Shkencëtarët e ardhshëm s’kanë kushte për studime

Autori:Avdyl Pajaziti

Jetmir Desku është student i vitit të katërt në Departamentin e Fizikës në Fakultetin e Shkencave Matematiko-Natyrore.  Drejtimi që ai ka zgjedhur të studiojë kërkon punë të domosdoshme në laboratorë të pajisur mirë më mjete për ushtrime.

Por, deri sa ndërtimi i një objekti të ri për këtë fakultet po zvarritet që tri vite, ai dhe shumë studentë të këtij fakulteti detyrohen që lëndët universitare t’i kalojnë pa ndonjë praktikë që do të ishte e vlefshme për t’u përgatitur për profesionin e tyre të ardhshëm.

“Ne këtu në drejtimin e fizikës por në përgjithësi studentët e fakultetit tonë përballen më mungesë të kushteve elementare për punë.  Mungojnë plot pajisje në laborator, sallat, dhe gjëra të tjera për studim kualitativ,” thotë ai.

“Edhe në ato pak salla që i kemi, mund të them se ka mungesa elementare, siç është ndriçimi i duhur, pastërtia, e të tjera,” shton ai.

Në anën tjetër studentët e po të njëjtit fakultet por në departamentit e Biologjisë zhvillojnë po ashtu mësim në kushte nën minimumin që do duhej.

Tahir Arbneshi, dekan në FSHMN-së tregon që pas rrënimit të objektit  të departamentit të Biologjisë, studentët i kanë shpërndarë nëpër hapësirat e departamenteve tjera të FSHMN-së, kryesisht në podrumet e objektit të FSHMN-së.

“ Ky departament në përgjithësi  funksionon në kushte të rënda e veçanti kur bëhet fjalë për pjesën e zhvillimit të ushtrimeve eksperimentale. Fare pak më mirë janë edhe Departamenti i Kimisë e ai i Fizikës,” ka treguar ai, shkruan Gazeta Fjala.

Ai thotë qe ka bërë përpjekje që të ndërtohet një objekt i ri për FSHMN-në.

“Kërkesat kanë qenë të shumta mirëpo deri më sot nuk është siguruar vendi për ndërtimin e objektit të ri të FSHMN-së”… kërkoj nga Rektorati, MASHT-i dhe Komuna e Prishtinës të japin zgjidhje për këtë kërkesë të kahmotëshme të FSHMN-së për zgjidhjen përfundimtare të këtij problemi” ka përfunduar ai.

Problem të ngjashëm me kushtet për zhvillimin e studimit praktikë kanë edhe studentët e Fakultetit të Inxhinierisë Elektrike dhe Kompjuterike.  Këtë e konfirmon Dokleat Kollari, nga Këshilli i Studentëve të këtij fakulteti.

“Ne në vazhdimësi po kërkojmë nga organet udhëheqëse të universitetit përmirësimin e tyre, në mënyre që në një të ardhme të afërt të mund të krahasohemi me studentët e vendeve te Ballkanit Perëndimor,  sepse për t’u krahasuar me kushtet e studentëve nga vendet anëtare të Bashkimit Evropian mendojmë se duhen reforma jashtëzakonisht të mëdha,” ka thënë ai.

Gazeta Fjala i ka dërguar disa pyetje rektoratit lidhur me këtë çështje, por deri më tani nuk ka marrë ndonjë përgjigje.

Në anën tjetër, Dukagjin Pupovci, njohës i çështjeve të arsimit, thotë se Universiteti i Prishtinës ka shumë probleme me cilësi, edhe atë në aspekte të ndryshme si: infrastruktura jo e përshtatshme, numri i madh i studentëve, numri i vogël i stafit akademik, mungesa e literaturës, e kështu me radhë.

“Universiteti i Prishtinës duhet të ketë procedura që sigurojnë se programet mësimore i plotësojnë kushtet minimale të cilësisë dhe kërkesat e tregut të punës…të respektohen kriteret akademike për zgjedhje të stafit, sepse stafi e përcakton cilësinë e një universiteti, ka edhe shumë veprime të tjera siç janë investimet në infrastrukturë, laboratorë dhe biblioteka” thotë Pupovci.

Ai ka treguar se të gjitha hulumtimet që janë bërë në Kosovë deri tani tregojnë se punëdhënësit kanë vërejtje serioze në përgatitjen e të diplomuarve për kryerjen e detyrave të punës.

Kjo ndodhë për shkak të mungesës së ndërlidhjes në mes të programeve mësimore dhe nevojave të tregut të punës, si dhe për shkak të mungesës së punës praktike dhe praktikës profesionale.

“Rreth 70% e programeve janë nga fusha e shkencave shoqëror, humane, arteve dhe edukimit,në këto fusha ka një hiperproduksion kuadri. Ndërsa vetëm 11% të studentëve ndjekin studimet në fushat e inxhinierisë dhe prodhimtarisë ku kërkesa për njerëz të kualifikuar është më e madhe” ka përfunduar ai.

Universiteti i Prishtinës “ Hasan Prishtina” në kuadër të fushëveprimit të vet ka për qëllim të siguroj kushte për përmirësimin e të gjitha shërbimeve të ofruara sipas standardeve më të mira Evropiane, si në mësimdhënie, nxënie ashtu edhe në cilësinë e zhvillimit dhe hulumtimeve shkencore, përfshirë këtu edhe ofrimin e kushteve cilësore për studentët ./Gazeta Fjala/.

 

 

 

 

 

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/analiza/shkencetaret-e-ardhshem-skane-kushte-per-studime/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala