Shteti detyron veteranët të punojnë në të zezën

Autori:Avdyl Pajaziti

Veteranët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës kanë paralajmëruar se do të dalin përsëri në rrugë për të protestuar.

Ata janë kundër kërkesës së qeverisë që të zgjedhin nëse duan pensionin 170 euro që u takon si veteranë luftëtarë apo të vazhdojnë të punojnë qoftë në sektorin publik apo privat.

Njëri nga ish-luftëtarët e UÇK-së, që tani ka certifikatën si veteranë i luftës, Basri Shala-Virusi ka reaguar për vendimin e qeverisë, që u ndalon atyre të marrin pensione nëse janë në marrëdhënia pune.

Shala në një postim në Facebook ka thënë se me këtë veprim Qeveria e Kosovës po i detyron ata që të punojnë në të zezën.

“E vetmja kategori që privohet nga e drejta e dypunesimit, është kategoria e atyre që kanë dhënë shumë. Veteranet luftëtarë.  Unë personalisht kam me inicu një gjë për këtë kategori. Deri në gjykatën kushtetuese kam me kërku të drejtën time.  Unë s`du të punoj në të zezën, dua të drejtën time. Kërkoj mbështetjen e të gjithë atyre që janë “legjitimuar” dhe janë pajisur me certifikatën”, ka shkruar Shala.

Kurse, Sylë Cakaj po ashtu një ish-ushtar i UÇK që tani e gëzon të drejtën e veteranit ka thënë se me këtë vendim qeveria nuk është duke vepruar drejtë.

Por, ai thotë se shteti aktualisht e ka buxhetin e vogël dhe nuk mund t`i mbulojë edhe pensionet për veteranët, shkruan Gazeta Fjala.

Mirëpo, Cakaj thotë se me këtë vendim qeveria po i detyron veteranet që të punojnë në të zezë, nëpër ndërmarrje private.

“Veteranët që punojnë nëpër kompani private tash mundohen që të punojnë në të zezën. Ata detyrohen që mos te kenë kontrata punë dhe të marrin pagën  me kesh. Kjo pasi ata pretendojnë që të marrin edhe pensionin nga shteti. Mendojë që këtu është edhe gabimi i madh i qeverisë”, tha Cakaj.

Sipas, tij veteranët duhet ka gëzojnë të drejtën e tyre, pa marrë parasysh janë apo nuk janë në punë.

Nga ana tjetër Xhevdet Qeriqi kryetar i Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave të Luftëtarëve të UÇK-së, ka thënë  për Gazetën Fjala se janë në përkrahje të pa rezervë ndaj kërkesave dhe shqetësimeve të kësaj kategorie

Si këshill, Qeriqi thotë se janë të gatshëm për të dal në protesta.

“Ende nuk është caktuar kur do të mbahet protesta por ne jemi në përkrahje të tyre në çdo kohë dhe çdo moment që kërkohet”, tha Qeriqi.

Qeriqi tregon se që nga fillimi e ka ngritur këtë shqetësimin te komisioni për shëndetësi, duke kërkuar të ndryshohet ky nen.

Kërkesa e tij zyrtare për këto ndryshime Qeriqi thotë se nuk është merr parasysh edhe ka kaluar ligji me këtë nen kontestues.

“Kërkoj nga qeveria edhe nga kryeministri kam kërkuar që të ndryshohet, premtimi i kryeministrit ka qenë që do të ndryshohet- ne po shpresojnë që do të ndryshohet”, tha ai.

Javën e kaluar Ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale Arban Abrashi tha se të gjithë ata veteranë që janë të punësuar në sektorin publik apo privat nuk kanë të drejtë të përfitimit të pensionit të veteranit të UÇK-së.

“Në rastet kur veterani aplikon për pension personal të veteranit, por është shfrytëzues në ndonjërën nga skemat tjera pensionale, MPMS thotë se nënkupton se veterani është përcaktuar me vullnetin e tij personal dhe nëse i plotëson kriteret e parapara me ligjin e lartcekur dhe sipas U.A 01/2015, atij ose asaj do t’i ndërpritet pensioni tjetër dhe do të shfrytëzoj vetëm pensionin personal të veteranit të UÇK-së.”, njoftoi Abrashi përmes komunikatës për media.

Ligj, për  veteranët e luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ka hyrë në fuqi në prill të 2014-s.

Në pikën 2 të nenit 16 thuhet se “Veterani Luftëtar i UÇK-së nuk mund të jetë shfrytëzues i asnjë pensioni nga skemat e tjera pensionale të financuara nga shteti.

“Nëse Veterani luftëtar është shfrytëzues i ndonjë skeme personale të financuar nga shteti në Republikën e Kosovës duhet të përcaktohet se cilin pension do të marrë”.

Në muajin shtator Qeveria e Kosovës e përcaktoi shumën e pensionit për veteranët luftëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, që do të jetë 170 euro.

Qeveritarët kishin llogaritur që statusin e veteranit luftëtarë e gëzojnë rreth 14 mijë veta, pa u marrë ende vendime për 22 mijë ankesa që ishin bërë./ Gazeta Fjala/.

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/analiza/shteti-detyron-veteranet-te-punojne-ne-te-zezen/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala