Shteti nuk mbylli OJQ-të që shkelën ligjin

Autori:Gazeta Fjala

Asnjë organizatë jo qeveritare në Kosovë që nga paslufta nuk është mbyllur për shkak të mos deklarimit të rregullt vjetor që duhen të bëjnë në Ministrinë e Administratës Publike.

Janë afër 9 mijë Organizata Joqeveritare të regjistruara në Kosovë, me Ligjin për Lirinë e Asociimit në Organizatat Joqeveritare janë të obliguara që çdo vit të deklarojnë financat dhe aktivitetin e tyre.

Departamenti i Organizatave që funksionon në MAP nuk ka treguar se nëse ato janë duke e bërë raportimin në këtë institucion apo jo, vetëm ka sqaruar se për të raportuar kanë Obligim vetëm OJQ-të të cilat kanë Status të Përfitimit Publik.

Derisa kur u pyet se sa është numri i organizatave që nuk e kanë bërë deklarimin, shkurt u tha “Ende jemi në proces të pranimit dhe analizimit të raporteve vjetore”.

Megjithëkëtë Bajram Kosumi drejtor i departamentit për OJQ në MAP tha për Gazetën Fjala se gjatë këtij vit ky departament është angazhuar në vetëdijësimin e OJQ-ve për ta zbatuar këtë obligim.

“Dhe deri në fund vitit ne do ta spastrojmë listën e OJQ-ve. Cilat OJQ janë aktive nga ato që kanë një pasivitet të stërzgjatur, të cilat mbi 3 viti nuk janë deklaruar se janë në duke zhvilluar aktivitete të bazuara në statutet e tyre dhe në ligj”, ka thënë Kosumi.

Ligjërisht shteti është i obliguar që të mbyll secilën organizatë me status të përfitimit publik që ka nuk e deklaron aktivitetin e saj dhe financat çdo vit kalendarik.

Në nenin 18 të ligjit për liri të asociimit shkruan se raportet e OJQ-ve duhet të dorëzohen deri në fund të muajit mars të secilit vit për vitin raportues që përfundon me 31 dhjetor të vitit paraprak.

Dhe në rastet kur OJQ-ja dështon të paraqesë raportin e kërkuar me këtë ligj brenda afatit të paraparë ose paraqet raport jo të plotë, njoftohet me shkrim për dështimin nga MAP.

“Njoftimi me shkrim udhëzon OJQ-në që të paraqesë raportin që mungon, ose atë jo të plotë brenda afatit prej tridhjetë (30) ditësh nga data e njoftimit, si dhe e informon OJQ-në, që dështimi në përmbushjen e kësaj kërkese ka për pasojë pezullimin e statusit të përfituesit publik dhe të gjitha përfitimeve që rrjedhin nga ai”, thuhet në këtë ligj.

Hapi tjetër që duhet të ndiqet nëse OJQ-ja dështon të paraqesë raport të plotë, siç kërkohet brenda afatit të përcaktuar njoftohet me shkrim nga departamenti i OJQ-ve se statusi i saj i përfituesit publik, së bashku me të gjitha përfitimet që rrjedhin nga ai status janë pezulluar.

“OJQ-ja është e detyruar që në mënyrë retroaktive t’i kryejë të gjitha detyrimet tatimore dhe doganore të papaguara që kanë rrjedhur nga lehtësitë tatimore dhe doganore të Statusit për Përfitim Publik, për periudhën për të cilën ka dështuar të raportojë në afat prej gjashtë (6) muajsh nga dita e pranimit të vendimit”, specifikon ligji.

Vetëm mbyllje vullnetare të OJQ-ve

Në Republikën e Kosovës zyrtarisht janë të regjistruara 8 mijë 768 organizata. Prej tyre, 8 mijë 254 janë vendore, fondacione 309 dhe organizata ndërkombëtare 514.

Pavarësisht se nuk është mbyllur asnjë OJQ në Kosovë për 16 vite për mos deklarim Bajram Kosumi tregoj për Gazetën Fjala se ka një numër të organizatave që janë shuar në mënyrë vullnetare.

“Numri i përgjithshëm i OJQ-ve që janë mbyllur, me vetë dëshirë është 111”, tha Kosumi.

Kurse organizata me Status të Përfitimit Publik të mbyllura janë 255.

Në departamentin e OJQ-ve thonë se me rastin e regjistrimit të një organizate prezantohet edhe statuti i organizatës i hartuar në përputhje me dispozitat e ligjit për Lirinë e Asociimit në OJQ dhe ligjeve tjera.

Sipas këtij departamenti në momentin e regjistrimit të çdo OJQ-je është e nevojshme të ceket se cilit profil i përket. /Gazeta Fjala/

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/analiza/shteti-nuk-mbylli-ojq-te-qe-shkelen-ligjin/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala