Sekretari ilegal më i fortë se tre ministra (Dokumente)

Përgjegjësi kryesor për mungesën e 100 milionë eurove në Ministrinë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor (MMPH) është Arben Çitaku, i cili është zgjedhur në pozitën e Sekretarit Permanent në mënyrë ilegale.
Kjo, pasi kur u zgjodh nuk kishte as diplomë fakulteti. Në dokumentet që i posedon Gazeta Fjala, Këshilli i Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës kishte lëshuar vendim të formës së prerë që konkursi të rishpallej. E ky është organi më i lartë vendimmarrës për këto raste.
Por, Çitakut nuk iu lëkund pozita. Urdhërin e Këshillit të marrë me 3.10.2011 nuk e përfilli Ministria e Administratës Publike e udhëhequr nga Mahir Jagcilar. Ndërlidhja është e fuqishme, pasi pikërisht Jagcilar ishte Ministër i Mjedisit, kur Çitaku ishte zgjedhur ilegalisht. Nuk reagoi fare as Dardan Gashi, ministër kur u mor vendimi. E, nuk e ka ndërmend të reagojë as Ferid Agani. Çitaku vazhdon të jetë mbi ta, pavarësisht faktit se të tre ministrat vijnë nga tri parti të ndryshme.
“Përmbushja e kritereve për ushtrimin e detyrës së sekretarëve të përgjithshëm si dhe aspekteve të tjera relevante të funksionimit të tyre janë nën kompetencën e Këshillit për pozita të nivelit të lartë drejtues. Sipas informatave zyrtare sekretari i përgjithshëm i MMPH është duke e ushtruar këtë detyrë qe shtatë vjet”, tha për Gazetën Fjala, Ferid Agani, Ministër i Mjedisit.
Pos tre ministrave, nuk reaguan as krerët e shtetit. Çitaku doli më i fortë edhe se ata.
“Nëse personi përgjegjës nuk ekzekuton vendimin brenda 15 ditësh, Këshilli i Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës do të njoftojë me shkrim kryeministrin dhe Kuvendin e Kosovës”, thuhet në vendimin që e posedon Gazeta Fjala. Nuk reagoi as kryeministri, as kuvendi.
Ky mosreagim i kushtoi vendin 100 milionë euro dhe me degradim të plotë të ujërave dhe mjedis në vend. Këtë e ka konstatuar gjatë dy ditëve të kaluara vet eksperti i mjedisit, Besim Dobruna që punon në këtë ministri. Ai, kalkulimet i kishte bërë duke u bazuar në ligjet dhe udhëzimet administrative të Kosovës./Gazeta Fjala/