Shteti sfidohet përballë OJQ-ve të dyshimta

Autori:Gazeta Fjala

Shteti edhe pas një viti të pezullimit të veprimtarisë së punës së 13 organizatave joqeveritare nuk ka arritur t`i mbyllë e as të siguroj dëshmi se ato ishin të përfshira në aktivitete të dyshimta.

Departamenti për OJQ që ndodhet në kuadër të Ministrisë së Administratës Publike në tetor të këtij viti mori përsëri vendim për ripezullimin e punës së organizatave të dyshuara që kanë lidhje me rryma radikale islame.

Vendimi i ri, për 13 organizata në Kosovë që dyshohen se kanë lidhje me rryma radikale të fesë islame, të cilin e ka siguruar Gazeta Fjala, është i njëjtë me atë të vitit 2014 dhe vlen deri në një vendim tjetër.

“Veprimtaria e të njëjtave organizatave nuk përkon me rendin juridik dhe kushtetues të Republikës së Kosovës dhe me të drejtën ndërkombëtare”, thuhet në vendimin e Ministrisë së Administratës Publike.

Sipas MAP-it, këto organizata dyshohen se veprimtaria e tyre bie ndesh me interesat e sigurisë.

Megjithatë, në dokumentacionet e lëshuara nuk ka ndonjë sqarim se çfarë saktësisht kanë vepruar ato në kundërshtim me rendin kushtetues.

Lista e 13 organizatave të pezulluara

E më e dyshuara  sipas dokumenteve të siguruara nga Gazeta, prej 13 organizatave të cilave u është pezulluar puna është “GJURMA”, e cila është regjistruar në muajin shkurt të vitit 2000.

Sipas vendimit të siguruar thuhet se bazuar në kërkesën e Organit Kompetent të Sigurisë më 23 tetor i është pezulluar vazhdimi i veprimtarisë.

“Kërkesa për pezullimin e veprimtarisë është bazuar në informacionet e institucioneve kompetente të sigurisë se ekziston dyshimi se e njëjta ojq bie ndesh me interesat e sigurisë”.

“Ojq në fjalë nuk përkon me rendin juridik dhe kushtetues të Republikës së Kosovës dhe me të drejtën ndërkombëtare, rrjedhimisht ka bërë shkelje edhe të normave juridike të statutit në bazë të cilit është regjistruar”.

Përveç OJQ Gjurma, në vendimin e 26 tetorit të këtij viti janë edhe 12 organizata të tjera.

Bëhet fjalë për Asociacioni për Kulturë, Edukim dhe Arsim (Akea), Al ëakaf al islami, Kalliri i Mirësisë, Sinqeriteti, Çelsi, Pema e Bëmirisisë, Kosova Aid Development (KAD), Rinia Istogase, Hektari-He, Njëshmëria, Parimi, Gjurma, Mesxhidi Studentor.

“Vendimi për pezullimin e veprimtarive është bërë nga depratamenti për organizatat jo-qeveritare nga Ministria e Administratës Publike në pajtim me ligjin për lirinë e asociimit në Organizatat Joqeveritare”, shkruan vendimi i pezullimit të tyre.

Veprimtaria e dyshimt e OJQ-ve

Shumë organizata të huaja në Kosovë, kryesisht nga shtetet arabe, dyshohen se kanë ndikuar në përhapjen e idesë ekstremiste edhe në Kosovë dhe madje kanë financuar individë që të marrin rrugën e të shkojnë drejt Sirisë.

Edhe mediat vazhdimisht kanë raportuar për veprimtaritë e dyshimta të këtyre organizatave.

Për “Al Ëaqf-Al Islami”, u raportua se ndonëse është organizatë e dyshimtë për shumë shtete evropiane, në Kosovë ajo e ka ushtruar veprimtarinë e saj në ndërtimin e xhamive të ndryshme dhe atë pas kërkesave të bëra nga Bashkësia Islame e Kosovës.

Ndërkaq, OJQ “Kosova Aid and Development”, thuhet se ka dhënë shumë ndihma në Llap dhe e njëjta funksionon si institucion mikrofinanciar, që lëshon kredi pa kamatë, deri në 3000 euro, kryesisht për familjet e varfra. Drejtori i kësaj organizate është Rachid Djaroum. I njëjti, siç thotë dosja, viziton shpesh Beogradin, ku siç thuhet në dosje, “kinse ka të regjistruar një fakultet dhe kohë pas kohe shkon për këtë arsye në Beograd”.

Policia e Kosovës kishte ndërmarrë një aksion masiv vitin e kaluar duke arrestuar rreth 40 persona nën dyshimet për veprat penale të rekrutimit, organizimit dhe pjesëmarrjes në grupet terroriste.

Aksioni i policisë qe shtrirë në bastisjen e 60 lokacioneve në qytete të ndryshme të Kosovës, në të cilat janë gjendur edhe armë dhe mjete eksplozive.

Gjithashtu në mesin e të arrestuerve kishte edhe imam të xhamive si dhe politikani Fuad Ramiqi, partia e të cilit, LISBA, vepron në baza fetare, si dhe imami Shefqet Krasniqi. /Gazeta Fjala/

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/analiza/shteti-sfidohet-perballe-ojq-ve-te-dyshimta/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala