Rritje pa ndikim në jetën e qytetarit

Autori:Gazeta Fjala

Ministri i Financave Avdullah Hoti para pak ditësh deklaroi se ekonomia për këtë vit pritet të shënoj një rritje 3,8 për qind, ndërsa për vitin e ardhshëm pritet të rritet në 4,0 për qind.

Njohësit e çështjeve ekonomike thonë të kundërtën.  Sipas tyre, këto shifra tregojnë vetëm dëshirën e ministrit Hoti , nuk janë reale dhe se kjo rritje në qoftë se nuk përcillet me hapje të vendeve të reja të punës nuk ka rëndësi për qytetarin.

Ky ritëm i rritjes ekonomike nuk jep edhe shumë shpresa për të ardhmen pasi që  Kosovës do t’i duhen 70 vite për ti arritur vendet e zhvilluar ekonomike në gjendjen e tanishme.

Besnik Bislimi nga radhët e Vetëvendosjes, thotë se rritja ekonomike nuk vjen nga deklaratat, por nga vendimet dhe veprimet. Shifrat të cilat servohen nga qeveria janë të pasakta dhe nuk burojnë nga analizat serioze.

“Rritja ekonomike nuk vjen prej deklaratave, por prej vendimeve dhe veprimeve që mbështesin prodhuesit, garantojnë konkurrencën në treg dhe ofrojnë qasje në treg. Numrat që servohen reflektojnë dëshirën e tyre, por asesi nuk dalin nga ndonjë analizë serioze e rrethanave ekonomike në vend”, tha ai për Gazetën Fjala.

Ai gjithashtu thotë se mënyra se si matet kjo rritje ekonomike nënkupton vetëm më shumë prodhim, dhe se në qoftë se nuk mund të balancohet nga ana e qeverisë mund të jetë e rrezikshme për jetën e qytetarit.

“Rritja ekonomike në mënyrën se si matet nënkupton vetëm më shumë prodhim. Rritja ekonomike në rrethana të caktuara mund të rezultojë edhe në përkeqësim të jetës së qytetarit, në rastet kur kjo rritje nuk është e balancuar. Si shembull, e ardhura kombëtare mund të rritet edhe 5 për qind, por e gjithë kjo të shkojë në duart e një numri të vogël të bizneseve, që do të thotë pa ndonjë përfitim direkt për qytetarët”, shtoi ai.

Haki Shatri nga AAK, shprehet i shqetësuar duke thënë se kjo rritje ekonomike është e vogël përball nevojave të vendit për zhvillim.

“Kjo rritje e synuar nga Qeveria është e vogël, dhe karshi nevojave të vendit për zhvillim me dinamikë por edhe për karshi normës së zhvillimit të vendeve në zhvillim”, u shpreh ai.

Po ashtu Shatri bënë me dije se Kosova është 70 vite larg vendeve të zhvilluara ekonomikisht dhe se vetëm për të filluar uljen e papunësisë do të duhej një punë shumë e madhe.

“Në një përllogaritje të mëhershme serioze nga disa institucione është cituar se Kosovës i duhen 70 vite për të mbërri nivelin e tashëm të vendeve të zhvilluara, kurse nevojitet normë mbi 8% e shtimit për të mundur të fillohet zvogëlimi i shkallës së papunësisë”, shtoi më tej.

Ndërsa Besnik Pula, profesor asistent në Universitetin amerikan, Virginia Tech, këtë rritje e quan rritje të ngushtë dhe shumë pak të rëndësishme për qytetarin, pasi që nuk përcillet me punësim. Ai tregon se remitencat janë prej shtytësve të rritjes ekonomike.

“Rritja ekonomike ka pak rëndësi për qytetarin e zakonshëm nëse nuk ndiqet me hapje të vendeve të punës. Deri më tani, kjo nuk ka ndodh, pra rritja ekonomike në Kosovë nuk është përkthyer në ulje të papunësisë. Kjo është pjesërisht nga fakti se rritja ekonomike në Kosovë nxitet nga investimet kapitale dhe konsumi i mbështetur nga remitancat. Këtë do ta quaja një rritje të ’ngushtë’, sepse tregon se ka rritje të shpenzimeve por jo edhe rritje të produktivitetit në ekonomi.”, shprehet ai.

Pula, gjithashtu jep dhe ilaçin për tu arritur një rritje e gjerë ekonomike. Ai thotë se përmes investimit në prodhim dhe rivitalizim të industrive tradicionale e të reja, qytetari mesatar mund të vërejë ndikimin e rritjes ekonomike.

“Për një rritje të ‘gjerë’ ose një zhvillim të gjithmbarshëm ka nevojë për investime në prodhim dhe rivitalizim të industrive tradicionale e të reja, gjë që nuk po ndodh. Përderisa është kështu do të ketë fare pak korrelacion midis shkallës së rritjes ekonomike dhe një zhvillim ekonomik të ndjeshëm nga qytetari mesatar”, tregon Pula./Gazeta Fjala/

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/analiza/rritje-pa-ndikim-ne-jeten-e-qytetarit/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala