Shpend Ahmeti nuk i ndahet “Petrol Company”

Autori:Gazeta Fjala

U morën vesh për 218 mijë euro por ka shkuar gati në një milioni vlera e parave që Komuna e Prishtinës ia ka dhënë kompanisë për furnizim me derivate, “Petrol Company”.

Kompania e ish kandidatit të AAK-së për deputetë të Kosovës, Shkelzen Jusaj, që nga ardhja e Vetëvendosjes në pushtet e furnizon komunën e udhëhequr nga Shpend Ahmeti vazhdimisht me derivate të naftës pa tender të ri, por me një kontratë kornizë për furnizim me naftë për nevoja të komunës.

E kjo praktikë nga opozita po shihet si shkelje ligjore dhe keqpërdorim i parasë publike.

Madje zyrtarë të Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe të Partisë Demokratike akuzojnë Ahmetin se për favorizim të një kompanie.

As Jusaj e as përgjegjësit e pushtetit lokal në Prishtinë nuk kanë folur për Gazetën Fjala rreth marrëveshjes që kanë mes vete.

Ky institucion ka lidhur kontratë kornizë trevjeçare me kompaninë e Jusajt për “Furnizimi me naftë dhe derivate të naftës për nevojat e Komunës”, më datë  22. 08. 2014. Një kontratë të tillë kjo komunë e ka lidhur me këtë kompani edhe më datë 02/02/2015, në të cilën ka thënë se ka qenë “Faza e minikonkurrencës”.

Ndërkaq, në Komisionin Rregullativ të Prokurimit Publik nuk kanë shumë njohuri për “fazën e minikonkurrencës”, të cilën Komuna e Prishtinës e ka përdorur në vazhdimin e blerjeve në “Petroll Company”.

Ahmeti po e keqpërdor buxhetin

Lirak Celaj, nga partia opozitare në asamblenë e Komunës, PDK, ka thënë se të gjitha këto mund të konsiderohen shkelje ligjore dhe si favorizim i një kompanie. Çelaj ka thënë se komuna dhe Shpend Ahmeti duhet të bëhen me transparent dhe të tregojnë se çfarë është duke u fshehur pas gjithë kësaj.

“Mendoj se kjo nuk duhet të lejohet. Nuk e kam parë në detaje këtë tender, por në parim mendoj se duhet të hapet konkurrenca dhe të lejohen të konkurrojnë edhe kompanitë e tjera. Nuk është në rregull nëse vazhdohet çdo herë kontrata me Petrol Company dhe kompanitë e tjera të mbesin jashtë”, ka thënë Çelaj.

Çelaj ka thënë po ashtu se kryetari Ahmeti në shumë raste po e luan rolin edhe të avokatit.

“Nuk mund të bëhen këso deklarata nga kryetari i komunës. Kjo është punë e drejtësisë dhe prokurorisë. Bile mendoj se vetëm nga frika  nga kokourenca e  disa  kompanive Ahmeti nuk po shpall tender për naftë, pasi edhe mund të jenë më të mirë ne ofertë dhe nuk mund të ketë shkak që të eliminojë”, ka thënë Çelaj.

Flamur Shala, nga Lidhja Demokratike e Kosovës, ka thënë se krejt ky proces është duke u bërë pa bazë ligjore. Sipas tij, komuna e Prishtinës duhet të hapë tender të ri dhe jo të furnizoj shkollat me kontrata kornizë për furnizim me naftë për gjenerator të komunës.

“Ky është një keqpërdorim i madh i buxhetit nga ana e komunës së Prishtinës. Kjo komunë dhe Shpend Ahmeti qëllimisht nuk po qesin tender të ri. Vazhdimi i furnizimit me kontratë kornizë nuk është ne rregull. Kjo kontratë/tender është për furnizim me derivate për komunën dhe këtë po e shfrytëzon edhe për shkolla. Ky është keqpërdorimi ma i madh, sepse duhet të ndahet ky furnizim”, ka thënë Shala.

Ai ka thënë se këtë trend të furnizimit deri me tash nuk e ka pasur Komuna e Prishtinës, e cili, sipas tij, është edhe më shtrenjtë dhe e dëmton buxhetin me vetëdije.

Tenderët e Komunës me “Petrol Company”

Komuna e Prishtinës ka lidhur kontratë kornizë trevjeçare me kompaninë e Jusajt “Petrol Company” për “Furnizimi me naftë dhe derivate të naftës për nevojat e Komunës”, më datë  22. 08. 2014. Një kontratë të tillë kjo komunë e ka lidhur me këtë kompani edhe më datë 02/02/2015, në të cilën ka thënë se ka qenë “Faza e minikonkurrencës”.

Në vazhdimësi Komuna e Prishtinës i ka realizuar dy tenderë për furnim me naftë, një për nevojat e institucioneve arsimore e një për nevojat e komunës.

Por, për ta favorizuar këtë kompani, Shpend Ahmeti është duke e përdorur ata që të furnizojë edhe gjeneratorët e institucioneve arsimore me naftë, pasi që ende nuk ka shpallur tender të ri për këtë punë.

Vlera e parashikuar e kontratës  së parë të lidhur në mes kësaj kompanie e Komunës ka qenë 218.870,00 euro.  Kurse, e dyta me “Fazën e minikonkurecës”, ka qenë 177,180 euro.

Dyshimet janë se kjo vlerë e mjeteve është harxhuar, por Komuna po vazhdon të marrë ende naftë me çmimin e kontraktuar për premium.

Një fakt të tillë e ka raportuar gjatë javës se kaluar edhe portali lajmi.net, ku ka paraqitur dokumente se Komuna e Prishtinës ka bërë tejkalime në këtë tender.

Gazeta Fjala ka kërkuar një përgjigje edhe nga Agjencia Kundër Korrupsionit se a është duke bërë shkelje komuna e Prishtinës dhe se a ka bazë ligjore që të hetohet furnizim me derivate, por në këtë institucion nuk kanë pranuar të japin detaje.

Në AKK vetëm kanë thënë se lendet që i trajtojnë janë konfidenciale.

“…se çka trajtojmë dhe si e trajtojmë është problematike qe duhet te trajtohet me konfendicijalitet”, kanë thënë në Agjencinë Kundër Korrupsionit./Gazeta Fjala

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/analiza/shpend-ahmeti-nuk-i-ndahet-petol-company/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala