Shteti që nuk i josh investitorët

Autori:Avdyl Pajaziti

Në fillimm të vitit 2015, investitorë nga Turqia, Zvicra e Gjermania investuan rreth 87 milionë euro në Kosovë. Me këtë shifër po krenohen udhëheqësit e Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë  si rritje e të investimeve të huaja në vend që vitin e kaluar në këtë kohë ishin 100 për qind më pak.

Por, kjo shifër është shumë lagr asaj që i nevojitet Kosovës dhe interesimit që kishin afaristët e huaj për vendin 8 vite më parë. Në vitin 2007 Kosova llogariste 470 milion euro investime të huaja direkte.

Njohësit e ekonomisë thonë se Kosova ende nuk ka arritur ti josh investitorët e huaj dhe të krijoj kushte që ata të shohin interes për të derdhur mjetet e tyre këtu.

Lekë Musa vlerëson se problemi i mungesë së investime të huaja është tek problemet që ata hasin në ambientin e Kosovës.

Sipas tij kompanitë e huaja me te ardhur në Kosovës do të ballafaqohen me barriera banale.

“Problemi qëndron ne atë se reformat janë duke u dizajnuar sipas një plani qeverisës e jo duke u dëgjuar me vëmendje kërkesa e vet investitorëve. Nuk është problemi se nuk kemi investitorë. Mirëpo ata ballafaqohen me probleme me banale, dhe në vend se të heqim të gjitha barrierat qeveria del me disa ide me te cilat  e bënë edhe me te vështirë veprimin ne Kosovë”, ka thënë Musa për Gazeten Fjala.

Ai ka vequar se në Kosovë janë tri fusha në të cilat mund të investohet shumë.

“Ne sektorin e minierave, në sektorin e bujqësisë dhe ne krijim e shërbimeve me vlerë, duke shfrytëzuar fuqinë e lire punëtore”.

Sipas tij, çfarëdo investimi nëse bënë në Kosovë, së pari duhet të investosh edhe në trajnim të stafit. Kjo, sipas Musës duhet të bëhet pasi  në Kosovë nuk ka fuqi punëtore te aftësuar.

Nga hulumtimet e shumta të bëra nga shoqatat ekonomike, është vlerësuar se barrierat në të bërit biznes, siç është niveli i lartë korrupsionit, mungesa e politikave më të favorshme fiskale, si dhe evazioni fiskal, kanë ndikuar që shumë investitorë të mos shtrijnë kapitalin e tyre në Kosovë dhe vlera e këtyre investimeve të bie.

Viteve të fundit shumë investitorë janë ankuar për trajtimin që u bëhet nga institucionet e Kosovës dhe kushtet që u ofrohen për të bërë biznes.

Ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, Hykmete Bajrami në një intervistë për Gazetën Fjala ka pohuar se nuk është vërejtur ndonjë rritje e numrit të ankesave të investitorëve.

“Përkushtimi i Qeverisë për përmirësimin e klimës së të bërit biznes, ka ndikuar në rritjen e besimit të investitorëve dhe siç e thamë më lartë kemi rritje të investimeve në pjesën e parë të këtij viti”, ka thën Bajrami.

Sipas të dhënave të Bankës Qendrore të Kosovës (BQK), Investimet e Huaja Direkte (IHD) për tremujorin e parë (T1) 2015 janë gjithsej 87.10 milion euro.

“Gjatë tërë vitit 2014 vlera e IHD-ve ishte 151.3 milion euro. Mirëpo, nëse e krahasojmë periudhën e njëjtë të vitit të kaluar T1 2014, ku vlera e investimeve ishte 42.7 milion euro me T1 2015, kemi një ngritje të investimeve për mbi 100 për qind”.

Kompanitë të cilat kanë investuar vlerat më të mëdha gjatë periudhës së tremujorit të parë të këtij viti janë nga: Turqia, Zvicra, Gjermania, Austria, Shqipëria, Mbretëria e Bashkuar, SHBA, Sllovenia, etj.

Ndërsa, sektorët ku është investuar më shumë janë: Patundshmëria, qiradhënia dhe aktivitetet tjera biznesore me gjithsejtë 56 milion euro të investuara, shërbime financiare me 21.5  milion euro, ndërtimi me 8.2 milion euro dhe energjetika me 3.4 milion euro.

Ndërkaq, bazuar në të dhënat e Agjencisë për Regjistrim të Bizneseve në Kosovë (ARBK) numri i bizneseve me pronarë të huaj të regjistruara gjatë periudhës janar – maj 2015 është 136, kryesisht nga këto shtete: Shqipëri, Turqi, Zvicër, Gjermani, Itali etj., në sektorët tregti, procesim, ndërtim, telekomunikim, veprimtari shërbyese./Gazeta Fjala/.

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/analiza/shteti-qe-nuk-i-josh-investitoret/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala