Shteti lejon dallavere me tenderë

Autori:Zekirja Shabani

Ka shumë institucione që nuk po e përfillin Organin Shqyrtues të Prokurimit Publik dhe nuk po ia njohin autoritetin.

Gjobat që gjykata e tenderëve po ia shqipton institucioneve të vendit, këto të fundit nuk po i paguajnë.

Si rrjedhojë institucionet e vendit, shumë lehtë mund të kurdisin tenderët dhe të zgjedhin kompanitë që ata donë sipas qejfit të tyre. Edhe nëse kapen e ndëshkohen për këto veprime ata mund të shpëtojnë pa asnjë therë në këmbë.

Të pakt janë ato agjencione buxhetore si dhe operatorë ekonomik që kanë marrë dënime dhe i kanë paguar ato me të holla siç është dashur.

Këtë e pranon vetë kreu i OSHP-së Hysni Hoxha, për Gazetën Fjala.

Ekziston një zbrazëtirë ligjore që po e shfrytëzojnë si institucionet e shtetit ashtu edhe kompanitë private.

“Vetëm ata që  ende nuk i kanë mësuar këto labirinthe po i paguajnë gjobat”, thekson Hoxha.

Në raportin vjetor të këtij institucioni thuhet se departamenti i thesarit në Ministrinë e Financave nuk i ka regjistruar dhe nuk i ka arkëtuar 136 mijë euro gjoba për OSHP-në që nga viti 2009.

“Siç dihet, vendimet e OSHP-së, janë vendime përfundimtare dhe të ekzekutueshme, mirëpo në disa raste, Thesari- MF-i nuk i zbaton vendimet tona, në lidhje me gjobat, me arsyetimin se ky institucion i ekzekuton vetëm vendimet e plotfuqishme të gjykatave kompetente, e jo edhe ato të organeve administrative, siç është edhe rasti me OSHP-në. Për këtë arsye, shuma tjetër e gjobave të shqiptuara gjatë viteve 2009, 2010, 2011, 2012 dhe 2013 në vlerë prej: 136.000.00 €, nuk është arkëtuar as gjatë vitit 2013, fakt i cili është shqetësues për institucionin tonë”, thuhet në raportin e OSHP-së.

Hoxha e quan neglizhencë të thesarit këtë. Megjithatë është një fakt interesant në gjithë këtë punë.

Ministria e Financave të Kosovës, nuk e njeh fare OSHP-në me ligj.

“Kur është bërë Ligji mbi Menaxhimin e Financave Publike, OSHP nuk ka ekzistuar atëherë dhe nuk është përfshirë në ligj. Kështu ligjërisht për thesarin e ministrisë së financave OSHP nuk ekziston”, thotë Hoxha.

Kështu sipas tij, nuk janë marrë parasysh asnjëherë kërkesat për arkëtim të gjobave të OSHP-së direkt nga thesari.

Gjatë vitit 2014 OSHP ka shqiptuar vetëm një gjobë në vlerë 20 mijë euro për Ministrinë e Administratës Pushtetit Lokal.

Derisa ligji kërkon që  të arkëtohen vetëm gjobat me vendim të gjykatës, Hoxha vlerëson se shumë autoritete dhe operatorë po e shfrytëzojnë këtë për ti ikur pagesës.

“Autoritete e kanë gjet një labirinth në gjykata për ti ikur pagesës së gjobave. Gjykata nuk po i shikon siç duhet vendimet tona dhe i hedhe poshtë vendimet e OSHP-së. Vetëm disa autoritete paguajnë gjoba”, thekson Hoxha.

Edhe në Ministrinë e Financave kanë konfirmuar se në bazë të nenit 40 të  LMFPP-së  Thesari është i obliguar të ekzekutoj vetëm vendimet gjyqësore përmbarimore të cilat urdhërohen drejtpërdrejt nga gjykata apo përmbaruesit privat.

“Ky është edhe interpretim i zyrës ligjore të MF-së, me të cilin sugjeron se Thesari nuk ka të drejtë të bëje ekzekutimin e vendimeve të organeve administrative”, thuhet në përgjigjen e MF-së, për Gazetën Fjala.

Në përgjigjen e këtij institucioni thuhet se kjo nuk tregon mangësi në Thesar sepse  paraja publike  shpenzohet në bazë të Ligjit për buxhetin e Republikës  së Kosovës, Ligjit të Menaxhimit të Financave Publike dhe Përgjegjësitë, Rregullave për shpenzimin e parasë publike .

Gjatë vitit 2014, OSHP-ja, në vendimet që ka marrë me rastin e kthimit të lëndëve në Ri-Vlerësim, përveç se ka ndikuar në respektimin dhe zbatimin e ligjshmërisë, ka kursyer buxhetin e Republikës së Kosovës përafërsisht në vlerë prej 2,213,060.00 euro.

Në raportin vjetorë të punës për vitin 2014 OSHP ka pranuar gjithsej 537 ankesa dhe ka shqyrtuar 530 prej tyre, pasi shtatë tjera nuk kanë depozituar shumën e paraparë sipas LPP prej 500 eurove.

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/analiza/shteti-lejon-dallavere-me-tender/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala