Shteti në dorë të analfabetëve

Autori:Gazeta Fjala

Dy doktorë shkence së fundi kanë kërkuar punë në qendrat komunale të punësimit, ndërkohë në shkollat e Kosovës janë të punësuar 565 persona të cilët nuk kanë asnjë edhe një ditë shkollë.

Përkundër kësaj, asgjë nuk i pengon ata punojnë në këto institucione të dijes.

Po më të ngritur profesionalisht nuk janë edhe të tjerët që punojnë në institucionet edukativo-arsimore.

Rreth 2 mijë punonjës në objekte arsimore e kanë të kryer vetëm shkollën fillore. Ndërkaq, me shkollë të mesme janë 3 mijë e 945.  Ndërkohë që vetëm 14 mijë punonjës të tjerë kanë përfunduar shkollimin superior.

Kështu tregojnë të dhënat e punësimit nëpër institucionet publike, të siguruara nga Gazeta Fjala.

Hiq më mirë me kuadro nuk qëndrojnë as ministritë, komunat e agjencitë tjera shtetërore.

Sipas të dhënave të punësimit të marra në Ministrinë e Administratës Publike, janë 982 zyrtarë komunal në tërë Kosovën që kryejnë funksionet e tyre pa asnjë ditë shkollë.  Nga ta 410 punojnë në administratë.

Derisa me shkollë fillore janë të punësuar 2 mijë e 225 punonjës, e 10 mijë e 313 të tjerë e kanë të kryer vetëm shkollën e mesme. Me shkollim të lartë janë 6 mijë e 446, përderisa me shkollim superior janë afër 20 mijë persona.

Ministri e Arsimit heshtë për të pashkollët

Në Ministrinë e Arsimit Shkencës dhe Teknologjisë nuk flasin për këtë çështje. Zyrtarët e këtij institucioni nuk kanë sqaruar për Gazetën Fjala se për cilët punëtorë bëhet fjalë dhe përse personat e pa-kualifikuar mbajnë pozita të cilat nuk iu takojnë.

Njohësit e sistemit arsimor në Kosovë nuk e mohojnë faktin se në mesin e tyre mund të jenë edhe mësimdhënës të cilat nuk janë të përgatitur profesionalisht për lëndët që japin.

Dukagjin Popovci, ekspert i çështjeve arsimore thotë se këto raste janë më të shpeshta në zonat rurale për shkak të kontratave të shkurtra, të mësimdhënësve e zëvendësimeve të tyre.

“Në shkollat tona ka edhe persona që asnjëherë nuk kanë qenë të kualifikuar për punën që bëjnë, për shembull ekonomisti i diplomuar mban mësim nga matematika. Zakonisht, kjo ndodhë në shkollat rurale ku ka pak interesim për punësim tek të rinjtë”, ka thënë për Gazetën Fjala, Popovci.

Shqetësuese duket të jetë përgatitja profesionale e të punësuarve në shëndetësi në nivelin komunal.

Në mesin e rreth 6 mijë punonjësve shëndetësor në të gjitha komunat e Kosovës sipas të dhënave të Ministrisë së Administratës Publike 7 janë pa asnjë nivel të shkollimit.

Ndërkaq, me shkollë fillore janë 347 punëtorë, me shkollë të mesme janë 3 mijë e 898 persona, derisa vetëm 52 prej tyre e kanë të përfunduar shkollimin e lartë.  Ndërkaq 1 mijë 601 prej tyre e kanë të përfunduar shkollimin superior.

Por edhe në nivelin qendror gjendja mjaftë e rëndë sa i përket përgatitjes profesionale të shërbyesve civil.  Prej të gjithë të punësuarve nëpër ministri, janë 847 persona të cilët e kanë  të kryer vetëm shkollën  fillore.

Me shkollë të mesme janë 18 mijë e 184 persona, ndërsa shkollimin e lartë e kanë të kryer vetëm 904 të punësuar. Me shkollim superior janë 11 mijë e 713 punonjës

Ekspertët e arsimit: Të ndërhyjë inspektorati

Dukagjin Popovci thotë se i takon Inspektoratit të punës të merret me rastet kur fshihet vendi i punës dhe nuk pranohen personat e kualifikuar.

Megjithatë, ai mendon se kualifikimet e mësimdhënësve duhet të njihen, edhe nëse nuk e kanë përfunduar shkollimin superior.

“Dikush mund ta thotë me lehtësi sot se një mësuese e punësuar para 25 vjetësh është e pakualifikuar pasi nuk e ka të kryer fakultetin, por vetëm shkollën e lartë.  Por kjo nuk funksionon në këtë mënyrë askund në botë. Nëse një person ka qenë i kualifikuar për një profesion në kohën e punësimit, atëherë ky kualifikim i njihet përderisa është në gjendje ta ushtrojë atë profesion me sukses”, ka thënë njohësi i çështjeve arsimore.
Sipas tij këta mësimdhënës duhet të ndjekin trajnime, për ti përmirësuar  kualifikimet e tyre. E në rast se shteti nuk u ofron mundësi të tilla, Popovci thotë se kualifikimin nuk e përbën vetëm diploma, por përvoja gjatë karrierës.

“Këtyre personave duhet mundësuar të ndjekin trajnime ose edhe programe ri-kualifikimi që t’i përmirësojnë kualifikimet e tyre. Në ato raste kur shteti nuk mund të ofrojë mundësi të tilla atëherë duhet pranuar kualifikimin e tyre si të mirëqenë, sepse kualifikimin nuk e përbën vetëm diploma, por edhe përvoja dhe të mësuarit gjatë karrierë”, ka shpjeguar ai./Gazeta Fjala/
(Fitnete Rrahimi)

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/analiza/shteti-ne-dore-te-analfabeteve/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala