Sekretet e rezervave të shtetit

Autori:Zekirja Shabani

Nëse Kosovën e godet ndonjë fatkeqësi natyrore apo emergjencë tjetër, shteti nuk mund ti mbajë me bukë banorët e vet as për dy javë ditë.

Gruri, sheqeri, nafta e produktet tjera që mbahen në depo sekrete për raste të tilla, janë më pakë se që parashihen me ligjin për rezerva shtetërore. 500 mijë euro të buxhetit sa është dashur të ndahen për këtë punë, nuk kanë mbërritur në Departamentin e Rezervave që funksionon në kuadër të Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë.

“Kosova ka rezerva sa ka buxhet”, tha drejtori i këtij departamenti Shaban Halimi në përgjigjen për Gazetën Fjala përmes emailit.

Por ai nuk tregon se sa është buxheti i ndarë për këtë punë përveç se përfol dokumentin strategjik të formuluar nga ky departament për tre vite që nga 2013 deri në 2015, duke mos dhënë specifikisht përgjigje.

“Me planin strategjik të rezervave shtetërore të mallrave përcaktohet: krijimi, furnizimi, ripërtëritja, freskimi, përdorimi, shpërndarja, shitja, këmbimi, dhurimi dhe shfrytëzimi. Programi vjetor i rezervave shtetërore të mallrave, duhet të përmbaj: llojin, sasinë dhe vlerën e rezervave shtetërore të mallrave”, tha ai.

E krejt kjo sipas Halimit, plani strategjik dhe programi vjetor por edhe vendndodhje e rezervave shtetërore të mallrave, konsiderohet sekret shtetëror.

Megjithatë ky dokument shumë lehtë është gjetur në google, në kuadër të web faqes së kryeministrit të Kosovës.

Lidhur me këtë Halimi tha se pas aprovimit të strategjisë qeveria ka nxjerrë vendim dhe kjo është publikuar nga zyra e Kryeministrit.

“Pra është vlerësim dhe veprim i zyrës së Kryeministrit e jo i Departamentit për Rezervat Shtetërore të Mallrave”, tha ai.

Bazuar në të departamenti i rezervave kishte paraparë që çdo vit nga buxheti shtetërorë për produkte të rezervuara për rastet emergjente duhej të ndaheshin 500 mijë euro.

Megjithatë shteti nuk ka ndarë mjetet e planifikuara .

“Po Qeveria e ka ndarë mjete në shumën shumë të përafërt me mjetet e planifikuara, por shkurtimet buxhetore në vitin 2014 dhe 2015 kanë prekur dhe buxhetin e Rezervave Shtetërore”, tha Shaban Halimi.

Nevojat e Kosovës për sigurimin e rezervave bazuar në këtë strategji janë një depo prej 1500 metrash katrore.

“Nga puna e gjerë tanishme është vërejtur se, Rezerva Shtetërore ka nevojë vetëm për një depo me 1500 m2 për deponimin e artikujve jo ushqimor si p.sh, tendat e ndryshme, batanije krevat dhe pajisje tjera të nevojshme për rezervën”.

Por momentalisht Kosova ruan rezervat në depo të operatoreve ekonomik të përzgjedhur përmes tenderimit publik.

“Të cilët plotësojnë kushtet e ruajtjes sipas specifikave të produkteve të rezervave”, tha Halimi.

Furnizimi me  artikuj të rezervës kryhet përmes tenderimit publik, por sipas të dhënave të tenderëve të publikuar në Komisionin Rregullativ të Prokurimit Publik, që nga funksionimi i Departamentit të rezervave, janë dhënë tre të tillë.

Dy për grurë dhe një për naftë, por jo edhe për produkte të tjera.

Por përkundër kësaj Halimi tha se nuk qëndron perceptimi se nuk ka rezerva shtetërore, ai shpjegoi procesin e tenderëve, të shpallur për të cilët janë detyruar t`i anulojnë.

“Po kemi pasur tenderin për furnizim me grurë i cili ka shkuar në ri tenderim tre herë dhe në fund është anuluar për shkak të tërheqjes së Operatorit Ekonomik fitues, pas kësaj për shkak të kohës shumë të shkurtër për ri tenderim për herë të katërt kemi vendosur të shfrytëzojmë kontratën kornizë për furnizim me dizel dhe kështu është vepruar, gjithashtu gjatë vitit 2014 kemi pasur kontratën kornizë edhe për furnizim me produkte agro ushqimore dhe është kryer furnizimi”, tha ai.

Kufiri minimal i rezervave

Rezervat shtetërore të mallrave krijohen për të ndërhyrë në mënyrë operative për

mbrojtjen e popullsisë dhe ekonomisë në rast të çrregullimit të tregut,  dhe mbrojtjes së vendit në

situata të gjendjes së jashtëzakonshme.

Në Kosovë  Departamenti i rezervave shtetërore është krijuar në vitin 2011, ndërsa bazat e para për të filluar furnizimin me produkte kanë filluar me rastin e intervenimit në fshatin Restelicë të Dragashit në vitin 2012.

Lista e rezervave shtetërore deri tani ka qenë e përbërë nga gruri, produktet agro ushqimore, produktet e naftës (dizeli).

Udhëheqësi i ketij departamenti Shaban Halimi njofton se nga viti 2016 planifikohet edhe lista esenciale e barnave dhe materialit shpenzues. E që sipas strategjisë është paraparë që 300 mijë euro ndahen për to.

Departamenti i Rezervave Shtetërore të Mallrave në bashkëpunim me përfaqësuesit e Ministrive përkatëse në strategjinë e vitit 2012 kishin vendosur  disa kritere për sasitë e produkteve të rezervës shtetërore e që paraqesin kufirin minimal të rezervës.

“Kufi nën të cilin nuk duhet të bjer rezerva”, shkruan në këtë strategji.

Gruri  do të ishte rezervë për 20 ditë, për nevojat e konsumit për gjithë popullatën, bazuar në nevojat vjetore për miell, bukë, keksë e ngjashëm. Sheqeri do të duhej të rezervohej për 15 ditë për nevojat e konsumit për 20 mijë banorë.

Njësoj sikurse sheqeri artikujt tjerë ushqimor duhet të sigurohen për 15 ditë për 20 mijë banorë nga konsumi i përgjithshëm vjetor.

“Nafta dhe derivatet e saj 3 ditë të importit të përgjithshëm vjetor”, specifikohej në këtë strategji.

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/analiza/sekretet-e-rezervave-te-shtetit/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala