Serbia nuk mund ta ndalë Brezovicën

Autori:Avdyl Pajaziti

Puna në projektin për Bezovicën mund të filloj tek nga viti i ardhshëm, pasi kontrata e Qeverisë së Kosovës me konsorciumi fitues Francezo-Andorian të hyjë në fuqi në fund të muajit dhjetor.
Ndërsa edhe këtë dimër skiatorët nuk do të kenë teleferik të rijnë e as nuk mund të rehatohen në hotelet e premtuara luksoze.

Investimet e 410 milion eurove për ndërtimin e “Brezovicës së re”, do të fillojnë atëherë kur investitori ta ketë dorëzuar master planin për qendrën e re Brezovica, projektin për ndikimin mjedisor dhprojektin për ndikimin ekonomik që do të ketë në komunën e Shterpcës. Kurse Qeveria e Kosovës duhet të përmbushë kushtet paraprake që përfshijnë shpronësime, transferet e aseteve të ndërmarrjeve shoqërore, etj.

Të dyja palët thonë se gjithçka është gati. Por, së fundi ka dalë edhe një pengesë tjetër që mund ti hapë telash të madh zhvillimit të kësaj qendre.

Përpjekjet e shtetit serb për të penguar projektin Bezovica

Shteti serb ka provuar të ndërhyj në çështjen e ski qendrës në Brezovicë duke i frikësuar investitorët.

Javën e kaluar Qeveria e Serbisë ka miratuar një tekst shpalljeje në të cilin investitorëve potencialë iu tërhiqet vërejtja se qendra për ski “Brezovica” është në pronësi të Serbisë dhe se vendimi për eksproprijim i marrë nga Prishtina është i jashtëligjshëm.

Të premten mediat në Serbi raportuan Serbia e ka njoftuar kryeministrin e Kosovës Isa Mustafa se do të iniciojë kontest në Gjyqin Ndërkombëtar në Paris.

“Vendimi i institucioneve të Kosovës për eksproprijimin e tokës dhe të pasurisë është i kundërligjshëm dhe në kundërshtim jo vetëm me të drejtën ndërkombëtare por edhe me ligjet që zbatohen në Kosovë”, thotë kumtesa nga Beogradi.

Por, në Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë kanë përjashtuar çdo mundësi që shteti serb të mund të ketë ndikim në shtyrjen e realizimit të kontratës apo frikësimin e investitorit.

Vjollca Dibra këshilltarja për media në Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë tha se Komiteti Drejtues Ndërministror ka mandatin e plotë për të realizuar projektin e Brezovicës, pa ndërhyrjen e askujt.

“Çfarëdo tentimi apo deklarate për të penguar nënshkrimin e marrëveshjes janë thjesht të natyrës politike dhe nuk prodhojnë kurrfarë implikimesh ligjore apo praktike”, tha Vjollca Dibra.

Burime të afërme me projektin Brezovica kanë treguar për gazetën Fjala se reagimet e Serbisë kanë qenë të pritura dhe investitori pasi që ishin njoftuar më herët për përpjekjet që mund të bëjë shteti serb për të ndikuar negativisht në projekt.

“Konsorciumi ka marrë masa paraprake që projekti Brezovica të zhvillohet pa u ndikuar nga ta”, tha ky burim.

Edhe Vjollca Dibra, këshilltarja për media e ministres Hikmete Bajrami thotë se Qeveria e Kosovës është në proces të përfundimit të detyrimeve që dalin nga kontrata, ndërkohë që edhe investitori ka raportuar se është duke punuar sipas planit, në përmbushjen e detyrimeve.

Gazeta Fjala ka kontaktuar edhe me nënkryetarin e Komunës së Shtërpcës Beqir Fejzullahu i cili tha se komuna ka përfunduar punët e saj me shpronësimet në këtë hapësirë.

Sipas Fejzullahut e vetmja dilemë që kanë pasur ishte gjashtë mujori pas nënshkrimit të kontratës. E siç tha ai, pa u qartësuar kjo periudhë nuk mund të thuhet a ka vonesa në fillimin e realizimit të projektit, nga konsorciumi fitues.

“Tash e vetmja dilemë që ne si komunë kemi është se a është kërkuar gjashtë muaj kalendarik apo gjashtë muaj ditë pune, ketë çështje e kemi diskutuar para dy ditësh me kryetarin. Ne si komunë nuk e dim ende çka saktësisht po ndodhë”, tha Fejzullahu.

Gazeta Fjala, ka sqaruar se e emëruar si periudha e kushteve paraprake në dhjetor përfundon 180 ditëshi apo gjashtë mujori pas nënshkrimit të kontratës, gjatë se cilës është paraparë përmbushja e obligimeve nga të dy palët.

Historiku i projektit të Brezovicës

Me 25 nëntor të vitit 2014 në tenderin “Propozimi për Zhvillimin, Financimin dhe Operimin e Qendrës Turistike në Brezovicë”, ishte shpallur fitues konsorciumi i kompanive “MDP Consulting – Compagnie des Alpes – PGI Management .

Ishte planifikuar që kontrata mes Qeverisë së Kosovës dhe konzorciumit fitues për menaxhimin e Brezovicës të nënshkruhej më 3 mars të këtij viti. Mirëpo ajo ishte shtyrë deri në mesin e muajit Prill.
Konsorciumi Fitues do të ketë nën shfrytëzim 3364 hektarëve tokë në Brezovicë, për periudhën 99 vjeçare. Parashikohet që një shumë prej 410 milionë euro të investohen në infrastrukturë gjatë kohëzgjatjes së projektit.

Në njoftimit për dhënie të kontratës, specifikohet investimi i konsorciumit në tri faza.
Në fazën e parë është paraparë që kompania fituese të investojë 164 milionë e 287 mijë euro.

Në fazën e dytë do të investohen edhe 152 milionë e 541 mijë euro, në fazën e tretë në bazë të kontratës është planifikuar që të investohen edhe 92 milionë e 681 mijë euro tjera./ Gazeta Fjala/

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/analiza/serbia-nuk-mund-ta-ndale-brezovicen/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala