Shkoi gjysma e Suharekës

Autori:Avdyl Pajaziti

E mori hua një telefon mobil që ka GPS që të orientohet dhe u nis për Hungari. Bileta i kushtoi në relacionin Prishtinë- Beograd 15 euro, të cilat gjithashtu i mori hua. Tash është duke u endur shtegur në mes të Serbisë dhe Hungarisë në tentativë që ta kapërcejë kufirin.

“S’më mbeti zgjidhje tjetër. Këtu po mbytem cdo ditë nga fukarallëku, nga mungesa e prespektivës”, tha ai pak para se të nisej. Lutet që të mos i përmendet emri sepse do të mund t’ia mbyste prespektivën e vetme të mbetur. Nisjet po ndodhin nga shumë pjesë të vendit, më së shumti në Prishtinë.

Fluksi i emigracionit vazhdon të jetë i njëjtë si ai i fundvitit të kaluar. Kosova po zbrazet. Vendi më i afektuar mbetet Suhareka. Gjysma e banorëve të kësaj komune tashmë jeton nëpër dynja. Këto janë të dhënat e ofruara nga Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK).

Sipas kësaj agjencie, afro 28 mijë suharekas tashmë jetojnë jashtë vendit. Komuna e dytë me më së shumti ikje është ajo e Klinës, e pasuar nga Mitrovica dhe Gjakova. Por, në ikjet e përgjithshme prin bashkimi familjar, që nënkupton rrugë pa kthim.

“Si arsye kryesoret pse kishin emigruar, është e dukshme se lidhjet e fuqishme familjare të popullsisë kosovare ishin ndër arsyet më të mëdha të emigrimit, ku pothuajse gjysma e përgjigjeve theksojnë se arsyeja kryesore e migrimit ka qenë familjare (zakonisht martesa ose ribashkimi familjar)”, thuhet në një studim të ASK-së në lidhje me migrimin.

Sipas ASK-së, më pas, ishin emigrimet për punë që përbënin 35% të numrit të përgjithshëm. Por, emigrimet e fundit janë kryesisht në kategorinë e dytë, pra për punë. Tashmë kampet hungareze janë stërmbushur me kosovarë, përderisa nuk janë mangut as ato gjermane.

Gazeta Fjala ka sjellur për lexuesit e vetë kushtet e rënda të jetesës së mbi 1000 kosovarëve në shtetin më të populluar të Evropës, të alokuar në kampin e Halberitit në mes të Shtutgartit e Frankfurtit.

Mbi 50 mijë kosovarë kanë ikur në disa muaj, përderisa dhjetëra mijë pritet të ikin javëve në vijim. Shteti nuk ka ndërmarrë asgjë, pos deklaratave boshe, si thirrja e presidentes “Mos ikni!”, apo ajo e kryeministrit Mustafa se “Qytetarët po ikin nga qejfi”. Nuk mungoi as kërrcënimi i Bashkimit Evropian i përcjellur nga përfaqësuesi i sajë në Kosovë, Samuel Zhbogar me konstatimin se “Kosovarët do të kthehen nga kanë ardhur, por edhe më të varfër se sa kanë shkuar”.

Deri tash nuk është raportuar të ketë ndonjë kthim masiv. Evropa si duket nuk e ka ndërmend t’i kthejë kosovarët në mënyrë masovike.

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/analiza/shkoi-gjysma-e-suharekes/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala