Shteti i krimit

Autori:Gazeta Fjala

Qe nga viti 2008 kur Misioni i BE-së EULEX erdhi në Kosovë ka qenë i përfshirë në faza të ndryshme të procedurave në plotë 1 mijë e 350 lëndë. Ndonëse vazhdimisht flitet për përfundimin e mandatit të tij, ende të pazgjidhura kanë mbetur edhe 854 raste, shkruan Gazeta Fjala.

Këtu bëjnë pjesë 213 krime të luftës, 143 krime të organizuara, 75 raste korrupsioni, 16 krime financiare dhe 16 kauza kundër terrorizëm, sipas zëdhënëses së këtij misioni Besa Domi.

Gjyqtarët e Eulex-it kanë nxjerrë 620 aktgjykime duke përfshirë 460 raste penale që kanë të bëjnë me korrupsionin, krimin e organizuar, pastrimin e parave, krimet e luftës dhe trafikimin e qenieve njerëzore. Po ashtu janë edhe 146 aktgjykime në rastet civile, sipas zëdhensës së EULEX-it.

“Këto aktgjykime kanë përfshirë ish-gjyqtarë, policë, deputetë të Kosovës, prokurorë dhe zyrtarë të nivelit të lartë”, ka thënë  Domi .

Përveç prokurorisë speciale në Kosovë me rastet e krimeve gjatë luftës së fundit, edhe EULEX i ka trajtuar ato. Madje së fundmi ky misioni i ka filluar edhe 98 hetime të reja për krime të luftës. Ndërkohë EULEX-i ka nxjerrë 30 aktgjykime në fushën e krimeve të luftës, përfshirë rastet e para të ndjekjes penale të dhunës seksuale lidhur me konfliktin.

“Misioni i ka hetuar ose ka ngritur aktakuza për 250 raste të krimeve të luftës, duke e zvogëluar kështu në mënyrë substanciale numrin e rasteve të pazgjidhura të krimeve të luftës në Kosovë”, tha Domi. Gjithashtu EULEX është duke hetuar në 7 raste kundër-terrorrizmit në vend.

Drejtësi në duart e vendorëve

Paralelisht me EULEX me mbrojtjen e ligjit janë marrë edhe institucionet vendore të drejtësisë. Ndërmjet periudhës janarit 2009- mars 2016 Dhoma e Posaçme e Gjykatës Supreme, në të cilën janë 8 gjyqtarë ndërkombëtarë, janë përfunduar plotë 13 mijë e 389 raste shkruan Gazeta Fjala.

Në Prokurorinë Speciale e Republikës së Kosovës tani janë të përfshirë 108 raste, prej tyre 40 krime të luftës, 6 krime financiare. Ndërkohë që për korrupsion në PRSK janë 15 raste. Krimi i organizuar del të jetë shumë më i pranishëm në Kosovë sesa korrupsioni, këtë e dëshmojnë 40 rastet që momentalisht janë në duart e prokurorëve të prokurorisë speciale.

Mentor Vrajolli nga Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë Kosova ka thënë se Kosova në mënyrë të vazhdueshme rankohet në vendet ku niveli i korrupsionit është ndër më të lartit në Evropë. “Gjithashtu edhe përhapja e krimit të organizuar, shmangia e doganave si dhe evazioni fiskal janë fenomene të cilat kanë shtrirje të gjerë në Kosovë”, ka deklaruar ai.

Sipas tij numri i personave të cilët ndiqen nga organet e drejtësisë qoftë për përfshirje në afera korruptive e qoftë për përfshirje në afera kriminale të krimit të organizuar ne Kosovë është tejet i vogël.

“Vlen të potencohet numri i panumërt i rrokaqjejve (të gjitha këto investime milionëshe) të cilat janë ndërtuar pa kurrfarë plani anë e mbanë Kosovës me dekada të tëra e të cilat në të shumtën e rasteve nuk kanë ndonjë shpjegim tjetër përveçse të ndërlidhen me ketë fenomen”, ka deklaruar Vrajolli.

Ndërkaq ai shton se për të qenë e mundur qe fenomeni i shpëlarjes së parasë të ndodhë është e nevojshme përfshirja e një morie zyrtarësh të tjerë nga insticionet kryqe shtetërore (zyrtarë komunal, doganier, zyrtar të autoriteteve fiskale etj). Të cilat sipas sekretarit të QKSK-së, duke ju shmangur obligimeve ligjore të parapara me ligj, në mënyrë të qëllimshme ju mundësojnë individëve me prapavijë kriminale që të realizojnë shpëlarjen e parasë pa ju nënshtruar pasojave ligjore.

“Në anën tjetër, duke pasur parasysh numrin e vogël të të ndëshkuarve me këtë fenomen, një gjë e tille le pikëpyetje të mëdha sa i për ketë mënyrës se funksionimit sidomos të prokurorisë dhe gjyqësorit”, shton ai. Nga ana tjetër në Policinë e Kosovës thonë se kanë realizuar edhe një numër të operacioneve policore edhe kundër veprave penale që sipas Kodit Penal cilësohen “Shpëlarje e parave”.

“Mund të kolaudojmë se si rezultat i këtyre përpjekjeve operacionale janë arrestuar personat e dyshuar të involvuar si dhe rastet e tilla në konsultim me prokuroritë përkatëse janë trajtuar konform ligjeve të aplikueshme”, kanë thënë në PK.

Gjatë vitit 2015 janë ngritur 7 kallzime penale me 27 të akuzuar, ndërsa janë arrestuar vetëm 2 individë. Ndërkaq gjatë vitit që lam pas për organizimin e skmave piramidale dhe bixhozit të paligjshëm janë raportuar 39 raste. /Gazeta Fjala/.

(Natyra Rushiti)

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/analiza/shteti-i-krimit/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala