Shpendi ua kthen “borxhin” Devollëve me tender

Autori:Gazeta Fjala

Komuna e Prishtinës e udhëhequr nga “Vetëvendosje”, i ka dhënë këtë vit dy tenderë kompanisë Devolli, në vlerën 63 mijë euro.

Devolli kishte financuar partinë e Shpend Ahmetit në vitin 2010, sikurse edhe kishte furnizuar me jogurt Vetëvendosjen në vitin 2013.

Përveç këtij bashkëpunimi, “Vetëvendosje” në vazhdimësi kishte kritikuar kompaninë e vëllezërve Shkëlqim e Blerim Devolli, lidhur me procesin e privatizimit dhe lidhjet e saj me njerëzit e politikës.

Megjithatë, kritikuesit e kompanisë së fuqishme nga Peja të hënën shpallën fituese pikërisht atë për t`i furnizuar  me qumësht nxënësit e shkollave të Prishtinës, raporton Gazeta Fjala.

Komuna e VV e shpërbleu Devollin në mesin e 4 operatorëve ofertues. Vlera mujore e kontratës për “Furnizimi me qumësht për nxënësit e shkollave – niveli i ulët prej klasës se I–V” është  40 mijë e 761 euro.

Edhe në muajin qershor komuna e Shpend Ahmetit ia besoi “Furnizimin me  qumësht UHT për Arkivin Komunal dhe Brigaden e Zjarrëfikësve”,  kompanisë Devolli. Vlera e kontratës është 22 mijë e 568 euro.

Kompania e vëllezërve Devolli, ka pasur historik të bashkëpunimit me partinë e Shpend Ahmetit “Fryma e Re” kur ajo u fut në politikë. Në zgjedhjet e përgjithshme të nëntorit të 2010-ës, Devolli kishte financuar FER-in me shumën 5 mijë euro.

financimi 2

 

Devolli Group e cila ka financuar shumicën e partive politike në Kosovë, në dhjetor të vitit 2013 ka furnizuar me jogurt edhe “Vetëvendosjen”, transmeton Gazeta Fjala.

financimi

 

Kritikat e VV ndaj Devollit

Në janar të vitit 2014 deputetët e parlamentit kishin miratuar rekomandimet e “Vetëvendosjes” për ngritjen e një komisioni hetimor dhe për auditimin e tërësishëm të privatizimit të Fabrikës së Amortizatorëve, të blerë nga Devolli Group.

Visar Ymeri, shefi i Grupit Parlamentar të “Vetëvendosjes” në legjislaturën e kaluar, pati  deklaruar se AKP-ja kishte shpallur fituese kompaninë Devolli Group, pa e verifikuar mirë historikun e saj.

Kompania, sipas tij, atëkohë ishte nën hetime, por që kjo nuk e kishte penguar AKP-në që ta shpallte fituese në këtë proces privatizimi.

Me gjithë zhurmën e bërë në Kuvend për këtë çështje, asnjëherë nuk është dalë me një raport lidhur me të gjeturat e komisionit hetimor për përfshirjen e vëllezërve Devolli në afera të kundërligjshme gjatë procesit të privatizimit të fabrikës së Amortizatorëve./Gazeta Fjala/

furnizimi qumesht - nxenes

 

furnizimi qumesht per punetoret

 

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/analiza/shpendi-ia-kthen-borxhin-devolleve-me-tender/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala