Shpëtimtarët e Kosovës

Autori:Gazeta Fjala

Shtëpinë që e ndërtoi verën e kaluar, sivjet po e meremeton Hyseni nga Dumnica e Vushtrrisë.

Tërë vitin ka pritur vallun nga Gjermania që ta bëjë gati godinën e re për banim. Me pagën që merr në Kosovë nuk ka arritur ti blejë as dyert e dritaret.

Standardi i ulët i jetesës, kushtet e dobëta ekonomike, dalja prej luftës janë disa nga arsyet që diaspora Kosovare të jetë shpëtim për familjarët e tyre që jetojnë në Kosovë.

E në të gjithë botën llogaritet se jetojnë  rreth 700 mijë kosovarë, shumica në Evropën Perëndimore dhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës që çdo vit shpenzojnë rreth 4 mijë euro vetëm për pushime në Kosovë.

Ndërkaq, në total dërgojnë në formë të remitencave afro 700 milionë euro në vit.

Por sipas të dhënave nga Banka Qendrore e Kosovës remitencat kanë filluar të bien, derisa për këtë vit janë 2. 2 për qind më të ulëta se sa një vit më parë, shkruan Gazeta Fjala.

Ndërkohë që për tre muaj në Kosovë kanë hyrë rreth 156 milionë euro.

Shumica nga to kanë ardhur jo nga bankat por nga transferet e agjencive për transferim të parave.

71 milionë euro  para të kosovarëve që jetojnë në diasporë kanë ardhur me këtë lloj të transferit të parave.

Ndërkohë që këto të hyra janë dukshëm më të ulëta se sa në tre mujorin e parë të vitit të kaluar.

Për periudhën e njëjte të 2015-ës të hyra në Kosovë kanë qenë 160 milion euro.

Remitencat më të larta të hyra në Kosovë për këtë vit, llogaritet të jenë gjatë muajit janar me rreth 58 milion euro.

Sipas njohësve të çështjeve ekonomike në vend, remitencat janë një komponentë e rëndësishme për situatën ekonomike në vend.

Kryetari i komisionit të zhvillimit ekonomik, dhe eksperti i ekonomisë, Muhamet Mustafa, ka thënë për Gazetën Fjala se rënia e remitencave në Kosovë është shqetësuese por sipas tij ajo mund të përmirësohet muajt në vijim.

“Viteve të fundit dërgesat e emigrantëve janë sjellur rreth  650 milion Euro dhe është për tu pritur kshtu dhe do të ngeli edhe për disa vite të tjera. Andaj të dhënat që ju citoni janë befasuese por mund të korrigjohen për muajt në vijim”, ka thënë Mustafa.

Ai ka thënë se efekti i diasporës si kmponentë për zhvillimin ekonomik në vend është jashtëzakonisht i madh.

“…efekti i diasporës do të jetë gjithnjë e më i madh në aspektin e investimeve dhe në të ashtuquajturin “Turizëm i diasporës” kryesisht gjatë verës”, ka thënë Mustafa.

Mërgimtarët injorojnë bankat, preferojnë parat kesh

Ndërkohë që sipas të dhënave nga Banka Qendrore e Kosovës, mërgimtarët Kosovar më shumë preferojnë dërgimin e parave kesh (në dorë) për familjarët e tyre, se sa nëpërmjet bankave komerciale.

Për tre muajt e parë rreth 31 milionë euro janë dërguar përmes bankave, ndërkohe që 54.2 milionë euro të tjera jenë dërguar dorë më dorë.

E lidhur më këtë çështje, njohësi i ekonomisë, Muhamet Mustafa thotë se institucionet e Kosovës duhet të punojnë më shumë rreth tërheqjes së investimeve nga ana e mërgimtarëve, se sa dërgesat kesh nga ana e tyre.

“Konsideroj se në vitet në vijim këto të dyja do të bëhen ndoshta komponentë më e rëndësishme e kontributit te Diasporës se sa dërgesat kesh, ndaj politikat tona ekonomike dhe nixtese dhe komunikimi ynë  me diasporën duhet ti përshtaten këtij fakti”, ka thënë Mustafa.

Vendi nga i cili dërgohen më së shumi para në Kosovë po del të jetë Gjermania me 37.8 për qind të të hyrave në Kosovë nga ky shtet.

Pastaj vie Zvicra me 21.3 për qind, Italia me 5.9 për qind, SHBA-të me 7.6 për qind.

Ndërkohë që sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës, 43 për qind e qytetarëve të Kosovës kanë anëtarë të familjes që jetojnë jashtë vendit, ndërkohë 22.4 për qind prej tyre kanë pranuar remitenca prej familjarëve.

Shteti me më së shumti emigrant kosovarë, është Gjermania me 35.25 për qind, e pasuar nga Zvicra me 22.94 për qind./GazetaFjala/

 

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/analiza/shpetimtaret-e-kosoves/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala