Shkurti i “gjarprit”

Autori:Zekirja Shabani

“Gjarpri”, epiteti i kandidati për President të Kosovës, të premten mund t’ia veshë vetes edhe një meritë historike, siç i quan Hashim Thaçi, arritjet e tij.

Zgjedhja e Presidentit të Kosovës që pritet të ndodhë nesër koiçidon me të njëjtin muaj kur ai e lexoi deklaratën e pavarësisë së Kosovës, tetë vite më parë.

Në atë kohë nuk i duheshin numrat, ndërsa të premten e shkurtit 2016, njohësit e çështjeve politike thonë se Thaçit do t’i duhen aftësitë prej gjarpërit më tepër se kurrë.

Ndryshe nga si e parasheh kushtetuta, që Presidenti të jetë figurë unifikuese, kreu i deritashëm i Partisë Demokratike të Kosovës tanimë është kthyer në figurë problematike e kundërshtimit të fortë opozitarë, shkruan Gazeta Fjala.

Lëvizja Vetëvendosje, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nisma, përveç bllokimit të shumicës së seancave të Kuvendit të Kosovës për kundërshtimin e dy marrëveshjeve të arritura në Bruksel dhe Vjenë, kërkesën për rrëzimin e qeverisë tani listës së kundërshtimeve i kanë shtuar edhe zgjedhjen e Thaçit në postin e të parit të vendit.

Gjatë kohës kur pritet të mbahet seanca për votim të presidentit ata thirrën edhe protestë masive për kundërshtim. Përveç këtij mobilizimi deputetet e bllokut gjithashtu paralajmëruan edhe bllokim të seancës.

Por Hashim Thaçi kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës pretendon se është personi më unifikues për kryetar shteti, duke u thirrur në votat e fituara në zgjedhje ndër vite, pavarësisht kundërshtimeve.

Ai qysh para një viti u mundua të siguroj këtë pozitë duke bërë marrëveshje me Lidhjen Demokratike të Kosovës, pasi që Isa Mustafës ia la rendin për kryeministër.

Përveç kundërshtimit opozitarë  Thaçi ka kundër edhe  disa deputet  të partisë së Koalicionit, që mund të mos qëndrojnë së sallë gjatë votimit. Prezenca e tyre, sipas njohësve të legjislacionit është e domosdoshme.

Vjosa Osmani, Adem Salihaj, Melihate Tërmkolli, Armend Zemaj, Arben Gashi janë vetëm disa nga deputetët që tashmë kanë deklaruar se janë kundër zgjedhjes së tij president.

Se si do të mund t`i përdorë aftësitë e “Gjarpërit” në garën për president të, pritët të shihet të premten kur edhe u caktua të mbahet seanca e jashtëzakonshme e Kuvendit të Kosovës.

Loja me numrat

Driton Selmanaj nga KDI tha për Gazetën Fjala se rregullat janë të përcaktuara me  rregulloren e punës së kuvendit dhe kushtetutën e Kosovës, pra duhet patjetër që të jenë të pranishëm 80 deputet në sall kur fillon votimi.

Sipas Selamanajt çdo përpjekje për të shmangur këto rregulla është e kotë dhe joligjore.

“Tanimë kemi edhe një arsyetim të bazës kushtetuese në rastin e z. Pacolli  përderisa i kemi disa rregulla nuk ka arsye tjetër që të mendohet se do të veprohet ndryshe”, u shpreh Selmanaj.

Partitë e pushtetit Partia Demokratike e Thaçit dhe Lidhja Demokratike e Mustafës, partneret e koalicionit vazhdimisht janë deklaruar se i kanë numrat e mjaftueshëm për zgjedhjen e Thaçit në krye të shtetit.

“Nëse nuk i kanë këta numra atëherë shkohet me dështim të zgjedhjes së presidentit kushtetuta na obligon që pas 45 ditësh të shkojmë në zgjedhje”, tha Selmanaj.

Por deklaratat e deputetëve të LDK-së kundër Thaçit gjatë seancës së nesërme sipas Selamanajt, mbetet ende si situatë hipotetike dhe nuk dihet çfarë mund të ndodhë në seancë.

“Krejt varet prej deputetëve,  partive të cilave ju përkasin se çka do të ndodhë në seancën e caktuar, por rregullat janë shumë të qarta nëse nuk ka 80 deputet në sallë nuk mund të hyhet as në proces të votimit”.

Për zgjedhjen e Presidentit nuk duhen 120 deputet

Juristi Dren Ajeti shpjegon për Gazetën Fjala se njëra nga kompetencat kryesore të kuvendit është edhe zgjedhja e presidentit të vendit.

Ai thotë se kandidati që pretendon këtë post duhet patjetër të ketë përkrahjen e së paku 25 për qind e anëtarëve të Kuvendit apo 30 deputetë për të fituar të drejtën për të kandiduar.

“Vetëm kandidati që mund të dëshmoj përkrahjen e këtij numri mund të kandidoj për postin më të lartë të vendit”, tha ai.

Hashim Thaçi në garën e nesërme do të sfidohet nga bashkë partiaku Rafet Rama, i propozuar nga Partia Demokratike Kosovës.

Në rastin e zgjedhjes së zgjedhjes së Behxhet Pacollit president gjykata Kushtetuese pati thënë se u shkel akti me i lartë i vendit.

Ajeti tregon se gjatë këtij rasti Kushtetuesja vendosi disa kushte që do ta përcjellin zgjedhjen e presidentëve.  Gjithësesi duhet të jenë dy kundër kandidat dhe të të krijohet korumi prej 80 deputetësh.

Rregulla mbi kuorumin, parasheh pjesëmarrjen prej 2/3 e te gjithë deputeteve në mënyrë qe te zhvillohet seanca.

“Ne të tre raundet e votimit në seancën për zgjedhjen e presidentit duhet qe te jene prezent dhe votojnë se paku 2/3 e deputeteve ne mënyre qe te konsumohen raundet e përcaktuara me kushtetute”, tha Ajeti.

Duke ju referuar kundërshtimeve të forta kundër kandidaturës së Thaçit Ajeti tha se ”është për t`u diskutuar”, sesa e mençur është zgjedhja e një presidenti jo-unifikues në këtë kohë kur vendi ka nevoje për një president unifikues dhe neutral. /Gazeta Fjala/

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/analiza/shkurti-i-gjarprit/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala