Shteti shpërfillë kontributin e të dënuarve

Autori:Avdyl Pajaziti

Në vitin 2009, artisti i njohur amerikan Chris Brown rrezikonte që të burgosej kur u arrestuar nga policia pas një sulmi fizik.  Ai u dënua me pesë vite heqje lirie me kusht, por po ashtu u detyra të zgjedhë në mes të 180 ditëve burg të detyrueshëm dhe 1,400 orëve punë për komunitet. Vendimi për të zgjedhur mundësinë e dytë i parapriu atij ndër të tjerash pastrimin shtallave të kuajve, fshirjen e grafitëve dhe pastrimin e veturave  të policisë amerikane.

Të gjitha këto si pjesë të masës së dënimit alternativ të shqiptuar ndaj tij.

Rastet e tilla të dënimeve, përveç ndaj yjeve të artit, janë të zakonshme edhe për shumë të dënuar të tjerë në vendet e zhvilluara perëndimore.

Por, një praktikë e tillë nuk ka gjetur zbatim të madh edhe në Kosovë megjithëse ligjet në fuqi parashohin një gjë të tillë.

Sipas të dhënave të Shërbimit Sprovues të Kosovës, nga viti 2004 deri në vitin 2014, janë dhënë vetëm 406 dënime alternative për punë në dobi të përgjithshme për të mitur, apo rreth 40 brenda një viti.

Në anën tjetër, ky numër është më i lartë për kryesit madhor të veprave penale. Nga gjithsej 1,476 raste të dënimeve alternative brenda një dekade, 1,288 janë për punë në dobi të përgjithshme, apo siç njihet ndryshe si puna në komunitet.

Shërbimi Sprovues i Kosovës, që është pjesë e Ministrisë së Drejtësisë, shpjegon se vendime të tilla alternative kanë një numër të efekteve pozitive tek personat e dënuar por edhe tek shoqëria në përgjithësi. Përveç që ndihmon në risocializimin dhe ri-integrimin e personave të dënuar, këto vendime kanë edhe efekt në buxhetin e shtetit.

“Përmes dënimeve alternative bëhet shpopullimi i lartë i burgjeve dhe kursehet buxheti i shtetit  pasi një i burgosur i  kushton shtetit 25 – 30 Euro”, thuhet në përgjigjet e SHSK-së dhënw për Gazetën Fjala.

“I dënuari me dënime alternative nga gjykata, masën apo dënimin e kryen në komunitet duke e ruajtur vendin e punës, vazhdimin e shkollimit apo të aftësimit profesional, dhënien e kontribut ndaj familjes etj. Po ashtu, dënimet alternative ndikojnë në zvogëlimin apo uljen e  recidivizmit”, sqaron tutje SHSK.

Përgjithësisht, dënimet alternative shqiptohen në ato raste kur pesha e veprës se kryer është më e vogël dhe zbatohet kryesisht ndaj personave të mitur.

Por, Mentor Vrajolli, njohës i çështjeve të sigurisë nga Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë (QKSS), thotë se numri i atyre që kryejnë këtë lloj dënimi në Kosovë është i vogël dhe shumë pak i promovuar nga organet përgjegjëse.

“Ky numër është tepër i vogël dhe kjo edhe për shkak se kapacitetet e implementimit të këtyre lloj dënimeve janë thuajse inekzistente”, thotë ai.

Vrajolli beson se shteti i Kosovës do të duhej të kishte mekanizma vullnetarë ku këta të dënuar do të mund të kryenin dënimin alternativ.

“Shtetit të Kosovës në masë të madhe i mungojnë mekanizmat vullnetar në kuadër të te cilave këta persona do të mund të shërbenin tek komuniteti për kohën e paraparë si ndëshkim dhe masë penduese për krimin e bërë,” thotë Vrajolli.

Duke iu referuar problemeve të shumta të funksionimit të drejtësisë në vend, siç janë vjetërsimi i lëndëve apo ikja e të dënuarve pa kryer dënimin, Vrajolli po ashtu ka tërhequr vërejtën që organet përgjegjëse duhet të marrin seriozisht zbatimin e dënimeve alternative. Në të kundërtën, ai thotë se këto dënime vetëm mund të kenë efekt negativ.

“Është me rendësi që organet e drejtësisë të jenë transparente në këtë drejtim.  Kjo për shkak se shqiptimi i dënimeve alternative në njërën anë dh moszbatimi i tyre në anën tjetër vetëm sa kontribuon në krijimin e kriminelëve recidiv në shoqëri, duke e krijuar ndjenjën tek individ të caktuar ata në momente të caktuara mund të jenë edhe mbi ligjin,” shpjegon ai. /Gazeta Fjala/.

 

 

 

 

 

 

 

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/analiza/shteti-shperfille-kontributin-e-te-denuarve/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala