Shteti detyron veteranët t`i mbyllin bizneset

Autori:Gazeta Fjala

 

Veteranët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës duhet të gjejnë mënyrën se si të sigurojnë mbijetesën me pensionin prej 170 euro, pasi që ata nuk kanë të drejtë punë dhe angazhim në biznese individuale.

Madje shumë prej tyre janë detyruar që të mbyllin bizneset ekzistuese për të përfituar këtë status.

Në Agjencinë për Regjistrimin e Bizneseve thonë se  vitin e kaluar është shënuar rritje në shuarjen e bizneseve.

“Numri i bizneseve që kanë pushuar aktivitetin e tyre janë 2 mijë e 199, kurse në vitin 2014 kishin qenë 1 mijë e 663 biznese”, shkruan në përgjigjen e Vedat Macastena Zyrtar i Sistemit te IT në ARBK.

Ndonëse në ARBK nuk dha shumë detaje se cilat mund të jenë arsyet që kanë shtyrë  shuarjen e tyre,  thonë se ata kanë shkruar se bizneset po i shuajnë në mënyrë vullnetare.

Kurse kryeshefi ekzekutiv i ARBK-së, Gazmend Mejzini në media pati deklaruar se sa i përket rritjes së numrit të bizneseve të shuara mund të arsyetohej me faktin e përftimit nga Ligji për Veteranë, ku siç, sipas tij, “një numër i bizneseve të ‘fjetura’, kanë aplikuar shuarjen në mënyrë që të përfitojnë nga ky ligj”.

Xhevdet Qeriqi kryetar i Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave të Luftëtarëve të UÇK-së, ka thënë  për Gazetën Fjala se kjo kërkesë është e paarsyeshme, pasi që sipas tij privon veteranët nga e drejta e tyre.

“Ligji thotë se veterani nëse donë ta marrë pensionin nuk duhet të jetë i punësuar, apo nuk mundet të ketë biznes. Këto kushtëzime nga ana e Qeverisë i shohim si të padrejta”, deklaroi Qeriqi.

Nga ana tjetër, Xhavit Jashari përfaqësuesi i organizatave të dala nga lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), kërkoi nga qeveria e Kosovës të bëjë ndryshimin e ligjit ekzistues të veteranëve.

“Atyre duhet tu lejohet nga ana e Qeverisë që të merren me biznese private ose t’ua rrisë pensionet”, tha Jashari.

Sipas tij me pensionin aktual prej 170 euro veteranët e kanë të pamundur të sigurojnë mbijetesën.

Me ligjin për veteranët e luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës përfituesit e këtij pensioni nuk kanë të drejtë të kenë marrëdhënie pune.

Pensionin prej 170 euro mund ta merrnin vetëm ata që e dëshmonin se nuk janë të punësuar  qoftë në biznes individual qoftë në punë shtetëror.

Në nenin 16 pika 4 mbi pensionin personal shkruan se veteranët e UÇK-së të cilët janë të punësuar në sektorin publik dhe privat nuk kanë të drejtë të përfitimit të pensionit.

Sylë Cakaj ish-ushtar i UÇK që tani e gëzon të drejtën e veteranit ka thënë për Gazetën Fjala se me këtë vendim qeveria nuk kishte vepruar drejtë.

Por, ai thotë se shteti aktualisht e ka buxhetin e vogël dhe nuk mund t`i mbulojë edhe pensionet për veteranët, shkruan Gazeta Fjala.

Mirëpo, Cakaj thotë se me këtë vendim qeveria po i detyron veteranet që të punojnë në të zezë, nëpër ndërmarrje private.

“Veteranët që punojnë nëpër kompani private tash mundohen që të punojnë në të zezën. Ata detyrohen që mos te kenë kontrata punë dhe të marrin pagën  me kesh. Kjo pasi ata pretendojnë që të marrin edhe pensionin nga shteti. Mendojë që këtu është edhe gabimi i madh i qeverisë”, tha Cakaj.

Gazeta Fjala pati raportuar edhe më herët se si veteranët e kundërshtonin kërkesën e qeverisë se ata që aplikojnë për këtë status nuk kanë të drejtë të punojnë.

Shuarja e bizneseve ndikoi në rritjen e papunësisë

Nga 2 mijë e 199 biznese të shuara vitin e kaluar del se 2 mijë e 64 janë binzense individuale kurse 78 janë shoqëri me përgjegjësi të kufizuar.

Rritja e pa punësisë në Kosovë konsiderohet të jetë ndikuar edhe nga shuarja e bizneseve.

Ndonëse u premtua se do të mund të punësoheshin 200 mijë qytetarë,  3 mijë e 220 punëtorë u larguan nga puna vetëm në vitin e kaluar si pasojë e shuarjes së bizneseve të vendit.

Në fakt ky numër është rritur krahasuar me vitin 2014, që kishte qenë 2 mijë 334.

Rritje të regjistrimit të bizneseve

Pavarësisht shuarjes së bizneseve në Agjensinë për Regjistrimin e Bizneseve deklarojnë se kishte rritje në numrin e regjistrimeve të bizneseve të reja.

Vetëm vitin e kaluar ky numër kishte arritur në 10 mijë e 70 të tilla, që i bje se krahasuar me vitin 2014 janë 441 biznese më shumë. Për 2014-ën figuronin 9 mijë e 629 biznese të regjistruara në ARBK.

Ndërkaq numri i përgjithshëm i bizneseve që figurojnë të regjistruara në Agjencinë për Regjistrimin e Bizneseve në kuadër të Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë, është mbi 140 mijë.

Prej tyre 99.1 për qind u takojnë ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme. /Gazeta Fjala/

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/analiza/shteti-detyron-veteranet-ti-mbyllin-bizneset/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala