Shteti i kërcënuar nga grevat

Autori:Avdyl Pajaziti

Një sindikatë të hënën e ndali grevën, por disa të tjera pritet që brenda kësaj jave të fillojnë ato.

Sindikata e Administratës, Juridikaturës, Shëndetësisë, Policisë dhe Federatës së Shërbyesve civil të Kosovës javën e kaluar i kanë dhënë afat qeverisë 10 ditë për ta zbatuar një marrëveshje për rritje për  0. 5 për qind për paga në bazë të përvojës së punës.

Ndue Kalaj nga  Sindikata e Administratës ka thënë se po shprehin shqetësimin e tyre për Qeverinë, e cila, sipas tij, ka bërë ndasi duke ndarë vetëm punëtorët e arsimit. Siç thotë ai, kjo gjë i ka mësuar se vetëm me presion dhe kërcënime të masave sindikale mund të arrihet një marrëveshje

“Prandaj, me qëllim që të kemi një veprim unik, qëllimi është që nëse bojkotohen institucionet të bojkotohen të gjitha institucionet dhe ta detyrojmë Qeverinë e Kosovës që njëmend të merret me kërkesat tona. Pra, nuk janë këto kërkesa fantome të sindikatës sonë dhe të nëpunësve të shtetit, por, janë kërkesa të cilat janë të garantuara dhe të sanksionuara edhe me ligje, edhe me kontratën kolektive edhe me rregulloren e Qeverisë”, tha Kalaj.

Po ashtu, ai bëri të ditur se edhe pas tentimeve të shumta, ata nuk kanë marrë asnjë përgjigje nga ana e Qeverisë. Kalaj ka thënë se ata madje edhe i kanë dërguar një letër Qeverisë, me anë të se cilës kanë apeluar që sa më shpejtë që është e mundur t’i presë udhëheqësit e tyre në një takim zyrtar, por ata, megjithatë, nuk kanë marrë asnjë ftesë, apo të paktën as edhe një reagim më të vogël të Qeverisë.

Ndërsa, Rahman Jashari, kryetar i SBAHK-u ka thënë për Gazetën Fjala se përderisa në vendet e tjera problem i sindikatave është arritja e marrëveshjeve me Qeverinë, në Kosovë ato arrihen lehtë, por, problem është zbatimi i tyre.

“Ne problemet me të mëdha i kemi me institucionet e Kosovës pas nënshkrimit të marrëveshjeve. Ne vitin e kaluar par kurrfarë presioni kemi arritur ujdi për pagesën e 0.5 përqindëshit të përvojës së çdo mësimdhënësi. Ndërsa, tani u dashtë që nxënësit të humbin mësimin për lëvizur gjërat drejt zbatimit të saj”, ka thënë Jashari.

Por, ai ka bërë të ditur për Gazetën Fjala se pezullimi i grevës nga dita e hënë është një sinjalë për qeverinë për ti zgjedhur kërkesat.

E kryeministri i Kosovës Isa Mustafa ka përshëndetur vendimin e SHBASK-ut për ndërprerjen e grevës, derisa ka premtuar se do te ndërmerren të gjitha veprimet për të korrigjuar lëshimet qe ka mundur të rrjedh në listat e pagave të muajit prill.

“Krahas kësaj, Ministria e Financave dhe Ministria e Administratës Publike do të përgatisin listat e pagave për muajin e ardhshëm me shtesën për përvojë për çdo vit prej 0.5% për të gjithë të punësuarit, që marrin paga nga Buxheti i Kosovës”, ka thënë Mustafa.

Greva e mësimdhënësve erdhi si pasoj e mos zbatimit të një vendimi nga ana e Ministrisë së Financave dhe asaj të Arsimit për pagesën e 0.5 për qind për çdo vit të përvojës, përfshirë këtu edhe përvojën nga viti 2008 që deri më tani nuk është llogaritur.

Në llogarit e tyre shumicës së mësimdhënësve i dolën vetëm gjysma e mjeteve të merituara e shumë prej tyre as nuk u futën në listën e përfituesve. Kërkesa e mësimdhënësve për t’iu paguar kontributi për çdo vit nga 0.5 për qind do ti kushtojë qeverisë 11.2 milionë euro mbrenda këtij viti.

 

 

 

 

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/analiza/shteti-i-kercenuar-nga-grevat/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala