Sami Lushtaku duhet t’i hapë rrugë zgjedhjeve në Skenderaj

Autori:Gazeta Fjala

Më shumë se një qerek viti ka kaluar që kur Sami Lushtaku, ish-Komandant i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) dhe Kryetar i Skenderajt, u dënua me 12 vite burgim për krime lufte.

Duke llogaritur edhe kohën sa ka kaluar në paraburgim para se të shpallej verdikti për të, Komuna e Skenderajt ka mbetur pa kryetarin e saj për gati dy vite.

Insistimi që edhe nga burgu të mbajë postin e të parit të kësaj komune i mundësohet atij nga ligji në fuqi, që nuk i lejon Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) të shpalle zgjedhje të jashtëzakonshme në raste të tilla përderisa të përfundojë procedura e ankimimit në Gjykatën e Apelit.

Por, në Gjykatën e Apelit, lënda e Sami Lushtakut është ende vetëm në prokurorinë e kësaj gjykate, dhe nuk ka ndonjë datë se kur pritet të fillojnë seancat e gjykimit.

I pyetur nga Gazeta Fjala rreth kësaj çështje, Arber Jashari, zëdhënës i gjykatës, nuk ka qenë në gjendje të japë ndonjë datë konkrete rreth fillimit të seancave gjyqsore ndaj Lushtakut.

“Ankesat së bashku me shkresat e lëndës kanë ardhur në Gjykatën e Apelit dhe si të tilla janë dërguar për mendim tek Prokuroria e Apelit, sipas procedurës së zakonshme.  Seanca e kolegjit të gjykatës do te caktohet me kohë, por kjo do të ndodh vetëm pasi lënda së bashku me mendimin e Prokurorisë te kthehet në Gjykatën e Apelit,” i ka thënë Jashari Gazetës Fjala.

Gazeta Fjala ka tentuar të marrë ndonjë informatë edhe nga avokati mbrojtës i Lushtakut, Tomë Gashi, por ky i fundit nuk i është përgjigjur interesimit të gazetës.

Në nëntor të vitit 2013, Lushtaku kishte fituar bindshëm zgjedhjet lokale për t’u rizgjedhur kryetar i Komunës së Skenderajt.  Me mbi 80 për qind të votave të fituara, ai kishte përqindjen më të madhe të përkrahjes krahasuar me udhëheqësit e tjerë që dolën nga ato zgjedhje.

Por, më 27 maj të këtij viti, Gjykata Themelore në Mitrovicë, e kishte dënuar atë me burgim pasi ishte gjetur fajtor nën akuzat për vrasje të një civili shqiptar.

Imer Mushkolaj, analist politik, beson se Sami Lushtaku do të duhej që vetë të dorëhiqet dhe t’i hapë rrugë zgjedhjeve të reja në mënyrë që qytetarët e Skenderajt “të mos mbeten peng i një procesi gjyqësor”.

“Ata nuk kanë faj pse kryetari i komunës është shpallur fajtor dhe do të ishte e drejtë që z. Lushtaku të lëshojë udhë dhe të mos e mbajë peng komunën,” ka thënë Mushkolaj.

Sipas tij, obligimet që ka kryetari i komunës nuk mund të përmbushen njësoj si nga nënkryetari i komunës për shkak të përgjegjësive dhe kompetencave që i mungojnë këtij të fundit.

“Dorëheqja e z. Lushtaku do të ishte një akt që do t’i ndihmonte edhe vetë atij,  por më së shumti bashkëqytetarëve të tij,” ka shtuar ai.

Gazeta Fjala i ka dërguar pyetje Ministrisë së Pushtetit Lokal për të konfirmuar raportimet e mëparshme të mediave se Lushtaku vazhdon të merrë pagën e tij si kryetar i komunës, por deri më tani nuk ka marrë përgjgije.

Por, në deklarimin e pasurisë në Agjencinë Kundër Korrupsionit (AKK) për vitin 2015, Lushtaku ka deklaruar se merr pagë vjetore prej 12.600.00  euro nga Komuna e Skenderajt.

Në situatë të ngjashme është edhe Kryetari i Prizrenit Ramadan Muja.  I akuzuar nga EULEX-i për keqpërdorim të detyrës zyrtare bashkë me pesë zyrtarë të tjerë komunal, Muja ishte dënuar me dy vite burg në vitin 2014.  Më pas, ai kishte apelur këtë vendim dhe dri në vendimin e ri të Gjykatës së Apelit, ai vazhdon që ët mbajë pozitën e të parit të komunës së Prizrenit.

Listës së kryetarëve të dënuar së fundi i është shtuar edhe Nexhat Demaku, Kryetar i Drenasit.  Gjykata Themelore në Prishtinë më 7 tetor të këtij viti e shpalli fajtor për keqpërdorim të detyrës zyrtare dhe e ka dënuar me 1.6 vite burg./Gazeta Fjala

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/analiza/sami-lushtaku-duhet-ti-hape-rruge-zgjedhjeve-ne-skenderaj/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala