Shpresa në vjetërsirën “Kosova A”

Autori:Gazeta Fjala

Menaxhmeti i Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK) po bënë përgatitje konkrete për t’ia zgjatur jetën termocentralit me te vjetër në rajon, “Kosova A”.  Revitalizimi i këtij termocentrali po shihet si e vetmja alternative për ta shpëtuar Kosovën nga kolapsi energjetik, që pritet të ndodhë me mosrealizimin e projektit për ndërtimin e Kosovës se Re të planifikuar për vitin 2017.

Edmond Nulleshi, Drejtor i Shërbimeve në Korporatën Energjetike të Kosovës (KEK), i ka thënë Gazetës Fjala se në rrethanat aktuale mbyllja e këtij termocentrali nuk është opsion.

Ai sqaron se vendi ka nevoje për këtë termocentral në mënyrë që të evitohet ndonjë krizë energjetike meqë është planifikuar që Termocentrali Kosova B të kalojë nëpër një fazë rehabilitimi gjatë viteve 2017 dhe 2018.

“Duke marrë parasysh këtë, në rrethanat kur mbyllja e Termocentralit Kosova A nuk është opsion, KEK përkundër sfidave buxhetore ka ndërmarrë investimet e nevojshme (duke përfshirë edhe ato të natyrës mjedisore) për mbajtjen e njësive aktive të Kosovës A në një gjendje optimale,” ka thënë ai.

“Në ketë vijë, KEK-u duke mbajtur në vazhdimësi barrën e stabilitetit të sektorit të energjisë në Kosovë, e sheh si të domosdoshme dhe përkrahë iniciativat për revitalizimin e Termocentralit Kosova A -kuptohet me kusht të përmbushjes së të gjitha kërkesave ligjore dhe kritereve mjedisore”, ka shtuar ai.

Përveç se do të shërbente për të evituar ndonjë krizë të mundshme energjetike, Nulleshi ka thënë se revitalizimi i termocentralit Kosova A rritë edhe sigurinë e furnizimit me energji elektrike si dhe rritjet në prodhimit vendor të energjisë.

Termocentrali Kosova A konsiderohet si një nga ndotësit më të mëdhenj të ambientit në vend. I ndërtuar në fund të viteve të 1960-ta, ky termocentral fajësohet për shkaktimin e sëmundjeve në organet e frymëmarrjes, e në raste më të këqija duke shkaktuar edhe vdekjen e një numri të qytetarëve të Kosovës.

Planet për zëvendësimin e tij me një termocentrali të ri kishin filluar qysh në vitin 2005, në kohën kur vendi qeverisej nga koalicioni I përbërë nga Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës.

Së fundi, edhe Kryeministri Isa Mustafa dhe Ministri i Zhvillimit Ekonomik Blerand Stavileci, kanë thënë se ndërtimi i termocentralit Kosova e Re do të fillojë në gjysmën e vitit 2016.

Kosova e Re planifikohet të ndërtohet me donacion të Bankës Botërore. Qeveria e Kosovës ka pranuar deri më tani vetëm një ofertë për ndërtimin e tij, nga kompania Contour Global nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, dhe është duke e vlerësuar ofertën e kësaj kompanie.

Por, ky proces është kritikuar nga shoqëria civile, të cilët janë ankuar se rregullat e prokurorimit publik nuk lejojnë dhënien e tenderëve atëherë kur ekziston vetëm një ofertues.

Mungesa e energjisë, përleshë KEK-un dhe KEDS-in.

Që nga paslufta e deri më tani, Kosova është përballur me sfida të mëdha në sektorin e energjisë. Problemet janë shfaqur sidomos gjatë stinës se dimrit, kur numër i madh i qytetarëve përballen me ndërprerje të energjisë elektrike për disa orë gjatë ditës.

Por, KEDS, kompania që merret me furnizim me energji elektrike, siguron se këtë vit janë bërë të gjitha përgatitjet për t’u përballur me këto probleme.

“KEDS dhe KESCO janë të përgatitura për import dhe kanë bërë të gjitha përgatitjet rreth rrjetit distributiv, duke përfshirë edhe shumë investime përreth Kosovës,” ka thënë Viktor Buzhala, zëdhënës i kompanisë.

Por, ai ka shtuar se furnizimi stabil me energji elektrike është I bazuar edhe në prodhimin vendor të energjisë, duke I lënë kështu në dorë KEK-ut që të kryejë pjesën e saj për të krijuar stabilitet energjetik në vend.

“Furnizimi përfshinë dhe është i bazuar në prodhimin e brendshëm të energjisë elektrike dhe në kushtet atmosferike- Importet janë të planifikuara dhe mbulojnë diferencën në mes të prodhimit vendor dhe konsumit të energjisë. Por, faktorët e prodhimit dhe ata atmosferikë nuk i takojnë KEDS-it,” ka shtuar ai.

Në anën tjetër, në Korporatën Energjetike të Kosovës thonë se pas privatizimit të rrjetit të distribuconit, KEK është vetëm prodhues i energjisë dhe nuk merr përsipër asnjë përgjegjësi lidhur me furnizimin e qytetarëve të vendit me energji.

“KEK nuk bartë asnjë obligim ligjor karshi konsumatorëve për furnizimin e tyre me energji elektrike,” ka thënë Edmond Nulleshi, drejtor I Shërbimeve në KEK.

Në Kosovë ekzistojnë dy termocentrale që gjenden në Komunën e Obiliqit: Kosova A dhe Kosova B. E para ka kapacitet më të madh prodhues, duke mbuluar rreth një të tretën e konsumit të brendshëm. Por, për shkak të pamundësisë për të mbuluar konsumin vendor, Kosova po ashtu detyrohet që të importojë energjinë elektrike. /Gazeta Fjala/.

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/analiza/shpresa-ne-vjetersiren-kosova-a/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala