të ulët në raport me numrin e vdekjeve.

“Mungon informimi i mjaftueshëm i qytetarëve për dobitë që i sjellë autopsia e familjarëve të tyre”, shpjegon Kodra.

Sipas tij, shumë raste kur familjarët refuzojnë të lejojnë bërjen e autopsisë për personin e vdekur, ndonëse sipas tij Ligji për mjekësinë ligjore kërkon që familjarët të japin pëlqimin për autopsinë e të vdekurit, duke përjashtuar rastet kur vdekja e personit është e dyshimtë, dhe kërkohet autopsia nga Prokuroria e Shtetit.

“Mos dhënia e pëlqimit për autopsi, në shumicën e rasteve shihet edhe nga aspekti fetarë, ku mendohet se feja nuk e lejon një gjë të tillë”, shpjegon Kodra. Ai thotë se autopsia është e domosdoshme jo vetëm për të zbuluar gabimet mjekësore, por, edhe për të zbuluar sëmundjet gjenetike të të vdekurit të cilat mund të përcillen edhe tek pasardhësit.

Ndërkohë që në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, gjatë vitit 2014 kanë vdekur rreth 1200 persona, derisa vetëm 12 prej tyre u është kryer autopsia. Ndërkaq gjatë vitit 2013 kanë vdekur 1,211 persona, ku vetëm 14 personave u është kryer autopsia.

129 persona të vdekur nga aksidentet në trafik, shumë pak autopsi

Sipas të dhënave zyrtare nga Policia e Kosovës gjatë vitit 2015 në të gjithë territorin e saj kanë humbur jetën 129 persona si pasojë e aksidenteve në trafik.

Ndonëse sipas Projektligjit për Mjekësinë Ligjore, të miratuar në mbledhjen e 45-të të Qeverisë së Republikës së Kosovës në pikën 1.6 thuhet se autopsia mjeko ligjore, në pajtim me ligjin dhe dispozitave përkatëse, mund të kryhet  edhe në rastet  e aksidenteve, si ato rrugore, profesionale ose në amvisëri. Por në bazë të statistikave të marra nga Institutin e Patologjisë në QKUK numri i autopsive të kryera është shumëfish më i vogël me numrin e vdekjeve në aksidente por edhe vdekjeve të përgjithshme në Kosovë.

Poashtu Ligji për Shëndetësi, në nenin 84, precizon qartë se obduksionet janë të detyrueshme për gjithë personat që vdesin në spitale e që vdekja e tyre është e paqartë si dhe atyre që vdesin në spitale brenda 72 orëve nga pranimi në spital. Sado që për këto raste nuk duhet të pyeten familjarët,  në QKUK në formularin e vdekjes, para se të pyeten familjarët, të shumtën e rasteve iu shënohet nga teknikët apo mjekët në fletëlëshim se familjarët refuzojnë obduksionin.

Haxhiu: Ministria e Shëndetësisë po i mbulon të metat e saja

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Bekim Haxhiu, ka thënë për Gazetën Fjala se Ministria e Shëndetësisë nuk është duke punuar për ngritjen e vetëdijes së qytetarëve për autopsinë.

Sipas tij Ministria e Shëndetësisë po i mbulon të metat e saja duke mos bërë fushata vetëdijësuese tek kosovarët lidhur me autopsinë.

“Ministria e Shëndetësisë duhet të punojë më shumë në ngritjen e vetëdijes që të bëhet autopsia në rastet e vdekjeve të dyshimta e që kanë nevojë. Ministria e Shëndetësisë po I mbulon të metat e saja duke mos bërë fushata që e vetëdisojnë tek popullata lidhur me autopsinë”, ka thënë Haxhiu.

Sipas tij MSH duhet të sigurojë aparaturën e duhur që ndihmon mjekët në kryerjen e autopsisë.

“Nuk ka kushte higjienike, autopsia kryhet në salla të dobëta në kushte të tmerrshme”, shpjegon deputeti i Kuvendit, Bekim Haxhiu.

Ndërkaq Besim Kodra, thotë se fajin për mos informim për autopsinë e kanë edhe stafi mjekësor ngase sipas tij ata nuk janë të interesuar që tu shpjegojnë pacientëve e familjarëve të tyre për dobitë që mund t’i sjellë autopsia.

Sipas tij, bashkë me trupin e pajetë të të vdekurve, shpeshherë mbulohen në varr edhe gabimet e mjekëve.

“Stafi mjekësorë nuk është i interesuar shumë që t’iu tregoj familjarëve për të mirat që i sjellë autopsia, sepse në këtë mënyrë më lehtë do të mbuloheshin gabimet mjekësore. Autopsia është shumë e nevojshme jo vetëm për të zbuluar gabimet mjekësore, por, edhe për të zbuluar sëmundjet gjenetike të të vdekurit të cilat mund të përcillen edhe tek pasardhësit”, ka thënë ai.

E sipas të gjitha statistikave numri i autopsive në raport me vdekjet është shumë i ulët në Kosovë.

Sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës,  numri i pacientëve të vdekur në spitalet rajonale gjatë vitit 2014 ishte 830. Numri më i madh i pacientëve të vdekur është shënuar në spitalin rajonal të Prizrenit me 334 vdekje. Në spitalin e Pejës në vitin 2014 kanë vdekur 210 pacientë,  Gjakovë 141, Gjilan, 112 pacientë kanë vdekur, Ferizaj 4 pacientë, Mitrovicë 22, si dhe Vushtrri 7 pacientë kanë vdekur në spitalin rajonal për vitin 2014.

Ndërkaq sipas ASK-së, në QKUK në vitin 2014 kanë vdekur 1 mijë e 241 pacientë. Prej tyre sipas raportit të ASK-së 308 pacientë të vdekur janë në klinikën e Nonatologjisë.  Në klinikën e  Anesteziologjisë dhe Reanimacionit kanë vdekur 159 pacientë, ndërkaq në klinikën e Kardiokirurgjisë në vitin 2014 kanë vdekur 147 pacientë./GazetaFjala.

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/analiza/shume-vdekje-te-dyshimta-e-pak-autopsi/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala